Prokurori Kreshnik Ajazi (djathtas) pas seancës dëgjimore me KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Kreu i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi përballet me vetingun

Gjatë seancës dëgjimore, Ajazi dha shpjegime për dy çështje të hetuara prej tij, ndërkohë që KPK nuk relatoi probleme domethënëse me pasurinë dhe figurën.

Prokurori Kreshnik Ajazi (djathtas) pas seancës dëgjimore me KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi u përball të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore u evidentuan gjetjet e hetimit administrativ në të tre kriteret e rivlerësimit.

Trupi gjykues që po kryen procesin e vetingut për prokurorin Ajazi kryesohet nga Roland Ilia, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Genta Tafa Bungon. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Kreshnik Ajazi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe pas një periudhe stazhi në prokurorinë e Tiranës, u emërua në Prokurorinë e Vlorës. Më vonë ai u transferua në Prokurorinë e Tiranës dhe në vitin 2019 u komandua si drejtues në Elbasan. Më 26 mars 2021, Ajazi u caktua nga Këshilli i Lartë i Pokurorisë si drejtues i Prokurorisë së Elbasanit me një mandat 3 vjeçar.

Gjatë seancës dëgjimore të premten nuk u evidentuan probleme domethënëse për pasurinë dhe pastërtinë e figurës, ndërkohë që prokurori Ajazi u pyet dhe dha shpjegime për disa çështje të hetuara prej tij.

Komisioni nuk ka gjetur probleme në disa llogari rrjedhëse të deklaruara prej Ajazit, si dhe për dy depozita – një në shumën 50 mijë lekë të hapur në emër të tij nga e ëma në vitin 1997 si dhe një depozitë tjetër pa afat në shumën 17 500 euro. Për këtë të fundit, Ajazi ka deklaruar si burime krijimi kursimet në cash nga viti 2007 e në vijim.

Relatorja Bekteshi tha se për shkak se Ajazi figuron në të njëjtën certifikatë familjare me prindërit dhe vëllanë, në analizën financiare për periudhën 2009-2016 janë përfshirë të ardhurat dhe shpenzimet e përbashkëta, prej nga ka rezultuar se subjekti ka pasur mundësi të kursejë shumën e depozituar.

Ndërkohë, prindërit e subjektit kanë rezultuar në pamundësi për dhurimin e vlerës 200 mijë lekë në vitin 2009, pasi kanë rezultuar me balancë negative në shumën 549 mijë lekë. Sipas Bekteshit, subjekti ka shpjeguar se prindërit kanë pasur në atë periudhë edhe të ardhura të siguruara nga punësimi i vëllait në emigrim, në Greqi dhe në Kanada.

Komisioni nuk ka gjetur probleme edhe në pasuritë e familjarëve. Sipas Bekteshit, vëllai i subjektit ka pasur mundësi të blejë një autoveturë tip “Benz” në shumën 850 mijë lekë në vitin 2014, si burim krijimi të cilës është deklaruar një kredi në vlerën 1 milion lekë e marrë nga nëna e tyre. Komisionit i ka rezultuar se vëllai i subjektit ka pasur burime të ligjshme edhe për krijimin kursimeve cash në shumën 5000 euro.

Për një truall me sipërfaqe 293 m2 dhe një shtëpi njëkatëshe në Tiranë që e zotëron familja Ajazi, subjekti ka deklaruar se punimet për banesën kanë nisur në vitin 1996 dhe kanë përfunduar në 1999-ën, ndërsa në vitin 2005 ishte aplikuar për legalizimin e objektit.

Bekteshi tha se kjo pasuri ka rezultuar se është krijuar para fillimit të detyrës nga prokurori Ajazi dhe se në veprimet e të atit për ndërtimin dhe legalizimin nuk janë gjetur probleme.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK i ka vendosur Komisionit në dispozicion të dhëna të reja për Ajazin dhe ka kërkuar vlerësimin e tyre. Vetë DSIK e ka vlerësuar Ajazin të përshtatshëm për vazhdimin e detyrës në të dy raportet.

Nisur nga këto informacione, Bekteshi tha se prokuori Ajazi është pyetur lidhur me kërkesën për lehtësimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “detyrim paraqitje” për shtetasit S.M. dhe A.M., të ndaluar pasi në pronën e tyre është gjetur një armë me të cilën ishte kryer një vrasje. Relatorja vërejti se vetë Prokuroria i cilësonte këta persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe njëri kishte rezultuar me precedentë penalë të mëparshëm.

“Subjekti ka thënë se ndryshimi është kërkuar pas kryerjes së analizës së çështjes,” pohoi Bekteshi.

Në fillim të fjalës së tij, prokurori Kreshnik Ajazi deklaroi dakordësinë me rezultatet e hetimit administrativ. Në shpjegimet e tij ai u ndal fillimisht në çështjen lidhur me ndryshimin e masave të sigurisë ndaj S.M. dhe A.M..

Ai solli në vëmendje se çështja është ende në hetim dhe për këtë arsye, nuk mund të jepte shpjegime të hollësishme. Ajazi deklaroi se kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë kishte ardhur pasi ishte kryer një analizë e rrethanave të ngjarjes.

Sipas subjektit, arma e zjarrit me të cilën ishte kryer një vrasje dyshohej se ishte vendosur në ambjentet që zotërojnë S.M. dhe A.M. me qëllim devijimin e hetimeve.

I pyetur nga Bekteshi lidhur me situatën e vendimarrjes për kërkesën për lehtësimin e masës së sigurisë për këta dy persona, ndërkohë që vetë prokuroria i konsideronte me rrezikshmëri të lartë shoqërore, Ajazi deklaroi se ishin të detyruar që të bazoheshin tek provat, pavarësisht se çfarë përfaqësonin subjektet nën hetim.

Ai shtoi se vendimarrja për lehtësimin e masës së sigurisë ishte kryer pasi ishin verifikuar pamjet filmike si dhe tabulatet telefonike të dy të ndaluarve. “Sendi u gjend 7 ditë pas ngjarjes, 50 kilometra larg vendit të ngjarjes. Se si policia shkoi tek ky send, është ende edhe sot objekt hetimi,” pohoi Ajazi dhe shtoi se arma ishte pastruar, pasi nuk gjendej asnjë gjurmë.

Nga hetimi administrativ i kryer prej Komisionit për profesionalizmin është konstatuar se vendimet e marra nga prokurori Ajazi janë lënë në fuqi.

Ndërkohë, nga verifikimi i ankesave ndaj prokurorit Ajazit, Komisioni ka evidentuar një çështje të vitit 2012 lidhur me një hetim ndaj tij për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Bekteshi sqaroi se në atë periudhë, Ajazi është pezulluar nga detyra, por pas pushimit të çështjes nga Prokuroria e Fierit, Ajazi ishte kthyer në detyrë.

Sipas Bekteshit, një tjetër kallëzim ndaj prokurorit për “falsifikim” dhe “shpërdorim detyre” është kryer nga ish-prokurori Dritan Gina, por çështja është pushuar nga Prokuroria e Tiranës. Në seancë u tha se nga verifikimi i akteve të kësaj dosje nuk janë gjetur probleme.

Ndërkohë, gjatë seancës dëgjimore u evidentuan 13 denoncime nga publiku, për pjesën më të madhe të së cilave nuk janë gjetur indicie.

Në fund të seancës dëgjimore, Ajazi kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 30 qershor, ora 09:30.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *