Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Kryegjyqtari i Shkodrës përballet me akuza për pasurinë dhe përfshirje në korrupsion

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi një sërë problemesh me pasurinë, ndërkohë që DSIK e konsideroi gjyqtarin Arben Zefi “të përfshirë në korrupsion dhe në lirimin e një të dënuari”. Gjyqtari i kundërshtoi gjetjet e KPK-së dhe e cilësoi raportin e DSIK të paligjshëm.

Kryetari i Gjykatës së Shkodrës, Arben Zefi dhe avokati i tij, Ardian Visha para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto: Edmond Hoxhaj

Kryetari i Gjykatës së Shkodrës, Arben Zefi u përball të martën me akuza për fshehje pasurie dhe përfshirje në korrupsion në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese e përbërë nga Firdes Shuli kryesuese, Roland Ilia, relator dhe Etleda Çiftja, anëtare e njohën gjyqtarin Zefi me rezultatet e hetimit administrativ që ndonëse kishte nisur për të tre kriteret, u mbyll vetëm për dy prej tyre.

Gjatë seancës që zgjati më shumë se dy orë, gjyqtari Arben Zefi kundërshtoi gjetjet e Komisionit. Në këtë seancë ai u përfaqësua nga avokati Ardian Visha.

Relatori i çështjes, Roland Ilia u shpreh se sipas Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, gjyqtari Zefi kishte kryer deklarim të saktë dhe kishte burime të ligjshme. Por hetimi i pavarur i kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka nxjerrë konkluzione të ndryshme nga ILDKPKI.

KPK ka konstatuar se gjyqtari Zefi nuk kishte burime të ligjshme për blerjen e një apartamenti

132.8 m2 në Shkodër për rreth 4.3 milionë lekë në vitin 2005. Problematik është konstatuar edhe deklarimi për blerjen e një autoveture tip BMË në vitin 2007, ku nuk është përshkruar vlera e makinës dhe burimi i parave.

Sipas KPK, ai ka përdorur dokumente të pasakta për këtë makinë dhe e ka shitur atë pa pasur pronësinë. Komisioni ka konkluduar se Zefi nuk kishte të ardhura për blerjen e makinës tip BMË.

KPK ka konstatuar gjithashtu se Zefi nuk kishte pasur të ardhura të mjaftueshme edhe për blerjen e një autoveture tip “Benz” në Durrës në vitin 2010. Nga hetimi administrativ ka konkluduar se Zefi nuk kishte të ardhura që të përballonte blerjen e makinës në vlerën 500 mijë lekë, ndërkohë që shkëmbimi i kësaj makine me një tjetër të markës “Volksëagen Passat” është cilësuar i pajustifikueshëm.

Përveç mungesës së burimeve të ligjshme për pasuritë e mësipërme, Komisioni ka vlerësuar se subjekti kishte përfituar padrejtësisht 800 mijë lekë nga Enti i Banesave si i pastrehë. Ndërkohë, ka rezultuar se Zefi nuk kishte deklaruar dhënien e 50 mijë eurove një kompanie për përfitim të pasurive të paluajtshme dhe nuk ka dorëzuar dokumente për këtë marrëveshje.

Me kompaninë në fjalë, sipas Komisionit, gjyqtari ishte edhe në kushtet e konfliktit të interesit, pasi ka shqyrtuar një çështje gjyqësore ku kjo kompani ishte palë, ndërkohë që ka qenë në marrëdhënie me të.

Probleme të tjera u konstatuan me mosdeklarimin e llogarive në një bankë të nivelit të dytë, deklarime të pamjaftueshme me huatë e dhëna vëllait në Itali, mosdeklarimin e pasurisë së trashëguar nga ish-bashkëshortja dhe mosdeklarimin e marrjes së 100 mijë eurove nga një shtetas.

Përfshirje në korrupsion

Relatori Roland Ilia pohoi se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, ka paraqitur raportin e saj, ku thuhet se disponon të dhëna se gjyqtari Zefi është përfshirë në veprimtari të paligjshme, të tilla si korrupsioni pasiv si edhe është përfshirë në lirimin e një personi të dënuar për vepër penale. DSIK ka vlerësuar se gjyqtari Arben Zefi është i papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës.

Ndërkohë, Komisioni ka kryer verifikim të pavarur dhe ka konstatuar se Zefi kishte kontakte të papërshtatshme me persona me lidhje me krimin e organizuar dhe se ishte i përfshirë në korrupsion.

Pretendimet e gjyqtarit

Kryetari i Gjykatës së Shkodrës i kundërshtoi gjetjet e KPK-së për pasurinë dhe pretendoi se kishte pasur burime të ligjshme për pasurinë e tij. Ai e cilësoi të padrejtë konstatimin e Komisionit për mungesë burimesh të ligjshme në blerjen e apartamentit, duke thënë se kishte si burim të ardhurat nga paga e tij dhe e bashkëshortes në vlerën e 1.9 milionë lekëve si dhe pjesën tjetër nga shitja e një apartamenti 1+1 në korrik të vitit 2005.

Sipas Zefit, të ardhurat nga viti 1998 deri në vitin 2005 kanë qenë 7 milionë lekë dhe 6 mijë USD, që sipas tij e tejkalojnë dyfish vlerën e apartamentit.

“Paratë në bankë janë krijuar vetëm nga pagat dhe kjo gjë është e verifikueshme,” pohoi ai. Gjyqtari Zefi u ndal edhe në konstatimin e Komisonit për përfitim të padrejtë nga subvencionimi për të pastrehët. Ai shpjegoi se kur nisi punë në vitin 1994, ai ishte i pastrehë dhe aplikimin e kishte bërë pasi u transferua nga Lezha në Shkodër. Sipas gjyqtarit Zefi, në atë kohë familja përbëhej nga 8 persona dhe vlera 800 mijë lekë e përfituar ishte minimumi i mundshëm.

Për makinën tip BMË ai pohoi se e kishte marrë në përdorim me premtimin për t’u shitur nga një person që jetonte në Itali, i cili ishte i njohur i vëllait të tij. Sipas Zefit, personi në fjalë ka ardhur pas një viti dhe kanë kryer kalimin e pronësisë dhe zhdoganimin.

“Zhdoganimi ishte i saktë dhe me këtë makinë kam udhëtuar edhe jashtë shtetit dhe nuk kam pasur asnjëherë probleme,” tha Zefi. Në vitin 2009, ai e kishte lënë makinën në një servis dhe aty e kishin përdorur makinën e tij, që ishte përfshirë në një aksident. Zefi shpjegoi se pas aksidentit e kishte ritarguar makinën dhe në fund ia kishte dhënë një të afërmi.

Në vitin 2010, përdoruesit i kishin thënë se makina ishte e vjedhur dhe në vitin 2011 u mor i pandehur personi që kishte falsifikuar dokumentet.

“Edhe pse isha gjyqtar, nuk kam ndërhyrë apo ndikuar dhe personi që kishte falsifikuar dokumentet është dënuar. Edhe në sistem makina rezulton se nuk ka qenë e vjedhur. Për mundësinë e të ardhurave, atë vit shitëm apartamentin 1.9 milionë lekë dhe njëkohësisht ishte edhe paga ime dhe e bashkëshortes,” u shpreh ndër të tjera Zefi.

Të njëjtin qëndrim mbajti më pas edhe përfaqësuesi ligjor i gjyqtarit Arben Zefi, avokati Ardian Visha, i cili pohoi se klienti i tij, edhe pse ishte gjyqtar, nuk ka ndikuar në procesin ndaj vëllait të tij për falsifikim.

Ndërsa lidhur me shumat e tërhequra nga vëllai i vogël nëpërmjet kartës së debitit në Trento të Italisë, gjyqtari Zefi u shpreh se këto para janë nisur nga motra e tyre që jeton dhe punon Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai theksoi se për këtë gjë kishte depozituar deklaratat e motrës dhe të vëllait.

Edhe për blerjen e mjetit tip “Mercedez” në vlerën 500 mijë lekë në vitin 2009, Zefi këmbënguli se kishin pasur të ardhura të mjaftueshme. “Nëse krahasohen të ardhurat me shpenzimet dal plus 3 mijë e 900 lekë”, pohoi ai.

“Kam pasur fuqi likujduese dhe të ardhura të mjaftueshme e të ligjshme, pasi janë lehtësisht të verifkueshme nga paga ime dhe e bashkëshortes”, ritheksoi ai.

Lidhur me 50 mijë eurot që i kishte dhënë një kompanie, ai shpjegoi se i kishte marrë kredi dhe kishte menduar së bashku me bashkëshorten të investonin në pasuri të paluajtshme. Zefi pohoi se e kishin konsideruar këtë veprim si një mundësi kursimi.

Ai kundërshtoi edhe konfliktin e interesit gjatë gjykimit të një çështjeje me palë kompaninë.

“Në fakt, edhe me palën tjetër “ÇEZ-Shpërndarje” kisha marrëdhënie pasi isha klient i saj,”, pohoi gjyqtari Zefi.

Lidhur me raportin e DSIK, gjyqtari Arben Zefi pretendoi se informacionet denigronin figurën e tij në mënyrë të paligjshme dhe të padrejtë.

Ai pohoi se është në kundërshtim me ligjin që të ketë dy raporte të DSIK, me numra të ndryshëm protokolli, të cilat bien ndesh me njëra- tjetrën. Sipas Zefit, në raportin e parë konstatohej përshtatshmëria e tij në detyrë, ndërsa në të dytin ishin shtuar informacione që përbaltnin figurën e tij, pa pasur prova dhe të pabazuara në legjislacion.

“Ky dokument nuk është i bazuar në ligj, pasi nuk është ndërtuar sipas strukturës ligjore. Pse nuk bëhen të ditura provat, jo burimi, por provat,” pyeti ai.

Pas shpjegimeve të tij, Zefi i kërkoi Komisionit të Pavarur të Kualifikimit konfirmimin në detyrë. Vendimi për kryegjyqtarin e Shkodrës u vendos të shpallet më 10 janar, ora 12.00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *