Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Kryegjyqtarja e Pogradecit, Emona Muçi përballet me vetingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti pikëpyetje për blerjen dhe përdorimin nga ana e gjyqtares Emona Muçi të një makine të paregjistruar. Ajo tha se i kishte dhënë shpjegimet me shkrim dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.  

Kryetarja e komanduar e Gjyaktës së Pogradecit, Emona Muçi para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Blerja dhe përdorimi i një automjeti të paregjistruar nga kryetarja e komanduar e Gjykatës së Pogradecit, Emona Muçi ka ngritur pikëpyetje gjatë seancës dëgjimore të së martës në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku ajo u përball me procesin e vetingut për të tre kriteret e rivlerësimit.

Makina e markës “Volksëagen Golf” është blerë në vitin 2013 për 350 mijë lekë, por Komisioni i drejtoi gjyqtares Muçi pyetje mbi arsyet se pse kjo makinë figuron e paregjistruar. E pranishme në seancë pa praninë e një avokati, gjyqtarja Muçi tha se shpjegimet ia kishte dorëzuar Komisionit me shkrim. Gjatë fjalës së saj, ajo nuk dha shpjegime të tjera mbi çështjen.

Emona Muçi e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 2012, fillimisht në Gjykatën e Tiranës dhe më pas në atë të Dibrës. Përgjatë dy viteve, ajo ka punuar si ndihmëse ligjore pranë Gjykatës së Lartë dhe në vitin 2016 është komanduar në krye të Gjykatës së Pogradecit.

Gjyqtarja iu nënshtrua procesit të rivlerësimit për pasurinë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Hetimi administrativ u krye nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Suela Zhegu, me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Brunilda Bekteshi.

Sa i përket kriterit të pasurisë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit hetoi përveç makinës edhe blerjen e një apartamenti në Tiranë me sipërfaqe 86.7 metra katrorë, në bashkëpronësi me të motrën. Burimi i kësaj pasurie, sipas gjyqtares Muçi janë kursimet e saj dhe të motrës, një kredi bankare prej 43 mijë eurosh dhe një hua prej 5 mijë eurosh.

“Komisioni hetoi mbi mundësitë financiare të të afërmit të gjyqtares për të dhënë 5 mijë euro hua. Subjekti i rivlerësimit paraqiti dokumente dhe shppjegime, të cilët janë analizuar nga Komisionit,” tha relatorja Pine në seancë. Ajo nënvizoi gjithashtu se gjyqtarja dhe motra e saj kanë pasur burime të ligjshme për kursimet e deklaruara.

Kryegjyqtarja e Pogradecit ka marrë raporte pozitive nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe Inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Por Komisioni i kaloi Znj. Muçi barrën e provës për një denoncim të mbërritur në adresë të saj, përmes së cilës akuzohej për shkelje të normave dhe të etikës gjatë komunikimit me palët në proces. Një denoncim i dytë i mbërritur në adresë të saj u gjykua se nuk përmbante indicie për hetim.

Gjatë fjalës së saj para Komisionit, Muçi tha se u qëndronte shpjegimeve të dhëna me shkrim për Komisionin e Pavarur të Kualikifimit.

“Gjatë punës sime jam udhëhequr nga ligji dhe jam munduar që të mbroj të drejtat e palëve në proces,” tha ajo, duke kërkuar konfirmimin në detyrë.

Në fund të seancës së shkurtër dëgjimore, kryesuesja e trupës gjykuese tha se vendimi do të shpallej në 13 Dhjetor, ora 9.00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *