Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Kryegjyqtarja e Pogradecit mban detyrën, por referohet për inspektim

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të konfirmojë në detyrë kryetaren e komanduar të Gjykatës së Pogradecit, Emona Muçi por një denoncim për shkelje etike në adresë të saj do të ndiqet nga organet përkatëse.  

Kryetarja e komanduar e Gjyaktës së Pogradecit, Emona Muçi para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Kryetarja e komanduar e Gjykatës së Pogradecit, Emona Muçi u konfirmua në detyrë të enjten, ndërkohë që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi t’i referojë organeve përkatëse një denoncim për shkelje të normave dhe etikës në adresë të saj.

Vendimi u shpall nga trupa gjykuese e kryesuar nga Suela Zhegu, me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Brunilda Bekteshin.

Emona Muçi e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 2012, fillimisht në Gjykatën e Tiranës dhe më pas në atë të Dibrës. Përgjatë dy viteve, ajo ka punuar si ndihmëse ligjore pranë Gjykatës së Lartë dhe në vitin 2016 është komanduar në krye të Gjykatës së Pogradecit.

Gjatë seancës dëgjimore, gjyqtarja Muçi u përball me pikëpyetje për blerjen dhe përdorimin e një makine të paregjistruar si dhe me mundësinë financiare të një të afërmi, i cili i kishte dhënë 5 mijë euro hua për blerjen e një apartamenti.

Sipas relatores, gjyqtarja Muçi kishte paraqitur dokumente dhe shpjegime. Gjithashtu, asaj i kaloi barra e provës për denoncimin e një qytetareje, që e akuzonte Muçin për shkelje të normave dhe të etikës në komunikim gjatë një procesi gjyqësor.

Gjyqtarja nuk dha shpjegime mbi denoncimin në seancën publike, por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur ta referojë atë, me gjasë në institucionin  më të ri të krijuar, Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Gjatë seancës dëgjimore, Muçi tha se gjatë punës së saj në gjyqësor ishte udhëhequr nga ligji.

“Gjatë punës sime jam udhëhequr nga ligji dhe jam munduar që të mbroj të drejtat e palëve në proces,” deklaroi ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *