Kryetari i Gjykatës së Fierit, Roland Jaupaj shkarkohet në veting

Lajme
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin nga detyra të Jaupajt, pas probleme të konstatuara me pasurinë dhe një rast të dyshuar të konfliktit të interesit.

Kryetari i Gjykates se Fierit, Roland Jaupaj pas seances degjimore ne KPK. Foto: Edmond Hoxhaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin nga detyra të kryetarit të Gjykatës së Fierit, Roland Jaupaj të martën, ndërkohë që ky i fundit nuk ishte i pranishëm në sallë. Vendimi u shpall nga trupi gjykues i drejtuar nga Genta Tafa Bungo, me relatore Pamela Qirko dhe anëtare Etleda Çiftja.

Ndonëse arsyet e shkarkimit do të jepen në vendimin e argumentuar, KPK paralajmëroi gjatë seancës dëgjimore me gjyqtarin Jaupaj të hënën probleme me pasurinë si dhe një rast të dyshuar të konfliktit të interesit. Sipas KPK-së, gjyqtari jetonte në një apartament 170 m2 të blerë nga babai i tij për 3.6 milionë lekë nga një kompani ndërtimi që ishte palë në një proces gjyqësor të drejtuar nga Jaupaj.

Sipas relatores Pamela Qirko, në këtë periudhë rezulton se Jaupaj ka shqyrtuar çështjen gjyqësore me palë Bashkinë e Fierit dhe Shoqërinë ndërtuese M.Sh.P.K.,  cila ka ndërtuar pallatin ku gjendet edhe apartamenti me sipërfaqe 170 m2 dhe garazhi 22 m2, të blera prej babait të subjektit të rivlerësimit.

Komisioni evidentoi faktin se Gjykata e Fierit ka rrëzuar kërkesë- padinë e bashkisë që kërkonte pezullimin e lejes së ndërtimit, duke i dhënë të drejtë kompanisë M. Sh.P.K. e cila ka ndërtuar pallatin ku gjendet edhe apartamenti ku jeton gjyqtari Jaupaj.

Qirko pohoi se babai i tij ka pasur trajtim preferencial nga firma ndërtuese dhe se duket që ka pasur garanci për këtë pasuri.

“Çmimi është dukshëm më i ulët nga ai i tregut,” theksoi relatorja Qirko.

Përveç këtij rasti, KPK evidentoi probleme edhe në pasurinë e deklaruar nga bashkëshortja e gjyqtarit si dhe mungesë burimesh për të.

Gjyqtari Roland Jaupaj në fjalën e tij pohoi se trupa gjykuese është njohur me dokumentet e vëna në dispozicion prej tij, duke pasur mundësi të verifikojë për të në të gjitha aspektet.

“Kam bërë një jetë të thjeshtë dhe kam respektuar gjithmonë ligjin. Nuk kam fshehur asnjëherë asnjë të dhënë. Komisioni t’i vlerësojë që s’kam kryer fshehje dhe se kam burime të ligjshme”, pohoi gjyqtari Jaupaj.