Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

KSHH bën bilancin e vetingut: U rivlerësua vetëm 1/8 e subjekteve

Komiteti Shqiptar i Helsinkit analizon vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe ato të Kolegjit të Apelimit përgjatë një viti. 53% e gjyqtarëve dhe prokurorëve u shkarkuan ose dhanë dorëheqjen.  

Gjyqtarët Lulzim Hamitaj, Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko, gjatë një seance në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK | Foto : LSA

Komiteti Shqiptar i Helsinkit deklaroi të premten se procesi i vetingut në Shqipëri po ecën ende me ritme të ngadalta, duke rivlerësuar përgjatë një viti vetëm 1/8 e subjekteve të parashikuara nga ligji. Përmes një deklarate për mediat, KSHH vlerësoi megjithatë se procesi ka arritur tashmë disa objektiva të rëndësishëm.

“Procesi i vettingut, edhe pse deri tani ka ecur me ritme të ngadalta, ka arritur një sërë objektivash të rëndësishëm. Kjo duket nga të dhënat e vitit të parë të veprimtarisë së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit,“ thuhet në deklaratën për shtyp të KSHH-së.

Analiza e Komitetit Shqiptar të Helsinkit ka përfshirë vendimarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për periudhën 1 shkurt 2018-31 janar 2019. Gjatë kësaj periudhë janë vetuar rreth 12.5% e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërkohë që mandati i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është pesë vjet.

KShH është ndalur edhe në mospërfundimin e procesit të vettingut për disa nga subjektet që i cilëson prioritarë, përkatësisht për 5 anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe 1 kandidat për Inspektor të Lartë të Drejtësisë.

Sipas statistikave të përpunuara nga KShH, bazuar në vendimet e arsyetuara të KPK-së rezulton se deri tani janë dorëhequr 15 subjekte të vetingut. Ndërkohë  rezulton se për këtë periudhë janë dhënë 34 vendime shkarkimi.

“Këto së bashku me numrin e subjekteve të dorëhequr përbëjnë 53% të subjekteve të vetuar gjatë vitit të parë, që largohen nga sistemi i drejtësisë si rezultat i vendimmarrjes në shkallë të parë,” thuhet në deklaratën e KSHH.

Vendimet e shkarkimit janë dhënë për 12 gjyqtarë, 12 prokurorë, 5 anëtarë të Gjykatës së Lartë, 4 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe një ndihmës ligjor pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë,”  thuhet në njoftim.

Aty cilësohet se pjesa më e madhe e shkarkimeve ka qenë e lidhur me kriterin e pasurisë dhe vetëm në një rast shkarkimi është bërë vetëm për “kontaktet e papërshtatshme” me krimin e organizuar. Sipas KSHH, asnjë subjekt nuk rezulton të jetë shkarkuar posaçërisht vetëm për kriterin e aftësive profesionale, pavarësisht nga numri i lartë i denoncimeve që ka patur publiku për një pjesë të tyre.

Gjatë vitit të parë të punës, KPK ka konfirmuar në detyrë 42 gjyqtarë dhe prokurorë.

Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit gjatë kësaj periudhe janë kryer 47 ankime, nga të cilat në 29 raste nga vetë subjektet e rivlerësimit dhe 18 të tjerë nga Komisioneri Publik.

KShH vlerëson se edhe ritmet e shqyrtimit të çështjeve në KPA nuk rezultojnë të jenë dinamike. Kështu, për periudhën e sipërcituar, rezulton se KPA ka dhënë 11 vendime të arsyetuara, ku në shumicën e rasteve, për 8 prej tyre është vendosur lënia në fuqi e vendimeve të KPK-së, në 2 raste është vendosur ndryshimi i vendimit dhe në 1 rast, subjekti ankues është tërhequr nga e drejta e ankimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *