Luan Hasneziri dështoi të provonte burimet e apartamentit edhe në KPA

Uncategorized
Ish-gjyqtari i ish-Gjykatës për Krime të Rënda, Luan Hasneziri u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK më 26 qershor të vitit 2019, me argumentin se nuk arriti të provojë burimin e ligjshëm të pronës së vetme të paluajtshme që zotëronte, një apartamenti me vlerë 5.9 milionë lekë. Sipas KPK-së, ish-gjyqtari kishte dhënë tre alternativa të ndryshme të shlyerjes së çmimit të apartamentit.

Gjithashtu, u konsiderua se Hasneziri gjendej në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm për shkak të mosdeklarimit të të drejtës reale të përdorimit të një automjeti gjatë periudhës 2012-2016, si dhe për pasaktësitë në e deklarimeve të gjendjes cash në vite dhe në atë veting. Për kriterin e dytë për të cilin u hetua, atë të pastërtisë së figurës, u konkludua se kishte arritur nivel të besueshëm.

Hasneziri e ankimoi vendimin e Komisionit duke e konsideruar absolutisht të pavlefshëm dhe të marrë në shkelje të parimeve të procesit të rregullt ligjor e procedurave, pa u analizuar provat e paraqitura prej tij.

Kolegji ka rrëzuar kërkesën për marrjen në cilësinë e provës të akteve bashkëngjitur ankimit, pasi sipas trupit gjykues, subjekti nuk ka provuar se këto dokumente nuk janë paraqitur gjatë hetimit administrativ në KPK, pa fajin e tij. Po ashtu, trupi gjykues ka konkluduar se janë të parëndësishme për zgjidhjen e çështjes.

KPA ka rrëzuar pretendimet e subjektit për mosofrim të procesit të rregullt ligjor, si dhe i ka çmuar të pabazuara pretendimet për mosanalizimin e provave të paraqitura prej tij, pasi në vendimin e arsyetuar të Komisoionit ka rezultuar se aktet në fjalë janë shqyrtuar.

Mungesa e burimeve

Hasneziri ka pretenduar se Komisioni ka kryer shkelje ligjore lidhur me vlerësimin e gabuar të gjendjes faktike në lidhje me apartamentin me sipërfaqe 135 m2 në Tiranë, duke moskonsideruar kontratën e shitblerjes së kësaj prone si të lidhur në rrethana të veçanta, pasi të dy palët njiheshin dhe kishin besim te njëri-tjetri.

Sipas tij, vlerësimi si alternativë e vetme për pagimin totalisht të çmimit versioni formal që parashikon kontrata e shitblerjes “se çmimi është paguar para lidhjes së kontratës jashtë zyrës noteriale”, e ka çuar Komisionin në përfundim të gabuar. Hasneziri ka këmbëngulur se nuk është e vërtetë që çmimi të jetë shlyer i gjithi në një moment.

Po ashtu, ai kundërshton qëndrimin e KPK, se dhe nëse do të pranohej alternativa e subjektit për shlyerjen e kësteve të pasurisë, sërish rezultonte me balancë negative. Hasneziri vëren se në këtë rast balanca negative do të ishte 386 mijë lekë, që bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit, nuk mund të shërbente si shkak shkarkimi.

Për të vërtetuar pretendimet e tij, Hasneziri ka dorëzuar si provë gjatë hetimit administrativ një deklaratë noteriale të përfaqësuesit të palës shitëse, ku theksohet se dinamika e pagesës së çmimit të apartamentit ka qenë e njëjtë me atë të shpjeguar përgjatë procesit të rivlerësimit nga subjekti dhe jo sipas kontratës.

Për shkak se përfaqësuesi i palës shitëse ka qenë një ish-subjekt rivlerësimi, Kolegji, si edhe Komisioni, ka marrë në konsideratë edhe deklarimet e këtij të fundit lidhur me modalitetet e pagesës së kësaj prone, të cilat ai i ka kryer përgjatë procesit të tij të rivlerësimit.

“[…]Shtetasi Luan Hasani më ka kontaktuar mua duke më bërë të ditur se kishte siguruar paratë për blerjen e banesës dhe menjëherë pas kësaj, ndërsa isha i pajisur me prokurë nga pronarët e apartamentit, A. P. dhe S. H., unë kam lidhur në emër dhe për llogari të tyre kontratën e shitjes nr. {***}, datë 12.12.2006. Çmimi i shitjes së banesës, prej 5.900.000 lekësh, është paguar cash nga ana e blerësit Luan Hasani”, ka deklaruar përfaqësuesi i palës shitëse gjatë procesit të tij të rivlerësimit.

Sipas trupit gjykues, ky element i shton besueshmëri kontratës së shitblerjes për sa i përket momentit dhe mënyrës së pagimit të çmimit të blerjes. Kolegji e gjen të drejtë qëndrimin e mbajtur nga Komisioni se analiza financiare për vitin 2006 duhet të kryhet duke konsideruar të paguar të gjithë çmimin e blerjes prej 5.9 milionë lekësh para datës së lidhjes së kontratës në dhjetor të atij viti, duke e konsideruar këtë version si të vetmin të bazuar në prova.

Nga analiza financiare e kryer sipas pëcaktimeve të kontratës së shitblerjes, ka rezultuar balancë negative në shumën 4.6 milionë lekë.

Ashtu si Komisioni, edhe Kolegji nuk i ka konsideruar pretendimet e subjektit se të ardhurat e vëllait nga emigracioni kanë shërbyer për pagesën e çmimit të apartamentit.

Në ankim, Hasneziri ka pretenduar se është një e vërtetë e pamohueshme që vëllai i tij, A. H., ka punuar në Greqi dhe ka kursyer para nga puna e tij si emigrant, nga viti 1995 deri në vitin 2006, të paktën në vlerën 5,9 milionë lekë, por për shkaqe objektive e ka të pamundur të paraqesë dokumentacionin nga organet fiskale greke që të provojë të ardhurat neto dhe mënyrën e kryerjes së pagesave mujore.

Trupi gjykues i KPA vëren se nga aktet e përcjella në Komision nga subjekti, rezulton se për periudhën e punësimit që vëllai i tij figuron me dokumentacion të rregullt, ka realizuar të ardhura në shumën afro 1.5 milionë lekë. Në këto kushte, shuma 5.9 milionë lekë e pretenduar ka mbetur e pajustifikuar.

Në përfundim të shqyrtimit të të gjitha pretendimeve të subjektit në drejtim të burimeve të krijimit të apartamentit prej 135 m2 në Tiranë, Kolegji arrin në konkluzionin se nuk provohet se blerja e kësaj pasurie të jetë realizuar me të ardhurat e deklaruara nga Hasneziri, një kredi e marrë në Raiffaisen Bank dhe huaja e vëllait të tij, A.H..

Kolegji vëren se kredia është marrë prej subjektit në janar të vitit 2007 dhe jo në dhjetor të 2006-ës, si dhe është disbursuar në favor të vëllait të tij A.H., ndërkohë që të ardhurat e pretenduara të këtij të fundit nga puna në emigracion kanë mbetur të paprovuara.

Qëndrimet ndryshe

Kolegji ka shqyrtuar edhe shkaqet e tjera të ankimit kundër konkluzioneve të Komisionit për përdorimin e automjetit tip Benz dhe kursimet cash ndër vite.

Ndryshe nga KPK që ka konkluduar se subjekti ka kyer deklarim të pamjaftueshëm në rastin e mosdeklarimit të përdorimit të automjetit Benz, pasi nuk e ka pasqyruar në deklaratat periodike si dhe nuk ka provuar mundësinë e pronarit të makinës për blerjen e saj, Kolegji vëren se kjo gjetje nuk mund të konsiderohet shkarkuese.

Duke iu referuar përcaktimeve të nenit D, pika 5 e Aneksit të Kushtetutës dhe të nenit 31 të ligjit nr. 84/2016, sipas të cilave objekt i kontrollit për procesin e rivlerësimit kalimtar është deklarata ‘veting’, KPA çmon se pasaktësitë e konstatuara në deklarimet periodike nuk mund të shërbejnë për t’u kualifikuar si deklarime të pamjaftueshme në lidhje me kriterin e kontrollit të pasurisë dhe si shkak shkarkimi.

Kolegji vëren se megjithëse Komisioni e ka konsideruar pronarin e mjetit si person tjetër të lidhur nuk rezulton që subjektit t’i jetë kaluar barrë prove për ndonjë rrethanë që mund të çonte te hipoteza e një pasurie të fshehur.

Ndërkohë, trupi gjykues sjell në vëmendje se parashikimet ligjore përcaktojnë person të lidhur personat me të cilët ekziston një marrëdhënie huadhënieje, huamarrjeje apo dhurimi dhe shton se në këto raste subjekteve të rivlerësimit do tu duhet të justifikojnë ligjshmërinë e burimeve për këto transaksione.

“Përdorimi i automjetit, si një marrëdhënie huapërdorjeje del jashtë kategorisë së marrëdhënieve të cilat do ta vendosnin shtetasin B. H. në statusin e personit tjetër të lidhur”, çmon Kolegji dhe i konsideron të pabazuara konkluzionet e KPK për këtë situatë.

KPA ka marrë në shqyrtim edhe shkakun e ankimit lidhur me kursimet në cash, për të cilat subjekti pretendon se Komisioni ka kryer shkelje ligjore që lidhen me vlerësimin e gabuar të gjendjes faktike për gjendjen e tyre

Kolegji konstaton se subjekti tenton të përfshijë në analizën e viteve 2003 e 2004 kursime në cash të cilat nuk i ka deklaruar, që në total tejkalojnë edhe vlerën e deklaruar si kursim prej vetë subjektit në 2005-ën.

Trupi gjykues vlerëson se me të drejtë Komisioni nuk ka konsideruar si gjendje cash vlerën prej 1.1 milion lekë të pretenduar nga subjekti në vitin 2005, për sa kohë që nuk është provuar me dokumentacion gjendje e mbartur kursimesh nga dy vitet e mëparshme.

Sipas KPA, duket se deklarimet e subjektit gjatë hetimit administrativ për kursimet cash në vitet 2003 dhe 2004 janë bërë me qëllim justifikimin e aftësisë likujduese për një pjesë të çmimit të blerjes së apartamentit në vitin 2006. Megjithatë, Kolegji konkludon se këto pasaktësi nuk mund të vendosin subjektin në situatën e deklarimit të pamjaftueshëm.

Trupi gjykues ka shqyrtuar dhe shkakun e ankimit kundër konstatimit të KPK-së për pasaktësitë në pasyqrimin e gjendjes cash në deklaratën ‘veting’ dhe ato në vite, deri në 2016-ën.

Sipas KPA, pasaktësitë në deklarimet periodike lidhur me deklarimin e shtimit dhe të pakësimit të kursimeve në cash, nuk mund të ngrihen në nivelin e një shkaku shkarkimi.

Megjithatë, për shkak të pamundësisë së provimit të burimeve të apartamentit, Kolegji ka vendosur në përfundim që të lërë në fuqi vendimin e Komisionit për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Luan Hasneziri.