Gjyqtari i Apelit Shkodër Astrit Kalaja, pas seancës dëgjimore në KPK. Foto:BIRN
Analiza Korrupsioni KPK Në Fokus

Mosdeklarimi i një huaje dhe i parave cash ndanë KPK-në për gjyqtarin Astrit Kalaja

Gjyqtari i Apelit të Shkodrës, Astrit Kalaja u konfirmua në detyrë pasi dy anëtarë të trupës gjykuese i justifikuan mosdeklarimet e gjendjeve në cash si pasaktësi dhe një hua prej 3.3 milionë lekësh si “veprim juridiko-bankar të veçantë”.  Në pakicë, Bekteshi votoi pro shkarkimit.

Gjyqtari i Apelit Shkodër Astrit Kalaja, pas seancës dëgjimore në KPK. Foto:BIRN

Gjyqtari i Apelit të Shkodrës, Astrit Kalaja u konfirmua në detyrë me shumicë votash më 20 dhjetor 2019, pasi kryesuesi i trupës, Olsi Komici dhe relatori Lulzim Hamitaj i justifikuan mosdeklarimet e gjendjeve cash si pasaktësi dhe mospasqyrimin e një huaje prej 3.3 milionë lekësh si “veprim ndërpersonal dhe juridiko-bankar të veçantë”.

Ndryshe nga dy kolegët e saj, anëtarja e trupës gjykuese, Brunilda Bekteshi kërkoi shkarkimin e gjyqtarit Kalaja, duke iu referuar vendimeve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që rrëzon përdorimin e parave cash si burime, kur ato nuk janë deklaruar.

Bekteshi kundërshtoi gjithashtu vlerësimin e shumicës për huanë prej 3.3 milionë lekësh, që u përdor për zëvendësimin e një kolaterali kredie. Bekteshi mban të njëjtin qëndrim me kolegët për kriteret e pastërtisë së figurës dhe profesionalizimit.

Nga hetimi administrativ i Komisionit rezultoi se për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 109.5 m2 dhe vlerë 4.6 milionë lekë në vitin 2009, Kalaja kishte përdorur një kredi prej 3 milionë lekësh. Kredia është garantuar me hipotekën e një apartamenti të mëparshëm, garanci e cila është zëvendësuar nga një depozitë prej 3.3 milionë lekësh të arkëtuar për llogari të gjyqtarit nga shtetasi me inicialet Rr.P.

Sipas vendimit të arsyetuar të KPK-së, nga llogaria e garancisë bankare është tërhequr në vitin 2010 shuma prej 2 milionë lekësh dhe pas shlyerjes së kredisë është tërhequr edhe pjesa e mbetur prej 1.3 milionë lekësh.

Komisioni evidenton gjithashtu se gjyqtari Kalaja nuk e ka deklaruar marrjen e vlerës 3.3 milionë lekë dhe as shlyerjen e saj ndaj shtetasit me inicialet Rr.P.

Shumica në trupin gjykues ka verifikuar marrëdhënien e subjektit me shtetasin Rr.P dhe ka arritur në përfundimin se ky i fundit kishte burime të ligjshme.

Dhënien e shumës 3.3 milionë lekë, shumica nuk e konsideron si një hua të mirëfilltë.

“Komisioni konstaton se gjendemi përballë një veprimi ndërpersonal dhe juridiko-bankar të veçantë, për sa kohë nuk ekzistojnë të gjithë elementët që do ta bënin atë një huadhënie të mirëfilltë,” citohet në vlerësimin e shumicës, ku shtohet se kjo rrethanë evidenton një përfitim indirekt nga Kalaja si edhe detyrimin e tij të kthejë shumën 3.3 milionë lekë.

Komici dhe Hamitaj çmojnë se ndonëse Kalaja duhej që të kishte deklaruar ekzistencën e këtij detyrimi financiar si edhe shuarjen e tij në periudhën përkatëse, nuk mund të penalizohet me largimin nga detyra.

“Trupi gjykues çmon se nisur nga rrethanat specifike, nga fakti që veprimi financiar është pasqyruar qartësisht në përshkrimin e veprimit bankar, mosdeklarimi i detyrimit në fjalë, në këtë rast përbën një pasaktësi që nuk mund të çojë në aplikimin e pikës 3, të nenit 61, të ligjit nr. 84/2016”, thuhet në vendim duke përjashtuar kështu mundësinë e shkarkimit.

Ndërsa anëtarja e trupës gjykuese, Brunilda Bekteshi vlerëson ndryshe.

“Në vlerësim të fakteve dhe provave të disponuara gjatë hetimit, në raport me parashtrimet e subjektit të rivlerësimit, në ndryshim nga shumica, ndaj mendim ndryshe, duke e kualifikuar veprimin e kryer nga shtetasi Rr. P. në favor të subjektit si një marrëdhënie ‘huaje’ dhe jo garanci hipotekore,” argumenton Bekteshi.

Ajo thekson se shuma 3.3 milionë lekë është derdhur cash nga shtetasi Rr. P. në llogari të Kalasë, me përshkrimin “derdhje në llogari për shlyerje kredie” dhe jo për të qenë gjendje në llogari apo që të ngurtësohej si garanci për deri në shlyerjen përfundimtare të kredisë. “Pra, qëllimi i derdhjes së kësaj shume, sikurse konstatohet nga veprimi bankar, është për shlyerje kredie,” konstaton Bekteshi.

Ajo shton se shtetasi Rr.P. nuk pasqyrohet me cilësinë e dorëzanit, ndërkohë që ka rezultuar se shuma nuk ka mbetur e ngurtësuar, por ajo është tërhequr nga vetë gjyqtari Kalaja në datën 8 qershor 2010, në shumën 2 milionë lekë, kohë kur kredia bankare nuk ishte shlyer ende.

Ajo thekson se humarrja legjitimohet edhe nga fakti se shlyerja e shumës 1.3 milionë lekëve ndaj shtetasit Rr. P. vijoi deri në vitin 2013, megjithëse vlera u tërhoq nga gjyqtari Kalaja në shkurt të vitit 2012.

“Të gjithë veprimet e sipërpërmendura tregojnë marrëdhënien e subjektit me këtë shumë dhe me shtetasin Rr. P., duke derivuar një marrëdhënie huaje të pranuar me veprimet e kryera, por të paformalizuar në një akt notarial,” argumenton Bekteshi.

Mosdeklarimi i gjendjes cash

Një tjetër çështje që ka shkaktuar ndasi në argumentimin e trupës gjykuese kanë qenë kursimet e padeklaruara në cash. Sipas Komisionit, gjyqtari Kalaja ka rezultuar me mungesë financiare prej 1.2 milionë lekësh, pa konsideruar shumën prej 3.5 milionë lekësh të përfituar nga shitja e një apartamenti.

Komisioni evidenton faktin se në analizën financiare të kryer nga Njësia e Shërbimit Ligjor janë përllogaritur vetëm shumat e deklaruara nga Kalaja si cash në banesë, që rridhnin nga puna e tij dhe e bashkëshortes.

Komici dhe Hamitaj i kanë gjetur bindëse shpjegimet e Kalasë se shumat 2 dhe 1.5 milionë lekë të tërhequra prej llogarisë bankare në vitin 2008, të cilat ishin depozituar pas shitjes së apartamentit në vlerën 3.5 milionë lekë, nuk ishin pasqyruar prej tij si gjendje cash pasi ishin deklaruar rregullisht si të ardhura vjetore në vitin 2007 kur është kryer shitja. Ata e konsiderojnë si pasaktësi në deklaratën periodike vjetore të vitit 2008, në pjesën e deklarimit cash, mospërfshirjen e shumës në fjalë.

Shumica arsyeton se në rastin konkret mospërfshirja e vlerës 3.5 milionë lekë në analizën financiare do të përbënte penalizim jo të drejtë për Kalanë. “Duke qenë se është provuar burimi i ligjshëm i shumës në fjalë, moskonsiderimi i vlerës 3.5 milionë lekë vetëm për shkak të mosdeklarimit të saj në deklaratat vjetore, do të përbënte një penalizim jo në proporcion me gabimin/mospërmbushjen e detyrimit formal nga subjekti, duke tejkaluar frymën e ligjit nr. 84/2016, që synon ndëshkimin e mungesës së burimeve të ligjshme dhe të pamjaftueshmërisë thelbësore të deklarimeve”, thuhet në vendim.

Komici dhe Hamitaj shtojnë se mospërputhjet e deklarimeve për gjendjet cash gjatë hetimit administrativ nuk mund të sjellin shkarkimin e Kalasë. “Mospërputhjet midis deklarimeve për gjendjen cash me përgjigjet e dhëna nga subjekti në pyetësorin e dytë, ndonëse rrjedhin nga një pasaktësi përllogaritjesh dhe deklarimesh, apo përgjigjesh të kryera nga subjekti i rivlerësimit, nuk mund të përbëjnë në vetvete shkak për shkarkimin e subjektit të rivlerësimit, për sa kohë: (i) nëpërmjet tyre nuk ka rezultuar të jetë tentuar apo të jetë arritur që të mbuloheshin në mënyrë fiktive shpenzime, të cilat më pas, nga analiza financiare do të rezultonin me mungesë të burimeve të ligjshme”, citohet në vlerësimin e shumicës.

Bekteshi në pakicë, konstaton se Kalaja ka qenë i mirënjohur me mënyrën e deklarimit të gjendjes cash. “Fakti që subjekti ka deklaruar si burim krijimi të gjendjes cash të ardhurat nga pagat të tij dhe të bashkëshortes, paga të cilat tërhiqen nëpërmjet sistemit bankar dhe, po në këtë logjikë, edhe të ardhurat nga shitja e shtëpisë në shumën 3.500.000 lekë të tërhequra nga sistemi bankar, do të duhet të ishin deklaruar si gjendje cash, për t’u bërë deklarimi i saktë dhe i vërtetë dhe pranuar si i tillë,” vlerëson ajo.

“Pretendimi i subjektit të rivlerësimit në prapësimet e tij lidhur me gabime njerëzore të bëra si pasojë e kuptimit të gabuar për plotësimin e kërkesave të deklaratave periodike vjetore për çdo vit, nuk mund të pranohej nga shumica, pasi tashmë ky vlerësim është qartësuar, hetuar dhe konsoliduar nga vendimmarrjet e Kolegjit të Apelimit ku, ndër të tjera, Komisioni orientohet se: për zgjidhjen e çështjeve të ngjashme në të ardhmen …të mos prezumohet përdorimi nga subjektet i gjendjeve cash si burime për krijimin e pasurive dhe mbulimin e shpenzimeve, për sa kohë një gjë e tillë nuk është deklaruar në mënyrë të qartë dhe të plotë nga vetë subjekti i rivlerësimit në deklarata periodike […]”, argumenton anëtarja Brunilda Bekteshi.

Ajo identifikon në vendim një tjetër vlerë të balancës negative nga dy kolegët e saj. Sipas Bekteshit, balanca negative e konstatuar në rezultatet e hetimit administrativ është në shumën 2.806.597 lekë dhe shton se kjo vlerë mbetet e pandryshuar, pasi nuk mund të përfshihet shuma 3.5 milionë lekë e përfituar nga shitja e apartamentit si gjendje cash.

Mendimet ndryshe për pasurinë tokë-arë

Për blerjen e një toke me sipërfaqe 379 m2 dhe sipërfaqe ndërtimi 60 m2, në vlerën 1.800.000 në korrik të vitit 2013 në Velipojë, Kalaja ka deklaruar si burim krijimi një kredi bankare në vlerën 2 milionë lekë të marrë në vitin 2011 në “Raiffeisen Bank”.

Sipas shumicës, mosdeklarimi si gjendje cash në banesë në fund të vitit 2012 i shumës 2 milionë lekë tërhequr po atë vit, mund të shpjegohet në dy mënyra: ose që Kalaja të ketë shpenzuar të gjithë shumën përpara datës 31 dhjetor2012, ose të merret i mirëqënë interpretimi i tij se nuk e ka konsideruar të nevojshme deklarimin e kësaj shume. Komici dhe Hamitaj vlerësojnë më bindës variantit e dytë, duke u bazuar edhe në stilin e jetës së gjyqtarit Kalaja.

“Nga një analizë logjike dhe vlerësim i përbashkët i rrethanave që lidhen me këtë fakt dhe i shpjegimeve të subjektit, Komisioni vlerëson se ndonëse teorikisht është i mundshëm varianti i parë – i shpenzimit të të gjithë shumës prej 2.000.000 lekësh përpara datës 31.12.2012 – rezulton më pak bindës se i dyti. Kjo për dy fakte të provuara: nga njëra anë subjekti nuk ka paraqitur një stil jetese në nivel kaq të lartë të shpenzimeve jetike vjetore, për të justifikuar këtë shpenzim vetëm brenda disa muajve (të vitit 2012) dhe nuk ka asnjë të dhënë që të çojë në hipotizimin e shpenzimit të kësaj shume për ndonjë tjetër arsye,” citohet në vlerësimin e shumicës.

Ata e cilësojnë si kontradiktore dhe arsyetim jo logjik, që Kalaja të kursente nga pagat shumën 250 mijë lekë përgjatë vitit 2012 dhe ndërkohë përgjatë një segmenti kohor edhe më të shkurtër të mund të shpenzonte shumën prej 2 milionë lekë. Komici dhe Hamitaj konkludojnë se gjyqtari Kalaja nuk mund të shkarkohet për pasaktësitë e gjendjes cash.

Në ndryshim nga mendimi i shumicës, e cila merr në konsideratë ekzistencën e gjendjes cash në vitin 2012 të padeklaruar nga Kalaja, si rezultat i tërheqjes së kredisë së disbursuar në vitin 2011, Bekteshi mban të njëjtin qëndrim për çështjen e gjendjes cash si në rastin e analizës financiare për blerjen e apartamentit me sipërfaqe 109.5 m2 në vitin 2009.

“Për sa kohë subjekti nuk e ka deklaruar saktësisht gjendjen cash në fund të vitit, nuk mund të merret në konsideratë apo të prezumohet ajo ç’ka ka pretenduar dhe ka deklaruar përgjatë hetimit administrativ, me qëllim për të rregulluar pamundësitë e tij financiare në vitet e konstatuara nga Komisioni,” argumenton Bekteshi.

Ajo thekson se veç pamjaftueshmërisë së deklarimeve, ka mospërputhje edhe në vetë prapësimet e Kalasë lidhur me gjendjet financiare në vitet 2008 dhe 2009.

Në përfundim Bekteshi e cilëson të pabazuar dhe të padrejtë vendimin e shumicës për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Kalaja. “Lidhur me kontrollin e pasurisë, unë, si anëtar në pakicë/kundër, vlerësoj se subjekti i rivlerësimit nuk duhet të ishte konfirmuar në detyrë, duke mos arritur nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë…,” argumenton Bekteshi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *