Mosdeklarimi i pasurive në posedim ngre pikëpyetje për gjyqtarin Shkëlqim Mustafa

Lajme
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti dyshime për zotërimin e një apartamenti në Tiranë, të padeklaruar në disa vite si dhe përdorimin e një automjeti prej 35 mijë eurosh në pronësinë e nipit, por gjyqtari Shkëlqim Mustafa tha se ishte larg pjesës së kalbur të sistemit dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Gjyqtari i Apelit Tiranë, Shkëlqim Mustafa pas seancës në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Gjyqtari Shkëlqim Mustafa i Gjykatës së Apelit të Tiranës u përball të hënën më 11 janar me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK në të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut kryesohet nga Roland Ilia, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Genta Tafa Bungon. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Tomçi Petkoviç.

Shkëlqim Mustafa e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 si prokuror në Gjirokastër, pozicion që e ka mbajtur deri në 98-ën. Po atë vit është emëruar si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, ku e ka ushtruar detyrën deri në vitin 2010. Në vitin 2010, Mustafa u transferua si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës, ndërsa prej vitit 2013 e ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

Problemet për pasurinë

Komisioni konstatoi një sërë problemesh për një apartament me sipërfaqe 126 m2 të ndodhur në një pallat në rrugën “Bardhok Biba” në Tiranë, pasuri të cilën Mustafa e ka pasqyruar për herë të parë në deklaratën veting.

Sanxhaktari sqaroi se subjekti ka deklaruar se ka lidhur kontratë premtim- shitje për blerjen e apartamentit nga shtetasi B.N dhe se i ka dhënë atij shumën 28 mijë euro.

Nga hetimi ka rezultuar se gjyqtari Mustafa i ka dhënë një hua prej 38 mijë eurosh shtetasit B.N. në vitin 2010 me afat 2 vjeçar. Sipas KPK-së, gjyqtarit i është kthyer prej huamarrësit vetëm vlera 10 mijë euro.

Sanxhaktari tha se subjektit i janë kërkuar shpjegime se përse huaja nuk është shlyer brenda afatit të përcaktuar. Nga hetimi ka rezultuar se Mustafa dhe B.N. e kanë përpiluar kontratën e huamarrjes një vit pasi është dhënë vlera.

Sipas Komisionit, subjekti ka sqaruar se i ka dhënë shtesit B.N. shumën 28 mijë euro, që përfaqëson vlerën e pakthyer të huasë, si pagesë fillestare për apartamentin dhe se vlerën tjetër do ta shlyejë me kredi kur të hipotekohet në emrin e tij. Në seancë u tha se gjyqtari Mustafa ka deklaruar se jeton në këtë apartament prej vitit 2011, por se nuk ka një marrëveshje ku të jetë përcaktuar se sa është çmimi i apartamentit.

Sanxhaktari pohoi se Mustafa nuk e ka deklaruar posedimin e kësaj pasurie gjatë periudhës 2012-2016 dhe detyrimin ndaj B.N, si dhe se nuk e ka pasqyruar si adresë banimi.

Sipas Sanxhaktarit, apartamenti rezulton ende në pronësi të shoqërisë ndërtuese për shkak të konfliktit që ka pasur me shitësin B.N., i cili ka qenë një prej bashkëpronarëve të truallit ku është ndërtuar pallati.

Bazuar në të dhënat se subjekti posedon një apartament prej 126 m2, ndërkohë që pasuria e pretenduar e shitësit B.N. është 108 m2, Komisioni ngre dyshime se Mustafa zotëron një pasuri tjetër që nuk i dihet origjina.

Sanxhaktari bëri me dije se në ngarkim të B.N. ishin gjykuar tre çështje civile dhe një proces penal, ku përfshihej edhe apartamenti në fjalë që rezulton i ngrirë si pasuri.

Mustafa tha në seancë se kishte sqaruar edhe më parë se me B.N. njihej që prej vitit 1990 kur kishte qenë student dhe se kishin lidhur me pas shoqëri. Ai shtoi se me huamarrësin kishte kryer një akt noterial për blerjen e një apartamenti që ai zotëronte në kryeqytet dhe se e kishte deklaruar këtë fakt në vitin 2011 pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI.

“I kam marrë 10 mijë euro për shpenzime shëndetësore për bashkëshorten time dhe për mobilimin e apartamentit,” pohoi Mustafa dhe shtoi se kishin rënë dakord që vlera tjetër 28 mijë euro e huasë, të përfaqësonte pagesën fillestare për blerjen e apartamentit në rrugën “Bardhok Biba” në Tiranë.

“Marrëveshja jonë është e bazuar në 2 akte që kanë qenë të ekspozuara pranë ILDKPKI”, deklaroi Mustafa dhe theksoi se bëhet fjalë për të njëjtin apartament dhe jo për dy.

“Në atë kohë lindën konfliktet midis mikut tim B.N. që ishte një prej katër bashkëpronarëve të tokës. Firma i futi në konflikt duke u thënë ‘ti ke më shumë se tjetri,’’ sqaroi Mustafa.

Sipas tij, për shkak të konfilktit të pazgjidhur nuk pasqyroheshin në dokumentacion sipërfaqet shtesë të përbashkëta. “Ne nuk e zotërojmë hipotekën tonë për shkak të rrëmujës së krijuar, por ansjëri nuk është pa shtëpi. Është jashtë vullnetit tim pse nuk kam avancuar me aktet e tjera noteriale,” pohoi Mustafa dhe pretendoi se kishte qenë transparent.

Ai shtoi se kishte pasiguri se cili do të ishte shitësi i apartamentit dhe se familja N. e kishte të pamundur të vepronte për një pasuri të ngrirë.

Mustafa këmbënguli se kishte jetuar gjatë gjithë viteve në të njëjtën banesë dhe se nuk zotëronte sipërfaqe shtesë. Ai tha se kishte depozituar pranë KPK-së një deklaratë noteriale të administratorit të pallatit që deklaronte se kishte jetuar gjithmonë në të njëjtin apartament.

Komisioni konstatoi se subjekti nuk ka deklaruar adresën e banimit gjatë viteve 2010, 2012 dhe 2013, si dhe ka mospërputhje të adresave të deklaruara gjatë viteve të tjera me dokumentacionin e gjendjes civile.

Mustafa e pranoi mosdeklarimin e adresave gjatë tre viteve dhe e konsideroi si një harresë. Ai shpjegoi se të dhënat në gjendjen civile kishin të bënin me pasaportizimin që jo domosdoshmërisht tregonin adresën e banimit.

Komisioni konstaton se gjyqtari Mustafa nuk ka pasqyruar në deklaratat periodike dhe në atë veting posedimin e një autoveture tip Benz, të blerë në shumën 35 mijë euro + 800 mijë lekë vlera e doganës, nga një i afërm i subjektit të rivlerësimit.

Sanxhaktari tha se Mustafa ka poseduar gjatë 7 viteve të fundit këtë makinë që i është dhënë për përdorim me autorizim nga pronari I.M., pa afat.

Ajo sqaroi se I.M. e ka blerë këtë automjet në Gjermani, ndërkohë që nuk e ka përdorur. “Rezulton se subjekti i rivlerësimit e ka përdorur shpesh këtë automjet që prej vitit 2014. Ndërkoë që nuk e ka pasqyruar as në deklaratën veting,” tha Sanxhaktari.

Ajo shtoi se subjekti nuk ka arritur të provojë mundësinë e I.M. për të blerë këtë mjet dhe ngre dyshime se është pronë e gjyqtarit Shkëlqim Mustafa.

Mustafa deklaroi në seancë se nuk mund të thuhej se ai përdorte këtë mjet. Ai pretendoi se mjeti i përkiste një të afërmi tjetër, që ishte djali i djalit të xhaxhait dhe jo I.M.

Sipas Mustafës, nipi B.M. jeton dhe zotëron prej vitesh aktivitete në Londër. “Vendosi të blinte një fuoristradë tip Benz dhe pasi kishte pasaportë angleze, e bleu në emër të nipit të tij dhe nipit tim I.M,”, deklaroi Mustafa në seancë.

Ai pretendoi se B.M. kishte patur të ardhura dhe shtoi se KPK kishte konsideruar vetëm të ardhurat e një viti.

Mustafa këmbënguli se makina nuk ishte përdorur vetëm prej tij, por edhe nga I.M. Sipas tij, rezultonte se I.M. kishte kryer 7 udhëtime jashtë shtetit me këtë mjet.

“Ata e kanë përdorur kur vinin me pushime. Nuk e kam deklaruar se nuk e kam konsideruar për pronën time. Provohet se kompania shitëse ua ka kthyer atyre TVSH-në,” tha gjyqtari Mustafa.

Gjyqtari Mustafa ka blerë në vitin 1998 një truall me sipërfaqe 500 m2 kundrejt vlerës 150 mijë lekë dhe e ka shitur në 2006-ën në shumën 1 milion lekë. Komisioni vlerëson se Mustafa ka pasur burime financiare të mjaftueshme për blerjen e kësaj prone, por evidenton se çmimi i blerjes është i ulët dhe ai i shitjes i lartë.

Mustafa tha në seancë se në kohën kur e ka blerë truallin, pavarësisht se territori ka qenë i orientuar për zhvillim urbanistik, nuk ka pasur infrastrukturë dhe se çmimi ka qenë real. Ai sqaroi se në vitin 2006 e ka shitur pasi nuk ka pasur më plan për ta zhviluar. Sipas Mustafës, në momentin e shitjes, zona ishte zhvilluar dhe prandaj ishte rritur edhe vlera e truallit.

Për një apartament me sipërfaqe 88.8 m2 të blerë në vitin 2006 në Gjirokastër për vlerën 3.7 milionë lekë, Mustafa ka deklaruar si burim krijimi të ardhurat nga shitja e truallit dhe një kredi në vlerën 3 milionë lekë.

Sanxhaktari tha se subjekti ka deklaruar shitjen e kësaj pasurie në vitin 2010 kundrejt vlerës 60 mijë euro. Sipas relatores, Mustafa ka sqaruar se e ka blerë këtë apartament në vitin 2006 nga vjehrri, i cili e kishte blerë më parë për djalin, me të ardhurat e këtij të fundit nga puna në emigracion.

“Nuk provohet që apartamentin ta ketë blerë vjehrri apo kunati i subjektit. Gjithashtu mbeten të paprovuara të ardhurat e kunatit të subjektit nga puna në emigracion,” pohoi Sanxhaktari.

Komisioni konstaton se çmimi i shitjes së apartamentit për vlerën 60 mijë euro është dyfishi i çmimit të referencës në zonën ku gjendet kjo pasuri.

Gjyqtari Mustafa këmbënguli në seancë se kishte dorëzuar prova të mjuaftueshme për të vërtetuar mundësinë financiare të kunatit. Ai pohoi se çmimi i blerjes ishte real.

Lidhur me çmimin e shitjes, subjekti sqaroi se apartamenti ishte shitur i mobiluar dhe me të gjitha pajisjet. Ai solli në vëmendje kishte depozituar si prova dy vendime gjyqësore për përpjesëtim pasurie, ku në një rast apartamenti është vlerësuar me të njëjtin çmim dhe në një rast tjetër me vlerë më të madhe. “Mendoj se dy vendimet e gjykatave tregojnë vlerat reale,” pohoi Mustafa në seancë.

Ai shtoi se kishte depozituar edhe dokumentacionin e disa kredive të marra për blerjen banesash, ku vlerat janë të përafërta ose të njëjta me çmimin e shitjes së apartamentit nga ana e tij në vitin 2010.

Figura dhe profesionalizmi

Drejtoria e Sigurimit të informacionit të Klasifikuar ka dërguar raport pozitiv për gjyqtarin Mustafa pranë Komisionit, duke konstatuar përshtatshmërinë e tij për të vazhduar detyrën.

Nga hetimi i kyer prej KPK-së ka rezultuar se prokuroria e Durrësit kishte regjistruar procedim penal për “shpërdorim detyre” ndaj Mustafës në vitin 2018 dhe e kishte transferuar çështjen pranë ish-Prokurorisë për Krime të Rënda. Në vijim, SPAK ka njoftuar Komisionin se është vendosur mosfillimi i hetimit për këtë çështje.

Komisioni konstaton se nuk janë gjetur të dhëna për lidhje të mundshme të subjektit me persona të përfshirë në krimin e organizuar, por shton se është verifikuar edhe lidhur me përfshirje të mundshme në veprime të paligjshme.

Lidhur me aspektin profesional, në seancë u evidentua një rast, kur gjyqtari Mustafa kishte firmosur vendimin e një çështjeje, edhe pse kishte dhënë më parë dorëheqjen.

Mustafa shpjegoi se sekretarja e relatorit të çështjes në fjalë kishte vendosur në fund të vendimit edhe emrin e tij dhe se firmosja ishte kryer për shkak të rutinës së punës.

“Ka qenë një gabimi im se duhej të kisha qenë më i vëmendshëm në hedhjen e firmës,” pranoi Mustafa.

Sanxhaktari bëri me dije edhe një rast, kur gjyqtari Mustafa kishte liruar një të dënuar nga shkalla e parë, i cili të nesërmen ishte larguar në Itali.

“Atij i është bërë pezullimi me kusht i vendimit dhe jo lirimi. Ishte operuar nga zemra dhe i kishte kryer ¾ e dënimit. Fakti që ai ka ikur në Itali nuk e cënon vendimin,” pretendoi Mustafa.

Në përmbyllje të fjalës së tij, gjyqtari Shkëlqim Mustafa kërkoi konfirmimin në detyrë. “Jam shumë larg pjesës së kalbur të sistemit të drejtësisë. Kam vetëm një shtëpi dhe një makinë,” përfundoi ai.

KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më 13 janar, ora 09:15.