Mosnjohja me raportin e DSIK shtyn seancën për Petrit Çanon

Lajme
Komisioneri Florian Ballhysa tha se nuk ishte njohur ende me raportin e ndryshuar të DSIK për drejtuesin e Prokurorisë së Krujës, Petrit Çano, ndërsa ky i fundit pretendoi se po sulmohej për shkak të detyrës.  

Prokurori Petrit Çano duke dalë nga KPA | Foto: Edmond Hoxhaj.

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa deklaroi të premten gjatë seancës publike në KPA për drejtuesin e Prokurorisë së Krujës, Petrit Çano, se nuk i ishte mundësuar njohja me dokumentet e reja për figurën, që sollën ndryshimin e raportit të DSIK-së për subjektin e rivlerësimit. Megjithatë, Ballhysa shtoi se trupi gjykues është njohur me dokumentet e DSIK-së dhe mund të vlerësojë nëse ka nevojë për hetim të mëtejshëm, bazuar në informacionet e reja.

Prokurori Petrit Çano deklaroi se nuk i ishte mundësuar njohja me asnjë indicie nga të dhënat e klasifikuara ‘sekrete’ që kanë çuar DSIK-në drejt ndryshimit të qëndrimit. “Jam në pamundësi për t’u mbrojtur,” tha ai dhe i kërkoi trupës gjykuese që të marrë në konsideratë faktin se nuk kishte asnjë të dhënë kundër pastërtisë së figurës së tij gjatë gjithë karrierës 35-vjeçare.

“Nga gushti 2020 posedoj një certifikatë sigurie të nivelit më të lartë që e zotërojnë shumë pak persona në sistemin e prokurorisë,” theksoi Çano. Sipas tij, ndryshimi i raportit tregon se individë të caktuar po e sulmojnë për shkak të akuzave që ka ngritur ndaj tyre. “Dërgojnë letra dhe përdorin segmente të medies për të shpifur,” u ankua Çano.

Sipas tij, nuk mund të cënohet besimi i publikut me pretendimet e një individi që bënë letra. “Kam punuar në shumë prokurori dhe nuk kam pasur probleme. Di të them që kam punuar me ndershmëri,” shtoi ai.

Ballhysa konstatoi se në ankim ishte paraqitur si shkak mungesa e një raporti të një institucioni informues, që nuk ishte administruar më parë nga DSIK dhe Komisioni. Sipas Komisionerit, raporti ndryshoi nga informacionet e dërguara nga ky institucion.

Përfaqësuesi ligjor i Çanos, Avokati Julian Mërtiri vërejti se edhe pse raporti i Shërbimit Informativ Shtetëror, SHISH mungonte gjatë hetimit administrativ në Komision, subjekti i rivlerësimit është pajisur me certifikatë sigurie të nivelit më të lartë në gusht të vitit 2020, pasi kishte përfunduar vetingu në shkallën e parë. “Kështu që nuk ka lidhje mosdorëzimi i këtij raporti në vlerësimin e figurës,” pohoi Mërtiri.

Një denoncim i ri ndaj Çanos, i depozituar pranë Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM nga i njëjti person dhe me të njëjtin objekt, u trajtua gjatë seancës publike të premten. Komisioneri Publik Florian Ballhysa evidentoi se denoncimi ishte i njëjti, për të cilin me parë Kolegji ka vendosur të mos e shqyrtojë për shkak se nuk përmbush kriteret.

Ndërsa vëzhguesi ndërkombëtar, Steven Kessler e pyeti Çanon nëse kishte pasur takime të drejtpërdrejta me një kallëzuese, bashkëshortin e saj dhe të akuzuarin prej saj.

Çano sqaroi se e njeh kallëzuesen për shkak se ajo kishte kryer kallëzim penal për “mashtrim” duke pretenduar se kishte porositur dy apartamente, por më pas kishte mësuar se ndërtuesi ishte larguar pasi kishte shitur objektin tek një tjetër person dhe se ky i fundit nuk i njihte të drejtën reale mbi pasuritë në fjalë. Ai shtoi se nuk kishte njohje me bashkëshortin e saj dhe se me të kallëzuarin N.Ll. kishte pasur kontakte vetëm kur e kishin marrë në pyetje në kuadër të hetimit të nisur.

Në fund të seancës, Kolegji vendosi të mos e pranojë denoncimin e ri, duke e konsideruar të përsëritur dhe se nuk plotëson kriteret për t’u marrë në shqyrtim. Gjithashtu, KPA vendosi sërish që t’i mundësohet Komisionerit njohja me informacionet sekrete dhe e shtyu seancën për më datë 8 shtator, ora 12:00.