Mungesa e burimeve të ligjshme të pasurisë, Kolegji shkarkon Xhezair Zaganjorin

Lajme
Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të shkarkonte Xhezair Zaganjori.  Tashmë ish-kreu i Gjykatës së Lartë u gjet nga KPA me “deklarime të pasakta” dhe “mungesë burimesh të ligjshme”. Kolegji rrëzoi  arsyetimin e KPK për “evazion fiskal të ligjshëm”.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori gjatë një seance të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA). Foto: LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit duke pranuar të gjitha pikat e ankimit të Komisionerit Publik rrëzoi të premten vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për tani ish-kreun e Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori.

Gjatë leximit të dispozitivit kryesuesja e trupës që shqyrtoi çështjen, vuri në dukje se vendimi ishte bazuar në vendimarrjen e mëparshme të KPA, duke bërë të qartë se Kolegji nuk do të pranonte si burim pasurie të ardhura për të cilat nuk provohej se ishin paguar tatimet.

Trupa e kryesuar nga Albana Shtylla me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Sokol Çomo, Natasha Mulaj dhe Luan Daci vendosi “ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të Xhezair Zaganjorit”.

Zaganjori, deri tani kryetar i Gjykatës së Lartë, u konfirmua më 24 korrik 2018 në një vendim kontravers të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nga një treshe e kryesuar prej Olsi Komici dhe me anëtarë Roland Ilia dhe Pamela Qirko.

Vendimi i KPK që u kundërshtua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe u apelua më pas nga Komisioneri Publik, justifikoi disa veprime të Zaganjorit duke përdorur arsyetime kontradiktore të tipit “evazion tatimor të ligjshëm” apo “shfrytëzim boshllëqesh ligjore”.

Komisioneri Publik i cili kërkoi shkarkimin e Zaganjorit këmbënguli se këto arsyetime të KPK nuk qëndronin dhe kreu i Gjykatës së Lartë kishte bërë shkelje të ligjit. KPA në një përmbledhje të vendimit të saj bën me dije se gjeti të provuara pretendimet e Komisionerit.

Kolegji renditi disa pasuri të Zaganjorit dhe arsyetoi se për to ai kishte bërë “deklarim të pasaktë, deklarim të pamjaftueshëm dhe kishte mungesë burimesh ligjore”. Në vendim KPA tha se Zaganjori nuk kishte arritur të binde se kishte pasur burime të ligjshme.

Kolegji gjeti ndër të tjera pasakëtsi në deklarime përfshi ato për llogari të vetingut. Sipas KPA deklarimi i përdorimit për blerje apartamenti i një shumë prej 16 mijë dollarësh, e cila në fakt nuk ishte lëvizur nga banka, ishte një ndër deklarimet e pasakta të Zaganjorit.

Zaganjori, një ish-pedagog dhe diplomat me karrierë 40-vjeçare, u zgjodh anëtar i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2003 dhe anëtar i Gjykatës së Lartë në vitin 2013.  Ai ishte gjyqtari i fundit i Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese – dy institucione që janë asgjesuar nga shkarkimet e vetingut dhe dorëheqjet, për të cilin procesi nuk kishte përfunduar ende.

Në seancën e mbajtur të premten në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ishin prezent dy përfaqësues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Mia Roessingh-Bakels dhe Theo Jacobs.

Gjatë parashtrimeve të tij Zaganjori, u mbrojt duke kërkuar që interpretimi i ligjit për sa i përket kriterit të pasurisë të bazohej në Komentarin mbi Reformën Kushtetuese në Sistemin e Drejtësisë – një botim i publikuar nga Instituti për Studime Publike dhe Ligjore dhe i financuar nga Fondacioni për Shoqërinë e Hapur në Shqipëri, duke i kërkuar Kolegji që të mos cënonte vendimin e KPK-së për ta konfirmuar në detyrë.

Lexo më shumë:

Skeda e pasurisë së deklaruar-Xhezair Zaganjori-kryetar i Gjykatës së Lartë

Karriera e kryetarit të Gjykatës së Lartë plasaritet nga problemet me pasurinë

Xhezair Zaganjori konfirmohet në detyrë

ONM kundër konfirmimit të Zaganjorit, kërkon rihapjen e vetingut në Apel

Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e Zaganjorit: “Shmangu tatimet, nuk justifikon pasurinë”

Vendimi i KPK për Xhezair Zaganjorin: Ka kryer “evazion tatimor të ligjshëm”