Muskaj kërkon shfuqizimin e sanksionit që i ndalon rikthimin në drejtësi

Lajme
Pas ish-anëtares së Gjykatës së Lartë, Arjana Fullani, Kolegji i Posaçëm i Apelimit i dha mundësinë edhe ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Aleksandër Muskaj për t’u dëgjuar lidhur me pretendimet e tij kundër vendimit të Komisionit.

Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, Aleksandër Muskaj në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: KPA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA dëgjoi në seancë publike të hënën pretendimet e ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Aleksandër Muskaj kundër vendimit të Komisionit që, veç ndëprerjes së vetingut, i ndaloi riemërimin në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Në tetor 2017, Muskaj dhe 4 anëtarë të tjerë të Gjykatës së Lartë, njoftuan largimin nga detyra pas përfundimit të mandatit. Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK ata refuzuan t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit, me pretendimin se nuk e kishin më statusin e magjistratit.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ u ofroi pozicione në Gjykatat e Apelit, por për shkak se pesë gjyqtarët i kishin refuzuar pozicionet, u konsiderua si dorëheqje dhe u vendos deklarimi i mbarimit të statusit të magjistratit. Pas vendimit të KLGJ-së, Komisioni e ndërpreu procesin e rivlerësimit dhe u hoqi pesë ish-anëtarëve të Gjykatës së Lartë të drejtën që në 15 vitet e ardhshme mos të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë.

Ish-gjyqtarët Aleksandër Muskaj, Arjana Fullani dhe Evelina Qirjako e apeluan vendimin e KPK-së duke pretenduar se sanksionimi është i paligjshëm. Ndërkohë, ata këmbëngulin se nuk duhet t’i nënshtrohen vetingut, pasi nuk ishin në detyrë dhe se nuk e gëzonin më statusin e magjistratit prej momentit kur u mbaroi mandati si anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Gjatë seancës së të hënës, Muskaj parashtroi thuajse të njëjtat argumente si ish-kolegia e tij,  Arjana Fullani, ankimi i së cilës u u rrëzua nga KPA më 11 nëntor si i pabazuar.

Muskaj kërkoi shfuqizimin vetëm të pikës 2 të vendimit, që i ndalon të emërohet si gjyqtar, prokuror apo në insititucionet e tjera të drejtësisë. Fillimisht ai parashtroi se nga ana e KPK nuk i ishte garantuar proces i rregullt ligjor, pasi nuk i ishte dhënë e drejta të dëgjohej.

Duke sjellë në vëmendje të Kolegjit vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Gjykatës Kushtetuese, Muskaj pretendoi se statusi i tij i magjistratit kishte përfunduar me mbarimin e mandatit si anëtar i Gjykatës së Lartë.

Ai tha se sanksionimi për ndalimin e emërimit në 15 viteve të ardhshme përcaktohej në ligj për gjyqtarët në detyrë, të cilët dorëhiqeshin. Lidhur me mospranimin e emërimit në Gjykatën e Apelit pas mbarimit të mandatit 9-vjeçar në Gjykatën e Lartë, Muskaj pohoi se ishte thjesht mosushtrimi i një të drejte. “Nuk mund të penalizohet dikush për mosushtrimin e një të drejte. Nuk vendoset sanksionimi me intepretim. Në asnjë nen nuk thuhet se nëse anëtari i Gjykatës së Lartë nuk aplikon për një pozicion në Apel, duhet të penalizohet me 15 vite ndalim për t’u emëruar,” tha Muskaj dhe këmbënguli se dënimet janë gjithmonë të përcaktuara në ligj.

Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë e paralelizoi situatën e tij dhe të katër ish-kolegëve me rastet e magjistratëve që dalin në pension gjatë procesit të rivlerësimit. “Në këto raste, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka deklaruar përfundimin e procesit pa një vendim përfundimtar. E njëjta situatë është edhe e imja dhe e kolegëve të mi. Komisioni duhej të ishte shprehur vetëm për ndëprerjen e procesit dhe jo për vendimarrjen. Nëse objekti i gjykimit është i pamundur, pushohet gjykimi,” theksoi ai.

Trupi gjykues i Kolegjit, i kryesuar nga Natasha Mulaj, me relator gjyqtarin Sokol Çomo dhe anëtarë Albana Shtylla, Rezarta Scuetz e Ardian Hajdari, vendosi pranimin e provave të reja të dorëzuara prej tij dhe mbylli shqyrtimin gjyqësor. KPA njoftoi se seanca për shpalljen e vendimit do të zhvillohet më datë 17 dhjetor, ora 15:30.