Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Ndihmësi ligjor, Gentian Jahjolli drejt konfirmimit në detyrë

Ndihmësi ligjor në Gjykatën e Lartë, Gentian Jahjolli bindi Komisionin se familja e tij ka pasur të ardhura të ligjshme për të paguar shpenzimet e doktoraturës në Itali. Ai u konsiderua i përshtatshëm edhe nga DSIK dhe Shkolla e Magjistraturës.   

Ndihmësi ligjor, Gentian Jahjolli përballë KPK-së. Foto: E.Hoxhaj

Gentian Jahjolli, ndihmës ligjor pranë Gjykatës së Lartë u përball të martën në seancë dëgjimore përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ku u prezantuan gjetjet për të tre kriteret e vetingut. Trupa gjyqësore kryesohej nga Firdes Shuli, me relatore Etleda Çiftja dhe anëtare Pamela Qirko.

Gentian Jahjolli është bërë subjekt i deklarimit të pasurisë në vitin 2011, pas emërimit si drejtor i marrëveshjeve në Ministrinë e Brendshme. Më parë, Jahjolli ka punuar edhe si inspektor në Ministrinë e Drejtësisë.

Në mars të vitit 2014, ai është emëruar ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë, detyrë të cilën e kryen edhe sot. Ai është angazhuar gjithashtu në mësimdhënie në një universitet privat si dhe ka kryer doktoraturën në universitetin La Sapienza në Itali.

Sipas relatores Etleda Çiftja, Jahjolli ka marrë raporte pozitive nga të tre institucionet ndihmëse, ILDKPKI, DSIK dhe Shkolla e Magjistraturës. Ai është konsideruar i përshtatshëm për të vazhduar detyrën dhe me aftësi të mjaftueshme profesionale.

Megjithatë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kreu hetime të pavarura sa i përket pasurisë së ndihmësit ligjor dhe personave të lidhur me të. Relatorja Çiftja tha në seancë se deklarimi i Gentian Jahjollit ishte i saktë sa i përket kursimeve të depozituara në llogari bankare. Komisioni vlerësoi megjithatë mjaftueshmërinë e burimeve financiare të babait të subjektit për një apartament dhe dy shtesa të ndërtuara në të, blerjen e një makine si dhe pagesën e tarifës së doktoraturës në Itali.

Komisioni ka ngritur fillimisht dyshime mbi burimet financiare të babait të Jahjollit, i cili punonte si taksist për blerjen e një makine dhe pagesat e doktoraturës në Itali. Por pas dokumenteve të dorëzuara nga subjekti, Komisioni ka arritur në përfundimin se deklarimet e tij kanë qenë të sakta, ndërsa familja ka pasur burime të ligjshme.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar e ka konsideruar Jahjollin të përshtatshëm për vazhdimin e detyrës. Edhe Shkolla e Magjistraturës ka vlerësuar se ai ka aftësi të mjaftueshme dhe interes për rritjen e kapaciteteve të tij përmes trajnimeve.

Në fund të seancës dëgjimore, ndihmësi ligjor Gentian Jahjolli tha se ishte dakord me gjetjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. Në fund të seancës, kryesuesja Firdes Shuli tha se vendimi për të do të shpallet më 9 janar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *