Anetaret e trupes gjykuese te KPA, Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Sokol Como, Ardian Hajdari, Rezarta Schuetz, gjate nje seance te Kolegjit te Posacem te Apelimit, KPA, me anetarin e Gjykates Kushtetuese, Besnik Muci, i cili u shkarkua nga detyra per mosjustifikim te pasurise. Muci para disa javesh u dekretua dhe u betua te Presidenti, Ilir Meta si anetar i Kushetetueses./r/n/r/nMembers of the trial panel, Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Sokol Como, Ardian Hajdari, Rezarta Schuetz, and Member of the Constitutional Court, Besnik Muci, during a hearing of the Appeal Chamber, KPA, who dismissed the latter from duty for non-justification of his wealth. A few weeks ago Muci was decreed and sworn in by President Ilir Meta as a member of the Constitutional Court.
KPA Veting

Ndryshimi argumenteve të Gentian Liles për arsyen e dorëheqjes nuk e bindën KPA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi më 23 korrik në mënyrë unanime rrëzimin e ankimit të ish-ndimësit ligjor pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër, Gentian Lile, ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për ndëprerjen e procesit të rivlerësimit ndaj tij. Më 9 dhjetor 2020, KPK vendosi të ndërpresë procesin e rivlerësimit për Lilen për shkak të dorëheqjes së tij, si dhe t’i ndalojë emërimin në institucionet e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Lile e ankimoi vendimin e KPK duke kërkuar ndryshimin ose rrëzimin e vendimit të Komisionit. Në ankim ai ka parashtruar argumente të ndryshme lidhur me dorëheqjen e tij nga detyra, që janë gjetur në mospërputhje me ato të paraqitura në Këshillin e Lartë Gjyqësor, KLGJ.

Në vendimin e arsyetuar të KPA-së analizohet procedura e ndjekur në Komision në kuadër të rivlerësimit të Liles, që është gjetur e drejtë së bashku me vendimarrjen për ndërprerjen e vetingut dhe për sanksionin 15-vjeçar.

Në ankim, Lile ka pretenduar se dorëheqja e tij nuk ka pasur si qëllim shmangien e vetingut dhe se ka qenë i gatshëm t’i nënshtrohej procesit të rivlerësimit. Ai ka theksuar se arsyeja e dorëheqjes ka qenë mostrajtimi si subjekt rivlerësimi, pasi nuk përfitonte 75% të pagës së gjyqtarit dhe e ka konsideruar këtë fakt në shkelje të të drejtës themelore të garantuar nga Kushtetuta, atë të barazisë së trajtimit financiar.

Lile ka shtuar se vetingu ka si qëllim të largojë nga sistemi ato subjekte që kanë qenë vendimmarrës, ndërkohë që ai nuk ka qenë në pozicion të tillë dhe as në pozicion këshillimi që mund të ndikonte në vendimmarrje. Ai është shprehur se ka qenë një punonjës i thjeshtë gjykate dhe se funksioni si ndihmës ligjor nuk mund të ndikonte në funksionimin e shtetit të së drejtës, në pavarësinë e sistemit të drejtësisë apo në humbjen e besimit të publikut tek institucionet e këtij sistemi.

“[…]Trupi gjykues vëren se subjekti i rivlerësimit ka parashtruar shkaqe të ndryshme që e kanë çuar në paraqitjen e kërkesës për dorëheqje nga detyra. Konkretisht, në kërkesën drejtuar Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KLGJ-së dhe Institucionit të Presidentit, subjekti Gentian Lile rendit si shkak arsyet familjare, ndërsa në ankimin e paraqitur pranë Kolegjit, ngriti si pretendim mostrajtimin e duhur financiar gjatë ushtrimit të detyrës si ‘ndihmës ligjor’”, konstaton Kolegji.

Megjithatë, Kolegji çmon se nuk ka rëndësi arsyeja e dorëheqjes nga detyra, por verifikimi i vullnetit të tij të pavesuar për t’u larguar nga ushtrimi i funksionit që e bën subjekt rivlerësimi.

Nga verifikimi akteve ka rezultuar se dorëheqja është shqyrtuar fillimisht nga KLGJ, që me vendim të datës 21 tetor 2020 ka vendosur ndërprjen e marrëdhënieve në shërbimin gjyqësor të ndihmësit ligjor të Liles për shkak të dorëheqjes. Ky vendim nuk është kundërshtuar në rrugë gjyqësore nga ana e subjektit të rivlerësimit.

Lidhur me pretendimin e Liles se nuk ka shfaqur në asnjë moment vullnet për t’iu shmangur apo për të ndërprerë procesin e rivlerësimit dhe se sanksioni për ndalimin e rikthimit të tij në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme është penalizues, trupi gjykues mban në konsideratë jurispudencën e deritanishme të Kolegjit.

“[…]Vullneti për të mos iu shmangur procesit të rivlerësimit, sipas përcaktimit në dispozitat kushtetuese dhe në ligjin nr. 84/2016, shprehet vetëm nëpërmjet qëndrimit në detyrë dhe përfundimit të procesit të rivlerësimit”, vëren KPA dhe shton se subjekti në kërkesën për dorëheqje i është referuar pikërisht nenit G të Aneksit të Kushtetutës, ku parashikohet dhe sanksioni.

“Në këto kushte, subjekti i rivlerësimit i kishte të qarta pasojat dhe efektet juridike që do të sillte dorëheqja e tij nga detyra[…]”, citohet në vendim.

Po ashtu, është rrëzuar edhe pretendimi se ndaj tij nuk mund të zbatohet sanksioni 15-vjeçar, pasi nuk ka qenë në pozicion vendimmarrës dhe as në pozicion këshillimi që mund të ndikonte në vendimmarrje. KPA thekson se është përcaktuar se të gjithë këshilltarët ligjorë pranë Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, ndihmësit ligjorë pranë gjykatave administrative dhe ndihmësit ligjorë pranë Prokurorisë të Përgjithshme do të rivlerësohen ex officio, ashtu si gjyqtarët dhe prokurorët.

“Për sa kohë që subjekti i rivlerësimit ka qenë në funksionin e ndihmësit ligjor në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit nr. 84/2016, dhe ka dhënë dorëheqjen nga ky funksion përgjatë procesit të rivlerësimit, gjen vend edhe zbatimi i pikës së dytë të nenit G të Aneksit të Kushtetutës, e cila përcakton ndalimin e subjektit të rivlerësimit për t’u emëruar si gjyqtar, prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokuror i Përgjithshëm apo Inspektor i Lartë i Drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare”, konkludon KPA dhe ka vendosur të rrëzojë ankimin e Liles duke lënë në fuqi vendimin e KPK.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *