Olsian Çela kalon vetingun dhe vazhdon garën për Prokuror të Përgjithshëm
Lajme

Olsian Çela kalon vetingun dhe vazhdon garën për Prokuror të Përgjithshëm

Vendimi i konfirmimit në detyrë u prit me duartrokitje në sallën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ndërkohë që Çela-i cili vazhdon tashmë garën për Prokuror të Përgjithshëm shmangu komentet për mediat.

Prokurori Olsian Çela pas vendimit të KPK-së për konfirmimin në detyrë. Foto: Vladimir Karaj

Konfirmimi në detyrë i kandidatit për Prokuror të Përgjithshëm, Olsian Çela u prit me duartrokitje në sallën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit mesditën e së martës. Vendimi u lexua nga kreu i trupës gjykuese, Lulzim Hamitaj, ndërkohë që Çela reagoi me buzëqeshje dhe shmangu komentet për mediat.

Olsian Çela ka një karrierë të gjatë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, institucion të cilin e ka drejtuar midis vitit 2008 dhe vitit 2012. Ai konsiderohet rivali kryesor i kryeprokurores aktuale Arta Marku në garën e hapur për mandatin 7-vjeçar të Prokurorit të Përgjithshëm.

Procesi i vetingut për Çelën u krye për të tre kriteret, nga trupa gjykuese e drejtuar nga Hamitaj, me relator Olsi Komici dhe anëtare Brunilda Bekteshi.

Gjatë seancës dëgjimore, atij iu përmendën një mori transaksionesh që ishin përmbyllur me blerjen e një njësie tregtare në vlerën prej 78 mijë eurosh. Kontribues kryesor në këtë blerje rezultoi nga hetimi të ishte nëna e prokurorit. KPK vuri në dukje se deklarimet e subjektit përputheshin me të dhënat e gjetura prej hetimit administrativ dhe se nëna e tij kishte pasur burime të ligjshme, por Çela u pyet në këtë pikë mbi arsyet e këtij transaksioni brenda familjes, pasi siç rezultoi ai jetonte me nënën e tij.

Prokurori tha se në të vërtet nuk bëhej fjalë për një akt të mirëfilltë shit-blerje mes tij dhe nënës së tij për qëllime fitimi pasi ata bashkëmenaxhonin të ardhurat, por një mënyrë juridike e formalizimit të një kalimi pronësie.

Në kriterin e aftësive profesionale, Çelës iu vu në dukje nisja e një procedimi disiplinor nga Prokuroria e Përgjithshme lidhur me debatin publik mbi çështjen e Emiljano Shullazit. Procedimi i cili quhej i mbyllur nuk kishte dalë me rezultat, pasi siç u tha në KPK kompetenca për të kryer këto procedime i takon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, organ i cili nuk është ngritur ende.

Komisioni ngriti gjithashtu dyshime mbi një çështje hetimore të pushuar në vitit 2006, për të cilën u pyet edhe nga anëtarët e trupës gjykuese. Por Çela këmbënguli se me dëshminë nga përgjimet dhe të dhënat që kishin pasur, pushimi kishte qenë e vetmja mundësi.

“Ne jemi vend i varfër, nuk i kemi mundësitë të vendosim burimet e duhura financiare dhe njerëzore për të arritur sukses në hetime”, tha Çela përmbledhtazi, ndërsa i shpjegoi KPK-së se përtej bindjes së tij të brendshme, hetimet në atë rast kishin dështuar të provonin fajësinë e personave të përfshirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *