Gjyqtari i Tiranës, Gerd Hoxha pas vendimit të KPK. Foto: LSA
Korrupsioni KP Lajme Vendi

ONM kërkon rihetimin e gjyqtarit Gerd Hoxha për pasurinë dhe profesionalizmin

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit konstaton pamundësi financiare për krijimin e pasurive dhe ngre dyshime për fshehjen e një automjeti në emër të babait. Gjithashtu kërkohet rivlerësim i thelluar edhe për aspektin profesional, veçanërisht për vendimarrjet si anëtar i KLD.

Gjyqtari i Tiranës, Gerd Hoxha pas vendimit të KPK. Foto: LSA

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit rekomandoi të enjten ankimimin e vendimit të KPK-së për konfirmimin e gjyqtarit të Tiranës, Gerd Hoxha – rekomandim që bazohet kryesisht në kriterin e pasurisë dhe vendimarrjen e subjektit në kohën që ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Gjyqtari Gerd Hoxha u konfirmua me shumicë votash më 3 qershor 2021, ndërsa dy gjetjet e ONM-së mbi vendimarrjet e subjektit si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë iu deleguan Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Në rekomandimin e ONM-së për Komisionerin Publik renditen disa gjetje në kriterin e pasurisë, mes tyre edhe një hua e marrë nga ish-bashkëshortja Elbana Lluri, e cila u konfirmua gjithashtu nga KPK, por u dërgua në Kolegj me kërkesë të ONM.

Vëzhguesit ndërkombëtarë vlerësojnë se gjyqtari Hoxha dhe bashkëshortja e tij janë persona të lidhur me njëri-tjetrin dhe se divorci i vitit 2019 nuk mund të ndikojë sipas tyre procesin e vetingut.

Për blerjen e një apartamenti në Tiranë në shkurt të vitit 2011 për çmimin 6.5 milionë lekë dhe të rivlerësuar në dhjetor të po atij viti në shumën 23 milionë e 750 mijë lekë, subjekti ka deklaruar si burim krijimi edhe kursimet e tij.

Nisur nga kjo, ONM ka kryer një analizë të mundësisë së kursimeve të deklaruara në vitin 2003 nga Hoxha në shumën 2.5 milionë lekë. Subjekti ka deklaruar se kursimet janë krijuar nga të ardhurat e siguruara nga Shkolla e Magjistraturës dhe nga puna si kamarier për periudhën 1995-2000.

Sipas ONM-së, është vërtetuar se të ardhurat e provuara me dokumentacion ligjor për periudhën 1995-2000 janë në shumën totale 1,273, 000 lekë.

Subjekti ka dorëzuar dokumente nga Sigurimet Shoqërore që kanë deklaruar se nuk kanë informacion lidhur me taksat e paguara për punën e kryer prej tij si kamarier. Ai ka pretenduar se gjendet në kushtet e pamundësisë objektive për të siguruar dokumente për pagimin e taksave.

Bazuar në evidentime e hetimit administrativ, vëzhguesit janë në opinionin se subjekti i rivlerësimit nuk gjendet në pozicionin e ligjshëm të parashikuar nga ligji i vetingut dhe se nuk mund të jetë në kushtet e pamundësisë objektive për të siguruar dokumente.

Vëzhguesit ndërkombëtarë sjellin në vëmendje se bazuar në parashikimet kushtetuese dhe në jurispudencën e Kolegjit, janë dy kushte për të konsideruar të ligjshme të ardhurat – përfitimi i tyre nga një aktivitet i ligjshëm dhe që të jenë paguar detyrimet përkatëse.

Nisur nga këto konstatime, vëzhguesit ndërkombëtarë shprehen se kursimet e deklaruara nga subjekti në vitin 2003 nuk duhet të konsiderohen në analizën financiare.

Po ashtu, ONM kërkon që të ardhurat e deklaruara nga subjekti si të përfituara nga puna si kamarier për periudhën 1995-2000 të mos përfshihen në analizën finananciare për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 128 m2 në Vlorë në shumën 55,452 euro në shtator të 2016-ës.

Ashtu si edhe anëtarja në pakicë, Brunlida Bekteshi, ONM kërkon që të hetohet në Kolegj mundësia e prindërve të ish-bashkëshortes së subjektit për të dhënë një shumë 25 mijë euro në vitin 2001 që ka shërbyer për shlyerjen e një kredie të marrë për rikonstruksionin dhe mobilimin e një apartamenti të blerë në vitin 2009.

Megjithëse Hoxha dhe Lluri nuk kishin lidhur martesë në atë periudhë, ONM konstaton se ai ka qenë dorëzanës në kredinë e marrë nga bashkëshortja dhe konsideron se prej asaj kohe e në vazhdimësi ai ka qenë person i lidhur. Gjithashtu, apartamenti në fjalë, aktualisht zotërohet nga gjyqtari Hoxha.

ONM ngre gjithashtu dyshime se Hoxha është pronari “de facto” i një automjeti tip Audi në pronësi të babait të tij, të blerë në qershor të vitit 2011 kundrejt shumës 37 mijë USD dhe 931 mijë lekë taksa dhe detyrime doganore.

Vëzhguesit ndërkombëtarë sjellin në vëmendje se një javë pasi është nxjerrë leja e qarkullimit për automjetin, në korrik të vitit 2011, poseduesi ka nënshkruar një kontaratë përdorimi me subjektin Gerd Hoxha për të transferuar të drejtat e përdorimit të makinës brenda dhe jashtë Shqipërisë për një kohë të papërcaktuar. Gjithashtu, në deklaratën noteriale të përdorimit është përcaktuar se nga dita e marrëveshjes, subjekti i rivlerësimit si huammarrës, do të mbante të gjitha pergjegjësitë ligjore për këtë automjet si dhe do të jetë përgjegjës për mirëmbajtjen fizike të tij.

“…kjo mund të jetë një pasuri e fshehur e gjyqtarit Gerd Hoxha dhe e përdorur nga e gjithë familja e tij,” thuhet në rekomandimin e ONM.

ONM vlerëson ndryshe nga Komisioni lidhur me deklarimet e gjyqtarit Gerd Hoxha për burimet e krijimit të një automjeti tip Citroen C4 të blerë në vitin 2012 kundrejt vlerës 16 mijë e 500 euro.

Ndërkohë që KPK është bindur me shpjegimin e subjektit se “mosdeklarimi i rritjes së bilancit të parave të gatshme me shumën prej 1,2 milionë lekë për vitin 2011, është arsyeja e mungesës së kapacitetit financiar në vitin 2012” – ONM e konsideron të pamjaftueshëm dhe vlerëson se Hoxha ka mungesë financiare për blerjen e kësaj pasurie.

Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, ankimi do të bëjë të mundur kryerjen e një hetimi të thelluar për subjektin e rivlerësimit; personat e lidhur dhe personat e tjerë të lidhur; analizat e tyre financiare; pasuritë e tyre si dhe aftësitë profesionale të subjektit, të cilat do të siguronin nëse ai e gëzon besimin e publikut, që është një nga qëllimet kryesore te procesit të vetingut.

Në rekomandim, ONM kërkon që ankimi të përfshijë edhe gjetjet e vëzhgueses ndërkombëtare për vendimarrjen e Goxhës si anëtar i KLD-së, veçanërisht në dhënien e lejes prindërore për ish-gjyqtarin Gjin Gjoni si dhe rrëzimin e një mase disiplinore ndaj gjyqtarit Petrit Aliaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *