Lajme

ONM: Procedim disiplinor kundër Komisionerit Publik Heral Saraçi

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, institucioni më i lartë i vetingut, njoftoi të mërkurën se do të marrë në shqyrtim një procedim disiplinor ndaj Komisionerit Publik Heral Saraçi, i filluar me kërkesë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Komisioneri Publik, Heral Saraçi, duke folur gjatë ceremonisë së inagurimit të godinës ku do të ushtrojnë funksionin tre komisionet e reformës në drejtësi.

Një komision disiplinor i përbërë prej tre anëtarësh së Kolegjit të Apelimit pritet të mblidhet të hënën me 5 mars, për të shqyrtuar procedimin displinor kundër Komisionerit Publik Heral Saraçi. Komisioni disiplinor do të përbehet nga gjyqtarët Sokol Çomo, Albana Shtylla dhe Ardian Hajdari.

“Lidhur me këtë procedim disiplinor, gjyqtari hetues zj. Natasha Mulaj ka depozituar në datë 26 shkurt 2018, për shqyrtim pranë Komisionit Disiplinor, Raportin mbi rezultatet e hetimit për shkelje disiplinore,” tha Kolegji i Posaçëm i Apelimit në një njoftim për shtyp të mërkurën.

“Ky procedim disiplinor ka filluar me kërkesë të vëzhguesve ndërkombëtarë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit,” shtoi Kolegji i Apelimi, duke nënvizuar së treshja e gjyqëtareve duhet të marrë një vendim brenda 15 ditësh nga marrja e raportit.

Saraçi nuk ishte i arritshëm për koment të mërkurën pasdreke.

Komisioneri Publik është një institucion i ngritur si pjesë e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili ka për detyrë përfaqësimin e interesit publik gjatë kryerjes së vetingut.

Sipas Kushtetutës ky institucion ushtron apelimin  e vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe përgatit raporte me shkrim në rastet e refuzimit për moszbatimin e rekomandimeve te Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për të paraqitur ankim ne Kolegjin e Apelimit.

Komisioneri Publik rivlerëson deklaratat e subjekteve, si dhe bashkëpunon me institucionet vendase dhe të huaja për të konfirmuar vërtetësinë e deklarimeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve të marrë nën hetim.

Njoftimi i Kolegjit të Apelimit nuk bën të qartë se cilat janë shkeljet e pretenduara të Z. Saraçi. Institucioni i Komisionerit Publik ka aktualisht dy komisionerë të zgjedhur dhe dy zëvendësues, ku përveç z. Saraçi, përfshihet dhe Komisioneri Florian Ballhysa.

Në rast se Z. Saraçi shkarkohet nga detyra, ai do të zëvendësohet nga një prej komisionerëve zevendësues Aldona Sylaj dhe Dariel Sina, të cilët kanë marrë secili nga 6 vota në komisionin parlamentar ad hoc.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *