Opozita skeptike ndaj propozimit të Manjës për shtesë mandati të vetingut
Lajme

Opozita skeptike ndaj propozimit të Manjës për shtesë mandati të vetingut

Oferta e ministrit të propozuar të Drejtësisë Ulsi Manja për të zgjatur mandatin e KPK, u ironizua nga Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në Partinë Demokratike Ivi Kaso, që tha se priste shpjegime për mosbesimin e shumicës ndaj institucioneve të reja të drejtësisë.

Ministri i ardhshëm i Drejtësisë, Ulsi Manja

Në fjalën e mbajtur në seancën e Kuvendit të Shqipërisë, ku po prezantohet programi i qeverisë së tretë me kryeministër Edi Rama, ministri i propozuar i drejtësisë Ulsi Manja tha se do të kërkojë votat e opozitës për të shtyrë mandatin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerëve Publikë.

“Ky është mandat kushtetues dhe kërkon ndërhyrje në Kushtetutë. Ne nuk i kemi votat e nevojshme për ta zgjatur mandatin e KPK dhe KP, por do të kërkojmë mirëkuptimin dhe konsensusin e opozitës”, tha Manja në përgjigje të një pyetje nga deputetët në sallë.

Por Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në Partinë Demokratike Ivi Kaso ishte skeptik për propozimin. Kaso tha se PD do mbante një qëndrim publik shpejt për çështjen, por shtoi se kërkonte më shumë informacion nga shumica mbi “domosdoshmërinë e shtyrjes së mandatit të KPK”, ndërsa shtoi se situata ishte e rregulluar në Kushtetutë dhe nuk kishte “asnjë ngërç”.

Mandati i 12 anëtarëve të KPK dhe dy Komisionerëve Publikë mbaron në qershor të vitit që vjen, ndërsa janë vetuar diçka më shumë se gjysma e magjistratëve që ishin në plan. Anëtarët e KPK e filluan punën e tyre në qershor 2017, por vendimi i parë u dha në mars 2018.

Trupat, si të Komisionit ashtu edhe ajo e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i cili ka një mandat më të gjatë,  janë kritikuar në vijimësi nga monitoruesit e procesit për ngadalësinë e tij edhe pse në një pjesë të mirë të çështjeve hetimi administrativ është fokusuar vetëm në kriterin e pasurisë.

Manja tha se vetingun kishte përfunduar për 431 subjekte, ndërsa 370 të tjerë ende prisnin radhën. Kushtetuta parashikon që me përfundimin e mandatit të KPK-së procesi i vetingut për pjesën e mbetur të magjistratëve merret në dorë nga organet e reja të krijuara po prej reformës.  Këshilli i Lartë Gjyqësorë do të kryej sipas parashikimit vetingun për gjyqtarët dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë për prokurorët.

Por Maja pretendoi se shtesa e mandatit do të mundësonte përfundimin e procesit për të gjithë magjistratët me një standard.

“Për të garantuar vijueshmërinë e procesit dhe për të ruajtur standardet e arritura, Kushtetuese dhe ligjore tashmë të certifikuara edhe me vendimet e gjykatës së Strasburgut, ne jemi në komunikim edhe me bashkëautorët e reformës, SHBA dhe BE që ky proces të përfundohet nga organet e vetingut”, tha Manja.

Por Kaso nuk u duk i bindur me argumentet e dhëna nga ministri i propozuar i Drejtësisë. Kaso tha se parashikimet ligjore nuk lejonin që të krijohej ndonjë ngërç apo problem dhe se shumica duhej të shpjegonte më qartë domosdoshmërinë e shtyrjes së mandatit.

“Shumica duhet të shpjegojë domosdoshmërinë e shtyrjes së mandatit dhe pse nuk meritojnë besim organet e reja të drejtësisë KLGJ dhe KLP, të krijuara nga reforma. Këtë duhet ta sqarojë mazhoranca si suportere e madhe e reformës në drejtësi, të paktën me fjalë”, ironizoi Kaso, i cili po ashtu tha se PD do kishte shpejt një qëndrim zyrtarë mbi propozimin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *