Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Pas vetingut gjykatësja e Kurbinit pret konfirmimin në detyrë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit deklaroi gjatë seancës dëgjimore se nuk kishte gjetur probleme në asnjë prej tre kritereve vlerësuese për gjykatësen Marçela Shehu, kandidate për Këshillin e Lartë Gjyqësorë.

Trupa gjyqësore e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit gjatë seancës dëgjimore të gjyqtares së Kurbinit Marçela Shehu.

Marçela Shehu, gjyqtare e Gjykatës së Kurbinit, mund ta presë e qetë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Seanca dëgjimore e zhvilluar të premten për Shehun, njëkohësisht kandidate për të qenë pjesë e Këshillit të Lartë Gjyqësorë, zgjati vetëm 30 minuta. Gjatë seancës relatori Olsi Komici tha se Shehut nuk i ishin gjetur probleme në asnjë prej tre kritereve të vlerësimit – të përbëra nga  pasuria, pastërtia e figurës dhe profesionalizmi. Në fund të seancës vetë Shehu tha se ishte dakord me gjetjet. “Pres të konfirmohem në detyrë”, tha gjykatësja e cila ishte e pranishme vetë në seancë.

Në procesin ndaj Shehut trupa gjykuese e drejtuar nga Brunilda Bekteshi me anëtarë Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici, deklaroi se gjykatësja ishte hetuar për të tre kriteret dhe në mënyrë të pavarur nga raportet e institucioneve ndihmëse.  Relatori tha se Shehu “nuk kishte pasuri të pajustifikuar apo të fshehur”, konsiderohej e përshtatshme sa i përket pastërtis së figurës dhe ishte vlerësuar “e aftë profesionalisht”.

Vetë gjykatësja u shpreh e kënaqur me hetimin. Ajo tha se ishte “dakord me gjetjet dhe provat e përfshira në relacion”, po ashtu tha se pas këtij raporti priste të rikonfirmohej në detyrë. Vendimi për Shehun merret më datë 4 qershor.

Procesi i vetingut, apo rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve filloi konkretisht me seanca dëgjimore në fund të muajit mars. Shehu është subjekti i 9 i rivlerësimit dhe pas seancës dëgjimoret mund të konfirmohet në detyrë. Deri tani KPK ka konfirmuar tre subjekte, gjyqtaren e Kushtetueses, Vitore Tusha, prokuroren Fatjona Memçaj dhe gjyqtaren Manjola Xhaxho. Pesë zyrtarë të drejtësisë janë shkarkuar nga detyra për mosjustifikim të pasurisë, përfshirë tre gjyqtarë të Kushtetueses, Fatos Lulo, Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha, gjyqtarin e Apelit Besim Trezhnjeva dhe prokuroren Besa Nikëhasani. Disa anëtarë të sistemit të drejtësisë përfshi Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla dhanë dorheqjen duke iu shmangur procesit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *