Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

“Pasuria e fshehur dhe konflikti i interesit” bindën shumicën për shkarkimin e Brocit

Anëtari i Gjykatës së Lartë, Artan Broci ndau trupin gjykues në pro dhe kundër shkarkimit. Argumentet e shumicës flasin për deklarime kontradiktore, mungesë burimesh financiare, konflikt interesi dhe një apartament të fshehur, ndërsa kryesuesja Pine mbron idenë se Komisioni nuk i vërtetoi shkeljet.

Artan Broci pas seancës dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimeve në Tiranë më 27 korrik 2017. Foto: BIRN

Trupi gjykues i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është ndarë 2 me 1 për shkarkimin e anëtarit të Gjykatës së Lartë, Artan Broci. Ndryshe nga anëtaret Valbona Sanxhaktari dhe Etleda Çiftja, kryesuesja Xhensila Pine votoi kundër.

Në vendimin e zbardhur, shumica ka argumentuar se gjyqtari Artan Broci “nuk ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë” si dhe ka marrë notë negative në kriterin e aftësive profesionale, duke “cënuar besimin e publikut te drejtësia”.

Sipas vendimit të shumicës, hetimi administrativ për gjyqtarin Broci ka zbuluar raste ku ai ka bërë deklarime të pamjaftueshme dhe kontradiktore, ka mungesë burimesh financiare të ligjshme si dhe ka bërë deklarim të rremë lidhur me vlerën reale të blerjes së një shtëpie në plazhin e Durrësit. Shkarkimi i gjyqtarit Broci motivohet gjithashtu nga bindja e dy anëtareve të trupit gjykues se ai ka pasuri të fshehur të padeklaruar dhe se në të paktën në dy raste, gjendej në situatën e konfliktit të interesit.

Përveç kriterit të pasurisë, vendimi i argumentuar i shumicës ndalet te numri i lartë i denoncimeve nga publiku, një vendim i Gjykatës Kushtetuese dhe rastet e konfliktit të interesit për të arritur në përfundimin se gjyqtari Artan Broci ka cënuar besimin e publikut te drejtësia.

Ndryshe nga dy anëtarët e trupit gjykues të KPK-së, kryesuesja Xhensila Pine ka shprehur bindjen se gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Artan Broci nuk ndodhet në asnjë nga rastet e parashikuara në nenin 61 të ligjit 84/2016 për shkarkimin nga detyra.

Në mendimin e pakicës, Pine ka argumentuar se gjyqtari Broci ka arritur të shpjegojë bindshëm burimin e pasurisë së tij, ndërkohë që sipas saj nuk ka qenë në kushtet e interesit faktik apo të papajtueshmërisë si anëtar i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë.

Problemet me pasurinë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë në shqyrtim pasurinë familjare të gjyqtarit Artan Broci, e cila përbëhet nga një njësi tregtare 63 metra katrorë në Tiranë, një apartament banimi 143 metra katrorë ku ai është bashkëpronar, një apartament tjetër prej 157 metrash katrorë, një shtëpi plazhi në Durrës të shitur për 102 mijë euro, investimin në bono thesari prej 10 milionë lekësh, një zyrë 51 metra katrorë në Tiranë si dhe një shtëpi private në Shkodër me sipërfaqe 90 metra katrorë dhe truall 396 metra katrorë.

Komisioni evidentoi faktin se në emër të Brocit ekzistonin dy kontrata aktive me OSHEE-në dhe UKT-në për një apartament të padeklaruar prej tij, fakt ky që e shtyu shumicën të ngrejë dyshime për pasuri të fshehur prej tij.

Sipas vendimit të zbardhur, gjyqtari Broci ka arritur të shpjegojë burimin për njësinë tregtare dhe apartamentin 143 metra katrorë, pjesë e së cilit është edhe një shtesë e përfituar përmes legalizimit. Por KPK evidenton faktin se deklaratat e subjektit janë kontradiktore, pasi shtesa në kontratë është 46 metra katrorë dhe në realitet 65.7 metra katrorë.

Për pasurinë apartament banimi 157.99 metra katrorë, i deklaruar nga subjekti me vlerë 6.8 milionë lekë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka evidentuar gjatë hetimit administrative një sërë problemesh.

“Në vitin 2011, Broci ka blerë shtepi banimi me sipërfaqe 97 metra katrorë dhe e ka shkëmbyer atë me një apartament 92 metra katrorë,” thuhet në vendimin e shumicës. Në vitin 2016, këtij apartamenti i është bashkangjitur një shtesë prej 65.7 metrash katrorë e përfituar nga subjekti i rivlerësimit përmes një kontrate dhurimi dhe më pas prona prej 157.99 metrash është regjistruar si e tërë. Vlera e rivlerësuar e kësaj pasurie, sipas KPK-së është 11.6 milionë lekë.

Shumica në trupin gjykues ka evidentuar probleme me pagesat për blerjen e kësaj pasurie si dhe me faktin që gjyqtari Broci ka qenë në konflikt interesi. Në deklaratën veting, subjekti ka raportuar se burimi është shuma prej 7 milionë lekësh e tërhequr nga investimi i tij 10 milionësh i bonove të thesarit, por KPK ka evidentuar se ai kishte tërhequr vetëm 4 milionë lekë në qershor dhe pjesën tjetër pas datës 7 korrik, kur rezulton i shlyer apartamenti.

KPK ka verifikuar gjithashtu origjinën e shtesës prej 65.7 metra katrorë të përfituar nga Broci përmes një kontrate dhurimi dhe zbuloi se bashkëshorti i dhurueses me inicalet T.N ka qenë në të njëjtën kohë palë në një proces gjyqësor në Gjykatën e Lartë.

“Nga verifikimet e Komisionit rezultoi se në vitin 2014, gjyqtari Broci kishte shqyrtuar një çështje me palë L.Q dhe T.N dhe Agjencinë e Pronave në Berat… Kontrata e dhurimit përkon me kohën në të cilën është kryer edhe procesi gjyqësor në Gjykatën e Lartë, e cila ka ngritur dyshime për trupin gjykues,” thuhet në vendimin e shumicës.

I pyetur në lidhje me konfliktin e interesit, gjyqtari Broci është mbrojtur me faktin se ai nuk ka shqyrtuar themelin e çështjes me palë shtetasin T.N, por vetëm çështjen e gjykatës kompetente nga pikëpamja lëndore.

Shpjegimet e subjektit të rivlerësimit nuk e bindën trupin gjykues për të kundërtën e rezultateve të hetimit, duke mbetur e dyshimtë mënyra e kryerjes së pagesës për blerjen e kësaj prone qysh prej fillimit, po ashtu edhe gjendja në situatën e konfliktit të interesit.

Shumica në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit evidenton një rast të dytë të konfliktit të interesit me një apartament të blerë në plazhin e Durrësit nga gjyqtari Broci, nga një kompani ndërtimi e cila ka qenë më pas palë në një proces civil të gjykuar nga subjekti i rivlerësimit.

Apartamenti në plazh rezulton i blerë në vitin 2006 për një shumë të deklaruar prej 55 mijë eurosh, por që verifikimet kanë zbuluar se gjyqtari kishte përfituar ulje të çmimit nga kompania. Apartamenti është shitur në vitin 2010 për 102 mijë euro.

Në qershor 2014, gjyqtari Broci kishte gjykuar një çështje me palë kompaninë e ndërtimit që i kishte shitur shtëpinë në Durrës dhe vendimi ishte në favor të saj, duke rrëzuar një vendim të Gjykatës së Apelit që e detyronte kompaninë të paguantë 391 mijë euro dëm.

“Për arsye të marrëdhënies që subjekti i rivlerësimit kishte me shtetasin A. S dhe firmën…, si dhe miqësisë së hershme që ai kishte me ortakët e saj, ai duhet të kishte kërkuar dorëheqjen në bazë të ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” nga kjo çështje gjyqësore,” thuhet në vendimin e shumicës së KPK.

Një fakt i tillë është konfirmuar edhe nga ILDKPKI, e cila pasi shqyrtoi dokumentet e KPK-së arriti në përfundimin se Broci ka vepruar në kushtet e konfliktit të interesave dhe të papajtueshmërisë së funksionit publik.

Gjyqtari Broci e ka kundërshtuar këtë fakt, duke argumentuar se marrëdhënia financiare me kompaninë kishte ndodhur dhe ishte mbyllur shumë vite më parë. Një argument i tillë nuk është pranuar nga shumica.

Në vendimin e zbardhur evidentohet shmangia nga tatimet për apartamentin e shitur në Durrës dhe mungesë  burimesh financiare për blerjen e një zyre në vitin 2003 në Tiranë. Por pozita e gjyqtarit Broci është rënduar në gjykimin e shumicës nga zbulimi i dy kontratave aktive me OSHEE-në dhe UKT-në për një apartament në Tiranë, i cili rezulton nën emrin e një personi tjetër.

Gjyqtari Broci mohoi të kishte pasuri të padeklaruar dhe pretendoi se emri i tij ndodhej aty në mënyrë fiktive. Subjekti i rivlerësimit paraqiti në KPK komunikimet me OSHEE-në dhe UKT-në, të cilat pas ankesës së tij i regjistruan ato në emër të pronarit. Por KPK thotë se mbetet e pasqaruar se pse emri i gjyqtarit gjendej në ato kontrata dhe se shpjegimet e subjektit të rivlerësimit nuk bindën për të kundërtën.

Aftësitë profesionale

Gjyqtari Artan Broci u konsiderua i përshtatshëm për pastërtinë e figurës nga DSIK dhe KPK. Por ai shënoi gjithashtu një rekord negativ në kriterin e aftësive profesionale.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit thotë në vendimin e zbardhur se mori 27 denoncime nga publiku për gjyqtarin Broci dhe deri në seancën dëgjimore, numri i ankesave u rrit në 33. Për këtë arsye, shumica thotë në vendim se shtatë prej ankesave iu drejtuan Inspektoriatit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për analizë.

Në përgjigjen e Inspektoriatit rezultoi se në 3 prej çështjeve, gjyqtari Broci, ndryshe nga ç’thoshte ankuesi nuk kishte qenë relatori i çështjes ose në një rast nuk e kishte filluar shqyrtimin e saj. Në katër denoncimet e tjera, IKLD vëreu “mangësi të dukshme” në arsyetimin e vendimeve si dhe në njërin prej tyre tejkalim të afateve ligjore.

Në komunikimin me KPK-në, gjyqtari Broci i cilësoi denoncimet nga publiku të tilla që duhet të adresohen në shkallën më të lartë. Për akuzat për korrupsion, ai u përgjigj se janë pretendime të palëve të pakënaqura nga vendimi gjyqësor. Broci evidentoi gjithashtu ankesa për çështje që nuk ka qenë relator apo për ankesa edhe kur ai ishte tërhequr nga relatimi.

Komisioni ka evidentuar gjithashtu një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili rrëzonte një vendim të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë me relator zotin Broci. Përmes këtij vendimi, Gjykata Kushtetuese evidentonte faktin se “gjyqtari Artan Broci nuk ka respektuar parimin e paanësisë”.

“Në analizë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese…të denoncimeve të ardhura nga publiku si dhe mosndërmarrja e veprimit ligjor, lidhur me deklarimin e konfliktit të interesit, të paktën në një rast…gjykojmë se subjekti i rivlerësimit ka cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë,” thuhet në vendimin e shumicës.

Mendimi i pakicës

Kryesuesja e trupit gjykues, Xhensila Pine mbrojti idenë në mendimin e pakicës së gjyqtari Artan Broci duhej konfirmuar në detyrë. Sipas saj, subjekti i rivlerësimit arriti të provojë të ardhurat e siguruara nga qiraja e një dyqani në Tiranë dhe e shtëpisë në Shkodër, ç’ka sipas saj rrëzojnë pretendimet për mungesë burimesh financiare në vendimin e shumicës.

Gjyqtarja Pine ka argumentuar gjithashtu se Broci kishte të ardhura të mjaftueshme për të blerë shtëpinë në Durrës në vitin 2006 dhe se ai kishte arritur të shpjegonte shitjen e kësaj pasurie në vitin 2010. Ajo ka shtuar se subjekti ka sqaruar se ka përfituar një ulje prej 5 mijë eurosh dhe nuk mund të ngarkohet me përgjegjësi ligjore se ka kryer deklarim të rremë.

Lidhur me apartamentin e dytë të përfituar përmes shkëmbimit, Pine shpjegon një situatë të ndryshme nga vendimi i shumicës. Sipas saj, Broci jetonte në katin e parë të një godine, ndërkohë që fqinji i katit të tretë po shiste shtëpinë e tij. Gjyqtari e ka blerë këtë apartament dhe për të krijuar lidhjen me pronën tjetër të tij është bërë shkëmbimi me fqinjin e katit të dytë. Lidhur me pagesat, ajo argumenton se nga hetimi është provuar se 4 milionë lekë u shlyen me kontratën dhe 3 milionë lekë të tjera u shlyen në shtator, kur ai tërhoqi këstin e dytë nga banka.

Në mendimin e pakicës argumenton se asnjëra prej rasteve të konstatuara si konflikt interesi nuk përmbushin kushtet ligjore për të qenë të tilla. Ndërsa për konstatimin se gjyqtari Broci ka pasur të fshehur, Pine argumenton se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk arriti të gjejë asnjë gjurmë që e lidh subjektin e rivlerësimit me apartamentin në fjalë.

“Nga ky hetim rezultoi se nga OSSHE dhe UKT nuk u arrit të gjendet as të provohet se ka pasur kontratë të lidhur për këtë pasuri, me subjektin e rivlerësimit. Për më tepër, këto institucione pranuan se bëhet fjalë për gabime që mund të ndodhin në sistemet e tyre. Nga ky hetim nuk u evidentua dhe nuk u provua asnjë kontakt njohjeje apo miqësie midis pronarit të shtëpisë, shtetasit A. B, dhe subjektit të rivlerësimit,” argumenton Pine.

Në fund, ajo jep mendimin se shumica nuk duhej të kishte disponuar me shkarkim, por me konfirmimin në detyrë për gjyqtarin Artan Broci.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *