Seanca e shpalljes së vendimit për gjyqtarin, Rexhep Karaj | Foto: E. Hoxhaj
KPK Veting

Pasuria e pajustifikuar i dha fund karrierës së gjyqtarit Rexhep Karaj

Me datë 25 nëntor, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, Rexhep Karaj.

Trupi gjykues i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili kreu procesin e vetingut për subjektin e rivlerësimit, përbëhej nga Etleda Çiftja kryesuese, Roland Ilia relator dhe Firdes Shuli anëtare.

Hetimi adminstrativ i KPK-së është ndihmuar nga raportet e  vlerësimit të institucioneve ndihmëse, përfshirë Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Megjithatë, procesi i rivlerësimit për gjyqtarin Karaj është realizuar vetëm për një nga tre kriteret e rivlerësimit – pasurinë familjare të subjektit.

Rexhep Karaj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punoi për dy dekada si gjyqtar në Gjykatën e Matit. Paralelisht me procesin e vetingut, Karaj është aktualisht në një hetim disiplinor nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë.

Sipas raportit të ILDKPKI-së, subjekti i rivlerësimit Rexhep Karaj nuk ka bërë deklarim të saktë dhe në përputhje me ligjin, si dhe ka mungesë dokumentacioni ligjor për të justifikuar burimin financiar të pasurive.

Përtej raportit të dorëzuar në KPK nga ILDKPKI, Komisioni ka ndërmarrë një hetim të pavarur administrativ, duke u bazuar në deklaratën veting të bërë nga subjekti i rivlerësimit, deklaratat periodike nga viti 2003 deri në vitin 2017, deklaratat periodike të vajzës subjekt deklarues, provat dhe deklarimet me shkrim të dorëzuara nga subjekti dhe dokumentet e administruara nga institucionet publike.

Komisioni ka hetuar një numër pasurish të patundshme dhe automjetesh, likuiditetet bankare dhe në para të thata të subjektit dhe personave të lidhur, si dhe huamarrjet dhe huadhëniet e tyre gjatë periudhës së deklarimit 2004-2017.  

Në asetet e marra në shqyrtim përfshihet një apartament banimi 76.17 m2 në qytetin e Burrelit, një shtëpi banimi me sipërfaqe 208 m2 dhe 300 m2 truall, një tokë bujqësore me sipërfaqe 38,864 m2 në bashkinë Klos, si dhe tre automjete.

Gjithashtu KPK ka hetuar një huadhënie prej 50 mijë eurosh kundrejt një shoqërie tregtare nga subjekti i rivlerësimit, llogari bankare rrjedhëse në emër të subjektit, bashkëshortes dhe vajzës së tij, një automjet në pronësi të vajzës së subjektit, një hua të marrë në vlerë 4 mijë euro, si dhe deklarimet e kursimeve cash ndër vite.  

Subjekti i rivlerësimit ka deklaruar se apartamenti me sipërfaqe 76.17 m2, me vendndodhje në Mat, është blerë në vitin 2007 nga Enti Kombëtar i Banesave me vlerë 524,608 lekë dhe pjesë takuese 83.3%. Sipas deklarimeve të subjektit, pagesa e apartamentit është bërë me këste dhe Bono Privatizimi. Subjekti gjithashtu ka deklaruar se nga viti 1995 deri në vitin 2007 – vit kur është realizuar privatizimi, nuk ëshë kryer asnjë pagesë kundrejt këtij aseti.

Nga hetimi administrativ i KPK-së ka rezuluar se në deklaratën periodike të vitit 2004, subjekti ka deklaruar një apartament me vlerë 1.3 milionë lekë. Edhe pse gjatë pyejteve të dërguara nga KPK, gjyqtari ka pranuar se bëhet fjalë për të njejtin apartament, ai ka pretenduar se deklarata vjetore e vitit 2004 nuk është plotësuar nga ai, por nga bashkëshortja dhe një koleg i gjykatës, për shkak se vet ishte jashtë vendit në atë periudhë. Gjithashtu, hetimi i KPK-së ka zbuluar se pagesa për apartamentin nëpërmjet Raiffeisen Bank është bërë në vitin 2006 dhe jo në vitin 2007.

Nga analiza financiare ka rezultuar se në vitin e deklarimit të apartamentit, subjekti dhe personat e lidhur kishin mundësi financiare për blerjen e pasurisë dhe kryerjen e shpenzimeve të tjera të periudhës. Komisioni nuk e konsideroi si problematikë për penalizimin e subjektit të rivlerësimit blerjen e këtij aseti.

Megjithatë, Komisioni e ka gjetur të pajustifikuar dhe të paargumentuar dorëzimin e një deklarate periodike në ILDKPKI që nuk ishte e firmosur nga gjyqtari, si dhe të papranueshme që kjo deklratë ishte firmosur në emër të gjyqtarit nga dikush tjetër.  

Përveç apartamentit në Burrel, subjekti ka deklaruar gjithashtu pronësinë mbi një shtëpi banimi me sipërfaqe ndërtimi 208 m2 dhe 300 m2 truall, të trashëguar nga prindërit. Gjatë hetimit administrativ, KPK i ka kërkuar subjektit të paraqesë dokumentacionin e plotë lidhur me fitimin e të drejtës së trashëgimisë mbi pasurinë e cituar.

Subjekti ka dorëzuar në KPK vërtetime nga komuna dhe nga Zyra Vendore e Kadastrës Mat, ku sipas të cilës ka të regjistruar 96 m2 ndërtesë dhe 300 m2 truall. Komisioni i kaluar subjektit barrën e provës, për sa i përket origjinës së këtij aseti. Pas shpjegimeve, dokumenteve dhe fotove të vëna në disponicion nga gjyqtari, Komisioni ka arritur në përfundimin se subjekti nuk ka pasur qëllim fshehjen e pasurisë. Megjithatë, KPK ka nënvizuar se subjekti nuk ka qenë bashkëpunues për të khyer përgjigje ndaj Komisionit. Edhe për tokën prej 38,864 m2 në Klos, Komisioni është ankuar se subjekti nuk qenë bashkëpunues, edhe pse nuk kemi të bëjmë me fshehje pasurie.  

Për sa i përket huasë prej 50,000 euro dhënë një shoqërie tregtare, Komisioni ka vlerësuar se subjekti dhe personat e lidhur kanë pasur mungesë burimesh financiare në vlerë 4.5 milionë lekë për dhënien e saj në vitin 2016. Subjekti, në përgjigje të rezultateve të hetimit, ka sqaruar se qëllimi i kontratës së dhënies hua të shumës 50,000 euro ka qenë pagesa për porosinë e një apartamenti pas dy vitesh. Subjekti i rivlerësimit ka lidhur një kontratë porosie duke e trajtuar si kontratë huaje. Sipas KPK-së ky veprim nuk ka pasoja juridike, por duke marrë në konsideratë funksionin e subjektit, ka çuar në cënimin e figurës së tij si gjyqtar.

Përveç probleme me pasuritë e patundshme, Komisioni ka konstatuar pamundësi financiare për blerjen e një automjeti Fiat Punto si dhe mosdeklarimin e një apartamenti në Tiranë në përdorim, ku kanë jetuar fëmijët e subjektit të rivlerësimit.

Nga analiza financiare, Komisioni arriti në konkluzionin se subjekti ka pasur një pamundësi totale financiare nga fillimi i detyrës deri në vitin 2016 në vlerën 7,8 milionë lekë.

Në përfundim të vlerësimit për kriterin e pasurisë, KPK ka arritur në përfundimin se subjekti ka bërë deklarime kontradiktore dhe nuk ka qenë bashkëpunues gjatë hetimit administrativ, ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë dhe kryerjen e shpenzimeve për periudhën 2003 – 2016, si dhe ka bërë deklarim të pasaktë dhe të pamjafteushëm.

“Kështu që, në rastin e subjektit të rivlerësimit Rexhep Karaj për kriterin e vlerësimit të pasurisë, vërtetohen shkaqet e parashikuara në nenin D të Kushtetutës, të parashikuara të tilla që tëzbatohet parimi i prezumimit në favor të masës disiplinore të shkarkimit,” përfundon Komisioni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *