Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Petrit Fusha dha dorëheqjen 1 ditë pasi iu kalua “barra e provës”

Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha dha dorëheqjen pasi u njoh me rezultatet e hetimit 1-vjeçar kundër tij nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, duke i kursyer vetes ballafaqimin me barrën e provës.

Ish-kreu i Prokurorise se Tiranes, Petrit Fusha. Foto: LSA

Më 28 shkurt 2019, ish-drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha i dorëzoi dorëheqjen Këshillit të Lartë të Prokurorisë me motivimin se “prokuroria nuk ishte më vendi ku mund të shërbente pas një përvoje 32-vjeçare”. Statusi i magjistratit për Fushën përfundoi më 31 mars 2019.

Por ndryshe nga letra e dorëheqjes, vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit tregon se Petrit Fusha vendosi të largohej nga Prokuroria vetëm një ditë pasi mori në dorëzim rezultatet e hetimit në kuadër të vetingut dhe iu  kalua barra e provës mbi bazën e nenit 52 të ligjit “për rivlerësimin kalimtar..”.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e nisi procesin e vetingut për Petrit Fushën në janar të vitit 2018 dhe e përfundoi hetimin kryesisht më 26 shkurt 2019. Në të njëjtën ditë, Fusha u njoftua për t’u njohur me materialet e dosjes, dokumentet e administruara nga Komisioni si dhe rezultatet e hetimit.

“Më datë 27.02.2019, subjektit të rivlerësimit iu dërguan rezultatet e hetimit administrativ kryesisht si dhe iu kalua barra e provës bazuar në nenin 52 të ligjit nr. 84/2016,” thuhet në vendimin e KPK-së.

Petrit Fusha ka ushtruar detyrën e prokurorit nga viti 1997 deri më 28 shkurt 2019, kur vendosi të largohej me dorëheqje nga sistemi. Ai ka punuar në prokurorinë e Tiranës për një periudhë 15 vjeçare dhe u emërua drejtues i kësaj prokurorie në vitin 2013. Në vitin 2017, Fusha u transferua në Prokurorinë e Përgjithshme.

Pas vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për mbarimin e statusit të magjistratit, edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të ndërpresë procesin e vetingut për Fushën, bazuar në nenin G të Aneksit të Kushtetutës.

Në vendimin e zbardhur, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit thekson gjithashtu se Fusha ka humbur të drejtën për të punuar në sistemin e drejtësisë së çdo niveli për një periudhë 15-vjeçare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *