Gjyqtarja Eda Kaja e Gjykatës së Durrësit pas seancës dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

“Pikat e nxehta” në hetimin e KPK për pasurinë e gjyqtares Eda Kaja

Gjyqtarja e Durrësit, Eda Kaja dha shpjegime në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit lidhur me mungesat e burimeve të pasurive që janë konstatuar si pasojë e moskonsiderimit të gjithë të ardhurave të përfituara nga shitja e pasurive të luajtshme dhe atyre të paluajtshme, pasi nuk janë paguar të plota detyrimet tatimore.

Gjyqtarja Eda Kaja e Gjykatës së Durrësit pas seancës dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.

Gjyqtarja Eda Kaja e Gjykatës së Rrethit Durrës u përball të enjten më 11 nëntor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore që zgjati afro katër orë, u pyet dhe dha shpjegime për problemet e konstatuara për pasurinë, kriterin e vetëm për të cilin është përfunduar hetimi administrativ. Kaja u paraqit në seancë së bashku me përfaqësuesen e saj ligjore, avokaten Romina Zano.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Kaja po kryhet nga trupi gjykues i KPK i kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Xhensila Pine. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.

Eda Kaja e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1992 si ndihmës gjyqtare dhe është emëruar në funksionin e gjyqtares në 1994-ën. Ajo punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtare e Gjykatës së Durrësit.

Kyesuesja Sanxhaktari sqaroi në fillim të seancës se një kërkesë e subjektit të rivlerësimit për çeljen e hetimit administrativ edhe për dy kriteret e tjera do të shqyrtohet pas njohjes me shpjegimet dhe provat përfundimtare të paraqitura nga Kaja gjatë seancës dëgjimore.

Problemet për pasurinë

Gjatë seancës u relatuan një listë e gjatë gjetjesh për disa pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, për transaksionet e të cilave janë ngritur dyshime për Komisionin për veprime fiktive me qëllim shmangien e detyrimeve. Ndërkohë që subjekti jepte shpjegime, kryesyesja Sanxhaktari kjërkoi sqarime të hollësishme duke shteruar edhe pyetjet e komisionerëve të tjerë. Në fund të seancës, relatori Komici përmblodhi gjetjet e Komisionit, që i konsideroi si “pika të nxehta” të këtij hetimi administrativ.

Për një apartament me sipërfaqe 115.9 m2 në Durrës dhe një garazh me sipërfaqe 19.4 m2, subjekti ka deklaruar se i ka përfituar si bashkëpronare e truallit, sipas kontratës së shkëmbimit të vitit 2009. Për garazhin, shoqëria ndërtuese rezulton bashkëpronare me pjesë takuese 9.4 m2.

Sipas Komicit, kanë rezultuar deklarime kontradiktore të subjektit lidhur me përfitimin e apartamentit, pasi në vitin 2005 ka deklaruar se do të paguante shumën 37 mijë euro për sipërfaqen 90 m2 dhe do të përfitonte falas 30 m2, ndërsa në 2009-ën është përcaktuar përfitimi i pasurive në shkëmbim të truallit.

Në seancë u konstatua se subjekti ka deklaruar pagesën e shumës 10 mijë euro në vitin 2005, por nuk ka deklaruar shlyerjen e shumës së mbetur 27 mijë euro, si dhe burimin e kësaj shume.

Gjyqtarja Eda Kaja zgjodhi të jepte vetë shpjegime për shumicën e gjetjeve. Në disa raste ajo u emocionua dhe kërkoi ndjesë për përlotjet, ndërkohë që deklaroi se punon si gjyqtare prej tre dekadash dhe se është treguar gjithmonë e kujdeshme në zbatimin e ligjit dhe për dhënien e drejtësisë.

Ajo shpjegoi se trualli ishte përfituar prej saj nëpërmjet trashëgimisë, ndërsa gjyshi e kishte fituar në bazë të vendimit të Komisionit të Kthimit të Pronave. Sipas Kajës, nuk kishte pasaktësi në deklarimin e sipërfaqeve, pasi në kontratën paraprake, nuk ishte përcaktuar sipërfaqja përfundimtare për shkak se objekti mund të ndryshonte. Ajo theksoi se burimi i këtyre pasurive ishte kontrata e shkëmbimit e vitit 2009.

Kaja këmbënguli se kishte deklaruar në ILDKPKI në vitin 2010 sipërfaqen e pasurive të pëfituara nga kontrata e shkëmbimit, si dhe këtë të fundit si burim për krijimin e tyre. Sipas Kajës, në asnjë rast pasaktësitë në deklarimet vjetore nuk kanë pasur si qëllim fshehjen e pasurive apo burimit.

Nga hetimi ka rezultuar se bazuar në kontratën e shkëmbimit më shoqërinë ndërtuese, subjekti ka qenë përfituese me pjesë takuese edhe për një njësi shërbimi me sipërfaqe 23.79 m2, por ka rezultuar se subjekti nuk e ka deklaruar shitjen e kësaj pasurie në vitin 2012. Komisioni konstaton çmime të ndryshme të shitjes mes kontratës së premtim-shitjes të vitit 2008 ku përcaktohet vlera 46 mijë euro, me atë të kontratës përfundimtare të shitjes të vitit 2012 për çmimin 2.6 milionë lekë.  Nisur nga ky fakt, KPK ngre dyshim se kjo është bërë me qëllim shmangien e pagimit të detyrimit tatimor për vlerën 46 mijë euro të përfituar.

Kaja dhe avokatja Zano shpjeguan se çmimi real i përfituar është ai sipas kontratës të premtim shitjes, ndërkohë që vlera 23 mijë euro e shënuar në kontratën e shitjes të vitit 2012 përfaqësonte detyrimin e mbetur të blerësit. “Nuk kam dijeni përse është vendosur ajo shumë. Mbetet dyshim i paprovuar dhe nuk ka fshehje,” tha Kaja.

Komisioni konstatoi edhe situatën e subjektit në kushtet e konfliktit të interesit në dukje gjatë shqyrtimit të një vendimi për mosfillim hetimesh të prokurorisë, ku shoqëria ndërtuese kishte qenë në cilësinë e kallëzuesit. Komici evidentoi se pavarësisht vendimit të marrë për rrëzimin e ankimit, subjekti duket se gjendej në kushtet e heqjes dorë.

Kaja dhe Zano e kundërshtuan këtë konstatim. Sipas subjektit, ajo kishte pasur marrëdhënie kontraktuale me shoqërinë ndërtuese dhe jo me administratorin personalisht. Gjithashtu, duke iu referuar Kodit të Procedurës Penale, Kaja tha se është përcaktuar qartë se kur duhet të hiqet dorë nga shqyrtimi i një çështje apo kërkese penale, si dhe solli në vëmendje faktin se vendimi i saj ishte lënë në fuqi.

Situatë e ngjashme me ato të kontratave për shitjen e dyqanit, që kanë sjellë pagesën e detyrimeve tatimore për një vlerë më të vogël nga ajo e deklaruar si e përfituar, u konstatua edhe në transaksionin e shitjes së një apartamenti në vitin 2004 nga bashkëshorti dhe familja e tij e origjinës, të ardhura që janë deklaruar si burim për krijimin e pasurive të tjera.

Subjekti ka deklaruar se kjo pasuri është shitur në vlerën 4 milionë lekë si dhe është konstatuar kalimi i kësaj vlere nga shitësi në llogarinë e bashkëshortit të Kajës. Ndërkohë, nga verifikimi i pagesës së detyrimeve, ka rezultuar se në hipotekë është dorëzuar një tjetër kontratë shitje, e të njëjtës datë, me të dhëna të njëjta dhe i nënshkruar nga i njëjti noter e të njëjtët persona, bashkëshorti i subjektit dhe familjarët e tij, por me çmim shitje 2 milionë lekë. Nga verifikimet ka rezultuar se detyrimet tatimore janë paguar për vlerën 2 milionë lekë.

“Duket se janë kryer veprime fiktive dhe është bërë deklarim i rremë në lidhje me çmimin e shitjes,” tha Komici dhe sqaroi se duket se ky veprim ka pasur si qëllim shmangien e pagesës së tatimit për vlerën e shitjes 4 milionë lekë.

Kaja deklaroi se këtë fakt e kishte mësuar gjatë hetimit administrativ. Ajo pretendoi se dhe bashkëshorti nuk ka qenë në dijeni, pasi pagesa e detyrimit pranë hipotekës ishte kryer nga vjehrra dhe se ajo aktualisht është e moshuar dhe nuk i kujtohen rrethanat.

Megjithëse KPK i ka kaluar subjektit barrën e provës për mospagimin e tatimit për fitimet e siguruara nga shitja e tre automjeteve dhe mungesën e burimeve për blerjen e dy prej tyre, Sanxhaktari e pyeti Kajën që të sqaronte se si në të gjitha rastet kishin arritur të përfitonin vlera të konsiderueshme nga shitja e makinave, pasi i kishin përdorur për disa vite.

Kaja pretendoi se automjetet ishin blerë jashtë shtetit nga bashkëshorti dhe në një rast nga vjehrra me çmime okazion. Ajo deklaroi se në çmimin fillestar nuk ishin përfshirë shpenzimet e udhëtimit dhe kërkoi të konsiderohej pagesa e tatimit të fitimeve të kryera gjatë procesit të rivlerësimit.

Komisioni ka konsideruar në analizën financiare vetëm ato të ardhura të përfituara nga shitja e pasurive për të cilat janë paguar detyrimet tatimore.

Si pasojë e moskonsiderimit të shumës së përfituar nga shitja e njësisë së shërbimit, Kaja ka rezultuar në pamundësi për shlyerjen e një kredie në shumën 30 mijë euro të marrë në vitin 2008 për blerjen e një apartamenti.

Po ashtu, Kaja u pyet edhe lidhur me të ardhurat e deklaruara si përfituara nga bashkëshorti nga aktiviteti i tij privat, autoshkollë për periudhën 2006-2009 në vlerën totale 10 milionë lekë. Sipas KPK-së, subjekti nuk ka deklaruar shitjen e kuotave të kësaj shoqërie në vitin 2009, si dhe nuk ka pasqyruar shpërndarjen e dividentit, si dhe pagesën e tatimit mbi dividentin.

Gjyqtarja Kaja deklaroi se aktivitti i bashkëshortit ka qenë biznes i vogël dhe paguante vetëm tatim të thjeshtuar dhe se nuk ka pasur detyrim të paguante tatim mbi dividentin.

KPK konstaton se Kaja nuk ka deklaruar gjatë periudhës 2003-2009 aksionet që kanë pasur në kantinën e pijeve “Gjergj Kastrioti, Durrës”, duke ngritur dyshime për fshehje. Komici deklaroi se duket se subjekti gjendet në kushtet e papajtueshmërisë me detyrën e gjyqtarit lidhur me zotërimin e aksioneve në këtë shoqëri.

Kaja sqaroi se aksionet ishin përfituar nga bashkëshorti si punonjës i kësaj shoqërie për shkak të privatizimit në vitin 1992. Ajo deklaroi se asnjëherë nuk kishin pasur përfitime nga këto aksione, pasi nuk ishte shpërndarë divident.

Komisioni konstaton pamundësi për krijimin e një gjendje cash në shumën 5000 euro të deklaruar në vitin 2017, ku si burim krijimi Kaja ka deklaruar kursimet familjare dhe të vjehrrës. Komici shpjegoi se subjekti nuk ka deklaruar likujditete cash gjatë periudhës 2003-2016, por Kaja pretendoi se vlera ishte kursim i vjehrrës gjatë viteve që ajo kishte jetuar në Itali.

Në hetimin administrativ janë përfshirë edhe dy hua të dhëna subjektit nga djali i tezes në vitet 2005 dhe 2006, nga 10 mijë euro secila. Sipas Komicit, nuk është provuar mundësia e huadhënësit për krijimin e këtyre vlerave, si dhe është konstatuar pamundësi financiare për shlyerjen e tyre. Huaja e dytë ka rezultuar se është marrë për pak ditë dhe është përdorur si garanci për marrjen e një vize.

Subjekti shpjegoi se huaja e marrë në vitin 2005 është mbajtur vetëm pak muaj në llogari, pasi ka përfituar kredinë dhe i ka kthyer kushëririt shumën 7 mijë euro, ndërsa në 2006-ën pjesën e mbetur 3 mijë euro. Ajo deklaroi se kishte siguruar prova që vërtetojnë se kushëriri është ortak në një shoqëri të tregjistruar në Itali me të ardhura të konsiderueshme.

Nga analiza financiare e përgjithshme e KPK-së për periudhën 2003-2016 është konstatuar një balancë negative totale në shumën 12 milionë lekë.

Gjyqtarja Kaja e kundërshtoi këtë rezultat duke pretenduar se shpenzimet për krijimin e pasurive i janë përllogaritur nga dy herë. Gjithashtu, ajo kërkoi që të konsiderohen në analizën financiare edhe vlerat e pretenduara prej saj se janë përfituar nga shitja e shtëpisë nga bashkëshorti dhe familjarët e saj, ato nga njësia e shërbimit si dhe automjetet.

Në përfundim, gjyqtarja Eda Kaja kërkoi çeljen e hetimit administrativ për figurën dhe profesionalizmin, si dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Kryesuesja Sanxhaktari sqaroi se do të shqyrtohen provat e reja të dorëzuara nga subjekti gjatë seancës dëgjimore dhe shtyu seancës për më datë 16 nëntor, ora 09:30.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *