“Ping-pongu” procedurial shtyn seancën dëgjimore të gjyqtarit Artan Lazaj
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

“Ping-pongu” procedurial shtyn seancën dëgjimore të gjyqtarit Artan Lazaj

Gjykimi i KPK-së se kriteri i pasurisë ishte i mjaftueshëm për rivlerësimin e gjyqtarit të Tiranës, Artan Lazaj u kundërshtua nga mbrojtja-e cila pretendoi se “subjekti kishte të drejtë të vlerësohej për të tria kriteret” dhe kërkoi përjashtimin e trupës gjykuese.

Gjatë seancës dëgjimore të gjyqtarit Artan Lazaj në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Seanca dëgjimore me gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës, Artan Lazaj u kthye në një “ping-pong” procedurial të enjten dhe në fund u shty për t’i dhënë përgjigje kërkesës së parë për përjashtimin e një trupit gjykues gjatë procesit të deritanishëm të vetingut.

Shkak u bë vendimi për ta vlerësuar gjyqtarin Lazaj vetëm mbi kriterin e pasurisë-një praktikë kjo e ndjekur më parë edhe në rastet e gjyqtarëve tashmë të shkarkuar, Fatos Lulo dhe Besim Trezhnjeva, por që u kundërshtua që në fillim nga mbrojtja e tij.

Artan Lazaj, gjyqtar në Gjykatën e Tiranës prej vitit 2012 u bë pjesë e listës prioritare të vetingut për shkak të kandidimit të tij për një post në Këshillin e Lartë Gjyqësor. I pranishëm në seancën dëgjimore, Lazaj preferoi t’ia linte argumentet e mbrojtjes avokatit të tij, Sokol Hazizaj.

“Ligjbërësi e ka identifikuar qartë problemin… dhe ka përcaktuar se vlerësimi është tridimensional. Kjo seancë vjen në kundërshtim me ligjin dhe të drejtën e subjektit për t’u vlerësuar edhe për dy kriteret e tjera,” tha Hazizaj, pa i lënë kohë relatorit të çështjes që të lexonte gjetjet mbi pasurinë e Lazajt.

Kërkesa e parë paraprake e detyroi trupën gjyqësore të drejtuar nga Brunilda Bekteshi, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtar Olsi Komici që të tërhiqej për vendim. Thuajse pesë minuta më vonë, kryesuesja Bekteshi lexoi vendimin për rrëzimin e kërkesës, bazuar në pikën 2 të nenit 4 të ligjit “ Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve…”.

Referenca e mësipërme ligjore përcakton se “Komisioni dhe Kolegji i Apelimit janë institucionet që vendosin për vlerësimin përfundimtar të subjekteve të rivlerësimit. Vendimi merret bazuar në një ose disa prej kritereve, në vlerësimin e përgjithshëm të tre kritereve, ose në vlerësimin tërësor të procedurave”.

Megjithatë, avokati Hazizaj nuk humbi kohë dhe paraqiti kërkesën e dytë paraprake për përjashtimin e trupës gjyqësore, duke e vlerësuar vendimin e ndërmjetëm të saj si “të njëanshëm”.

Pas tërheqjes së dytë për vendim, kryesuesja Bekteshi vendosi të shtyjë seancën për në datën 2 korrik, në mënyrë që kërkesa e subjektit të rivlerësimit të shqyrtohej nga një trupë tjetër.

Artan Lazaj ushtron detyrën e gjyqtarit prej dy dekadash, ndërsa gjatë viteve 2009-2012 ai ka qenë anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Një analizë e BIRN mbi deklaratat e pasurisë së subjektit për vitet 2003-2017 tregon se gjyqtari Lazaj e ka rritur pasurinë e tij familjare me rreth 24.3 milionë lekë përgjatë periudhës deklaruese, ndërkohë që të ardhurat totale për të njëjtën periudhë kanë qenë 36.1 milionë lekë.

Të dhënat e mësipërme tregojnë se gjyqtari zotëronte në fund të vitit 2017 një apartament banimi me sipërfaqe 177 metra katrorë në Tiranë të blerë për 120 mijë euro, një apartament të përfituar përmes privatizimeve, kursime në cash në vlerën e 5.5 milionë lekëve si dhe likujditete në bankë në vlerën e 1.9 milionë lekëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *