Problemet e shumëfishta me një karburant sollën shkarkimin e kreut të Apelit të Korçës
Analiza

Problemet e shumëfishta me një karburant sollën shkarkimin e kreut të Apelit të Korçës

Vendimi i argumentuar i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për prokuroren Irma Balli ngre dyshime për ndërhyrje në dokumentet e ZRVPP në Korçë lidhur me ndërtimin e tre kateve të një objekti që shërben edhe si karburant, ndërkohë që evidentohet edhe mungesë burimesh të ligjshme.

Prokurorja e Prokurorise se Apelit te Korces, Irma Balli, duke dale nga nje seance e Komisionit te Pavarur te Kualifikimit. Foto: LSA

Dyshimet se drejtuesja e Prokurorisë së Apelit të Korçës, Irma Balli mund të kishte ndërhyrë në dokumentacionin tekniko-ligjor në ZVRPP Korçë për të mundësuar ndërtimin e tri kateve të një objekti, ndryshe nga sa ishte parashikuar në lejen ndërtimore, ka qenë një ndër arsyet që bindi Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin e saj nga detyra.

Sipas vendimit të argumentuar nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Lulzim Hamitaj dhe me anëtarë Olsi Komicin dhe Suela Zhegun, vendimi për shkarkimin e Ballit u mbështet edhe në deklarimin e pamjaftueshëm të pasurisë, mungesën e burime të ligjshme si dhe balancën negative në analizën financiare për të paktën pesë vite të deklarimit.

Irma Balli e ka nisur karrierën si prokurore në shkurt të vitit 1999. Ajo ka punuar si prokurore e Apelit të Korçës për gati 20 vjet dhe prej vitit 2016 ushtronte funksionin e drejtueses së kësaj prokurorie.

KPK ka evidentuar problematika të shumta lidhur me deklarimin e kryer nga prokurorja Balli për pasurinë truall me sipërfaqe 170 m2 dhe një ndërtesë 120 m2, në katin e parë të së cilës kryhet shitje me pakicë karburanti dhe vajrash, ku ajo rezulton të jetë bashkëpronare me pjesë takuese 1/4.

Sipas komisionit, trualli është pronë e trashëguar në favor të babait N.R., vëllait P.R. dhe motrës M.K.(S), të cilët i kanë dhuruar subjektit të rivlerësimit ¼ e kësaj pasurie. Në vendim thuhet se ndërtimi i objektit bazohet në lejen e ndërtimit dhënë në datë 10 nëntor 1997, nga KRRT-ja Korçë, në emër të z.N.R.

Por nga hetimi ka rezultuar se nuk janë pjesë e praktikës së kësaj lejeje ndërtimi të ndodhur në dosjen përkatëse në Drejtorinë Rajonale të Arkivave Shtetërore Elbasan, planimetritë e kateve I, II dhe III. Gjithashtu, në vendim shkruhet se këto dokumente janë depozituar nga subjekti në ZVRPP-në Korçë për regjistrimin e karburantit dhe të një godine 3 kate + papafingo.

Komisioni ka konstatuar se në dosjen e arkivit ndodhet një planimetri e katit TIP, e cila nuk është depozituar nga Balli në ZVRPP-në Korçë. Në vendim thuhet se nga krahasimi vërehet se planimetritë e kateve I, II dhe III të depozituar nga Balli në ZVRPP-në Korçë, të cilat nuk ndodhen në dosjen arkivore të lejes së ndërtimit, janë produkt i planimetrisë së katit TIP, të fotokopjuar. Komisioni ka gjetur se tek fjala ‘TIP”, për çdo rast fotokopjimi duket se është ndryshuar nga “TIP” në i “I-rë”, i “II-të” dhe i “III-të”.

Komisioni nuk është bindur nga deklarimet e prokurores Balli e cila ka pretenduar se kur familja e ka bërë pjesë të pronës dhe të biznesit familjar, është mjaftuar të shikojë certifikatën e pronësisë dhe hipotekimin e objektit, pa menduar se duhej të kontrollonte e verifikonte skicat e planimetritë e depozituara më parë në institucionet kompetente. Ajo ka theksuar se nuk mund të mbante asnjë përgjegjësi dhe aq më pak të jepte shpjegime lidhur me gjendjen e skicave e planimetrive të ruajtura dhe sistemuara në zyrat e ZVRPP-së Korçë, pasi ky është detyrim ligjor i këtij institucioni.

Por pavarësisht pretendimeve të prokurores Balli, komisioni ka konstatuar mospërputhje të dokumentacionit tekniko-ligjor të praktikës së lejes së ndërtimit të karburantit, në emër të shtetasit N.R, të ndodhur në Drejtorinë Rajonale të Arkivave Shtetërore Elbasan, me dokumentacionin e depozituar nga Balli nëpërmjet aplikimit për regjistrimin fillestar më datë 17 korrik 2000. Sipas komisionit, dokumentacioni duhej të ishte i njëjtë dhe ka ngritur dyshime se ka kryer ndërhyrje të pajustifikuar.

 KPK nuk e ka gjetur të vërtetë edhe deklarimin për vlerën totale 5.5 milionë lekë të investimit fillestar të kësaj pasurie prej prokurores Balli dhe familjarëve të saj. Prokurorja Irma Balli ka deklaruar se ajo dhe motra e saj kanë kontribuar me nga një milion lekë secila, ndërsa babai dhe vëllai me 3.5 milionë lekë së bashku. Për shumën një milion lekë që ka investuar, prokurorja Balli ka deklaruar si burim të ardhurat e bashkëshortit nga emigrimi në Greqi. Si burim të vlerës 3.5 milionë lekë të investuar nga babai dhe vëllai, ajo ka pasqyruar kursimet e këtij të fundit nga emigrimi në Greqi, kursimet e të atit ndër vite dhe shumat e dërguara prej gjyshit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri në vitin 1962 kur ai ka ndërruar jetë.

Komisioni ka identifikuar mospërputhje edhe në lidhje me vlerën e investimit fillestar në objektin në fjalë. Në vendim sqarohet se në deklarimin periodik vjetor të vitit 2003 është pasqyruar shuma e investuar 10 milionë lekë dhe në deklaratën e pasurisë 9 milionë lekë. Por, sipas komisionit, të dyja këto deklarime kundërshtojnë aktin noterial të 30 qershorit 2000, sipas së cilës të katër bashkëpronarët kanë investuar në mënyrë të barabartë, pavarësisht se si investitor del vetëm emri i babait të subjektit, z.N.R..

Komisioni konstaton se Balli nuk ka paraqitur asnjë dokumentacion justifikues ligjor për të vërtetuar vlerën reale të investuar në këtë pasuri apo situacionet e punimeve sipas fazave, shoqëruar me likujdimet e pagesave. Nga hetimi administrativ ka rezultuar se në procesverbalin e kolaudimit datës 7 shtator 1999 nuk ka vlerë totale të investimit të kryer për këtë pasuri.

KPK ka rrëzuar edhe pretendimin e prokurores Balli lidhur me burimin e të ardhurave të investuara dhe ligjshmërinë e tyre. Në vendim thuhet se ajo nuk arriti të provojë me dokumentacion justifikues ligjshmërinë e krijimit të të ardhurave nga puna në emigracion e bashkëshortit, të deklaruara si një nga burimet financiare në deklaratën e pasurisë për ndërtimin e karburantit. Ndërkohë, komisioni ka krijuar bindjen se është kryer me burime të ligjshme financiare investimi i kryer nga një shoqëri në shumën prej 3.5 milionë eurosh për përfundimin e pikës së karburantit, bazuar në një marrëveshje të qershorit të vitit 1998 me bashkëpronarët e truallit. Sipas trupës gjykuese të KPK-së shuma prej 3.5 milionë lekësh është investuar nga shoqëria dhe i është kthyer nga ana e bashkëpronarëve të truallit ku është kryer ndërtimi i pikës së shitjes së karburanteve.

Tjetër problematikë që është gjetur prej komisionit ka qenë edhe pamundësia e vërtetimit të pagesës së plotë të detyrimeve tatimore mbi të ardhurat nga qiraja e pikës së karburantit, sipas kontratave të qirasë dhe të dhënave bankare. Në vendim thuhet se edhe vetë prokurorja Balli ka pranuar faktin që ekzistojnë paqartësi dhe parregullsi lidhur me pagesën e detyrimit tatimor nga shoqëritë huamarrëse, por ajo ka pretenduar se nuk mund të ngarkohet me përgjegjësinë për të provuar rregullsinë e veprimeve apo mosveprimeve të shoqërive qiramarrëse.

Komisioni ka gjetur balancë negative financiare për vitet 2003, 2011, 2012, 2013 dhe 2014, duke e vendosur subjektin edhe në pamundësinë e burimeve të ligjshme si dhe pasaktësi të tjera në deklarime.

Në fund të hetimit administrativ, treshja gjykuese e KPK-së e përbërë nga Lulzim Hamitaj kryesues, Olsi Komici relator dhe Suela Zhegu anëtare ka konkluduar se drejtuesja e Prokurorisë së Apelit Korçë nuk ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë dhe ka vendosur shkarkimin e saj nga detyra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *