Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Problemet “e vogla” me deklarimet nuk rrezikojnë karrierën e gjyqtares Brati

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi diferenca të vogla negative mes të ardhurave dhe shpenzimeve dhe mungesë dokumentacioni në një rast-probleme që megjithatë nuk ngrenë dyshime për fshehje pasurie nga gjyqtarja e Tiranës, Alma Brati.

Komisioneret Genta Tafa Bungo, Suela Zhegu dhe Pamela Qirko gjatë një seance dëgjimore të mëparshme. Foto: Gent Shkullaku/LSA

Në seancën dëgjimore me gjyqtaren e Gjykatës së Tiranës Alma Brati të mërkurën, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi disa parregullsi gjatë procesit të rivlerësimit, por siç u la të kuptohej, nuk janë të tilla që mund t’i kushtojnë asaj karrierën.

Gjyqtarja Brati iu nënshtrua procesit të vetingut për të tre kriteret e rivlerësimit, pasi u përfshi në listën prioritare për shkak të kandidimit të saj në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Trupa gjyqësore drejtohej nga Pamela Qirko, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtar Lulzim Hamitaj.

Hetimi administrativ për pasurinë përfshiu një apartament 101 metra katrorë në Tiranë, me vlerë 80 mijë euro dhe me burim një kredi prej 50 mijë eurosh si dhe një hua e marrë nga tezja e subjektit prej 25 mijë eurosh. E ndërsa gjyqtarja vazhdon të shlyejë kredinë, sipas deklaratës së saj “veting” huaja është likujduar përmes 1.8 milionë lekësh që gjyqtares ia ka dhuruar nëna si dhe kursimeve të saj.

Hetimit administrative iu nënshtruan gjithashtu një shtëpi në Durrës, ku subjekti kishte si pjesë takuese ¼,  një automjet “Mazda” me vlerë 15 900 euro-i blerë 40 për qind me pagesë direkte dhe 60 % me kredi si dhe pagesat e kryera nga ish-bashkëshorti si detyrim ushqimor ndaj fëmijëve.

Relatorja e çështjes, Genta Tafa Bungo theksoi në seancë se në rastin e gjyqtares Brati ishin konstatuar difefenca negative mes të ardhurave dhe shpenzimeve si dhe pasaktësi në deklarimet periodike.

“Pavarësisht se diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve të subjektit nuk del me vlerë pozitive, ajo rezulton të jetë një shumë e vogël për t’u marrë në konsideratë,” tha relatorja, e cila shtoi gjithashtu se pasaktësitë nuk krijojnë dyshime për fshehje pasurie nga subjekti.

Një tjetër problematikë e konstatuar ishin pagesat e ish-bashkëshortit për pensionin ushqimor të fëmijëve, që sipas KPK-së kanë mungesë dokumentacioni dhe të dhënash mbi mënyrën e lëvrimit të kësaj shume.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mori në shqyrtim edhe pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale të gjyqtares Brati, e cila rezultoi e përshtatshme nga DSIK dhe me mangësi të karakterit formal, që nuk cënojnë aftësitë profesionale të saj.

Në fjalën e saj përballë KPK-së, gjyqtarja Brati e vlerësoi procesin si korrekt dhe u ndal për sqarime vetëm për rastin e pagesave të ish-bashkëshortit për pensionin ushqimor të fëmijëve. Ajo shtoi se pagesat vijnë si detyrim i një vendimi gjyqësor dhe se ajo nuk mund të merrte përsipër edhe barrën e provës mbi korrektësinë e ish-bashkëshortit në raport me tatimet.

“Jam dakord me hetimin dhe vlerësoj komunikimin shumë korrekt të procesit. Ato pak momente për të cilat më janë kërkuar shpjegime i kam argumentuar përmes postës elektronike dhe mesa konstatova, janë marrë në konsideratë. Kërkoj rikonfirmimin tim në detyrë, pasi mendoj se i plotësoj kriteret,” tha Brati.

Vendimi për gjyqtaren Brati do të jepet të enjten.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *