Problemet me pasurinë, KPK shkarkon gjyqtarin Ilir Mustafaj
Lajme

Problemet me pasurinë, KPK shkarkon gjyqtarin Ilir Mustafaj

Kandidati për në Gjykatën Kushtetuese Ilir Mustafaj u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pas rivlerësimit vetëm në kriterin e pasurisë. Mustafaj tha se do apelonte vendimin.

Gjyqtari Ilir Mustafaj, pas seancës në KPK. Foto:Edmond Hoxhaj/BIRN.

Kandidati për në Gjykatën Kushtetuese Ilir Mustafaj, u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të enjten pas rivlerësimit vetëm në kriterin e pasurisë.

Hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për gjyqtarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Ilir Mustafaj i cili kandidon për në Gjykatën Kushtetuese, zbuloi një sërë problemesh të pasurisë, përfshi një transaksion të çuditshëm brenda familjes dhe mungesë burimesh.

Mustafaj, i cili kundërshtoi gjetjet e KPK dhe pati kërkuar përjashtimin e relatores tha pas seancës se vendi kishte humbur një person të kualifikuar, ndërsa pohoi se do të apelonte vendimin.

Gjatë seancës dëgjimore u tha se Mustafajt i ishte kaluar barra e provës pasi një makinë e deklaruar në bashkëpronësi me bashkëshorten me vlerë 400 mijë lekë, i ishte shitur prej tij kësaj të fundit për 500 mijë lekë.

Probleme u vunë në dukje në lidhje me pasurinë e të atit dhe vëllait dhe marrëveshjen e sipërmarrjes për ndërtimin e një pallati në një tokë të blerë në vitet 90’. Analiza financiare rezultoi negative për një vlerë prej rreth 6 milion lekësh.

Trupa gjykuese e KPK që hetoi Mustafajn përbëhet nga Lulzim Hamitaj kryesues, Xhensila Pine Reltore dhe Valbona Sanxhaktari anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Hans Kijlstra.

Ilir Mustafaj ka përfunduar fakultetin e Drejtësisë në vitin 1996 dhe ka punuar deri në vitin 2000 si ndihmësgjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Ai ushtronte funksionin e gjyqtarit në Gjykatën e Tiranës prej vitit 2000, ndërkohë që ka qenë edhe anëtar Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *