Problemet me pasurinë rrezikojnë prokurorin e Apelit, Edmond Hyka

Lajme
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e gjeti prokurorin e Apelit të Tiranës, Edmond Hyka me 18.2 milionë lekë minus, ndërsa ngriti pikëpyetje për konflikt të mundshëm interesi. Avokati i Hykës e cilësoi procesin me probleme proceduriale.  

Avokati i prokurorit Edmond Hyka, Jordan Daci para KPK-së. Foto: Edmond Hoxhaj.

Prokurori i Apelit të Tiranës, Edmond Hyka nuk u paraqit vetë në seancën dëgjimore të enjten më 19 dhjetor lidhur me procesin e rivlerësimit të tij në Komisionin e Pavaur të Kualifikimit. Gjetjet e trupës gjykuese të KPK-së, të përbërë nga Xhensila Pine kryesuese, Olsi Komici relator dhe Brunilda Bekteshi anëtare u dëgjuan nga avokati i tij mbrojtës, Jordan Daci, i cili parashtroi edhe qëndrimin e prokurorit Hyka. Në cilësinë e vëshguesit ndërkombëtar në këtë seancë dëgjimore ishte i pranishëm John Leonardo.

Edmond Hyka ka punuar si avokat nga viti 1998 deri në vitin 2005; kohë kur u emërua prokuror në Prokurorinë e Apelit të Durrësit. Në vitin 2006, Hyka u transferua në Prokurorinë e Apelit të Tiranës dhe vazhdon ta ushtrojë funksionin aty për 13 vjet.

Në fillim të seancës dëgjimore, relatori Olsi Komici u shpreh se hetimi administrativ për prokurorin Hyka ishte përfunduar në të tri kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin. Komici shtoi se sipas raportit të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive e Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, prokurori Hyka ka kryer deklarim jo të saktë të pasurisë, se ka mungesë të dokumentacionit për burimet e krijimit dhe se ka kryer deklarim të rremë.

Edhe Komisioni evidentoi një sërë problemesh lidhur me kriterin e deklarimit të pasurisë.

Komici lexoi për rreth një orë e gjysmë konstatimet e Komisionit lidhur me hetimin administrativ për Hykën dhe më pas, trupa gjykuese u tërhoq për një pushim të shkurtër. Pas rifillimit të seancës, mbrojtësi i prokurorit Edmond Hyka, avokati Jordan Daci, u shpreh se priste një proces ku t’i jepej mundësia për të kryer kërkesa paraprake. Ai tha se kur Komisioni e ka lajmëruar prokurorin Hyka për seancën dëgjimore, i ka lënë vetëm një ditë kohë për të sjellë dokumentacion justifikues.

Duke u shprehur se data e parë për seancën dëgjimore ishte caktuar më 26 nëntor dhe se ishte ndryshuar për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme, Daci shpjegoi se kjo situatë vazhdonte ende dhe se Hyka nuk kishte mundur të shkonte në apartamentet në Durrës për të siguruar dokumentacion shtesë. Për këtë arsye ai kërkoi shtyrjen e seancës deri në përfundim të gjendjes së jashtëzakonshme, për t’i dhënë mundësinë Hykës që të shteronte gjithë kërkimet e tij për dokumentacione justifikues.

Ai kërkoi gjithashtu riçeljen e hetimit administrativ duke quajtur të nevojshëm caktimin e një eksperti tjetër për të kryer analizën financiare. “Ne s’kemi dijeninë se cili ka qenë eksperti, se mund të jemi edhe në konlikt interesi,” pretendoi avokati Daci.

Pasi u tërhoq, trupa gjykuese vendosi të mos i pranojë kërkesat e avokatit Daci. KPK e quajti të panevojshëm edhe caktimin e një eksperti tjetër për kryerjen e analizës financiare dhe riçeljen e hetimit administrative duke argumentuar se të dhënat e analizës së kryer nga eksperti i pajtuar nga prokurori Hyka do të vlerësohen para marrjes së vendimit.

Problemet me pasurinë

Relatori Komici tha se për një apartament 121 m2 të blerë në qytetin e Durrësit në vitin 2005 në vlerën 2 milionë lekë, prokurori Hyka ka pasqyruar si burim krijimi në deklaratën veting të ardhurat e siguruara nga puna si avokat dhe kursime familjare. Ndërsa në deklaratën para nisjes së detyrës, Hyka ka pasqyruar si burim krijimi të ardhurat nga puna si avokat dhe vlera që i ka dhënë babai- e përfituar nga shitja e pronave.

Ndërkohë, Komisioni vlerëson se çmimi real i kësaj pasurie është në vlerën 6.5 milionë lekë dhe se është blerë me çmim tre herë më të lirë. Komisioni ngriti dyshime për konflikt të mundshëm interesi mes prokurorit Hyka dhe shitësit të apartamentit 121 m2 në Durrës, E.Ç. pasi ky i fundit rezulton të jetë proceduar në vitin 2012 dhe se kjo çështje është trajtuar më pas në Apel, ku është përfaqësuar nga prokurori Hyka.

Komisioni ngiti dyshime për trajtim preferencial në blerjen e kësaj pasurie. Po ashtu, KPK evidentoi mundësinë e trajtimit preferncial edhe në blerjen e një dyqani në vendin e quajtur “Plazh” në Durrës, të blerë nga prokuori Hyka në vitin 2005 në Durrës për vlerën 500 mijë lekë.

Komici tha se në vitin 2005, Hyka ka deklaruar dyqan bodrum 52 m2 në vlerën 5 milion lekë me burim krijimi të ardhua nga puna si avokat dhe nga pronat e babait. Gjithashtu, Komisioni konstaton se kjo pasuri është blerë disa herë më lirë nga vlera reale. “Duket se çmimi 500 mijë lekë është 5.7 herë më i ulët se çmimi i referencës në vitin 2005 dhe 7 herë më i ulët se referenca e vitit 2007,” pohoi relatori Komici. Ai shtoi se duket se ka trajtim preferencial.

Komisioni identifikon pasaktësi e mospërputhje mes deklarimeve të vitit 2005 dhe në deklaratën veting për këto dy pasuri. Komici theksoi se duket se ka mungesë dokumentesh për blerjen e këtyre pasurive në vitin 2002.

Për apartamentin 121 m2, avokati Daci u shpreh se ishte e qartë se nuk kishte çmim të Entit të Banesave për vlerën. “Ka me dhjetëra raste kur njerëzit për nevoja të ndryshme bëjnë shitje të tilla”, tha avokati Daci.

Ai shtoi se lidhur me konstatimin e KPK për mosdeklarimin e konfliktit të mundshëm të interesit me E.Ç. nga ka blerë shtëpinë, avokati Daci tha se trupa gjykuse e Gjykatës së Apelit Tiranë e ka marrë këtë vendim në dhomë këshillimi, pa praninë e prokurorit Hyka. Daci shtoi se në atë kohë prokurori Hyka nuk ka qenë në pozicionin e drejtuesit dhe nuk mund t’i drejtohej Prokurorit të Përgjithshëm. Avokati Daci kundërshtoi edhe analizën financiare të Komisionit duke pohuar se aty reflektoheshin pasaktësi.

Ndërsa lidhur me dyqanin ai shpjegoi se kjo njësi gjendet në bodrumin e ndërtesës dhe se vlera është sa gjysma e një apartamenti të zakonshëm. “Kjo reflekton çmimin. Çmimet anomalisht më të ulëta janë edhe në vendet e zhvilluara. Kur nuk provohet se ka lidhje me punën, atëherë nuk mund të sjellë pasoja. Pasaktësi ka nga ana juaj,” pohoi mbrojtësi ligjor i prokurorit Hyka.

Ai u ndal edhe në faktin e deklarimit të kontratave të porosisë në vitin 2002. Sipas avokatit Jordan Daci, nuk është pasaktësi fakti se është deklaruar kontrata e porosisë në datë tjetër nga marrja në pronësi e pasurisë, pasi ato janë të ndryshme. “Kjo nuk është pasaktësi, por parregullsi e sistemit”, tha ai.

Komici pohoi se prokurori Hyka nuk ka pasqyruar në deklaratën veting një kontratë sipërmarrje me një shoqëri ndërtuese lidhur me një pasuri të trashëguar nga babai. Ai shpjegoi se Hyka kishte përfituar nëpërmjet dhurimit nga babai, nëna dhe e motra një truall me sipërfaqe 308.5 m2 dhe një banesë 87.5 m2 që gjendet aty. Komici sqaroi se kjo pasuri fillimisht ka qenë në emër të babait e më pas i ka kaluar subjektit me dhurim dhe se është regjistruar në emër të tij në vitin 2010.

Komisioni nuk ka gjetur konfilkt interesi me shoqërinë ndërtuese me të cilën është lidhur kontrata e sipërmarrjes.

Sipas KPK, subjekti nuk ka dorëzuar dokumentacion edhe lidhur me të ardhura të fituara nga qiraja e përfituar nga dyqani në Durrës për periudhat 2007-2012 dhe 2013-2018. “Duket se ka mungesë dokumentesh ligjore për pagim të tatim fitimit”, pohoi Komici.

Komici identifikoi edhe pamundësi të provimit të burimit të ligjshëm të krijimit të të ardhurave nga nëna e prokurorit Hyka e cila ia ka dhuruar djalit të tij. “Gjithashtu, subjekti nuk ka deklaruar ekzekutimin e disa vendimeve”, shtoi relatori Komici.

Sipas Komisionit, Hyka nuk ka provuar ligjshmërinë e të ardhurave të nënës së tij për të cilën ka deklaruar se ka zotëruar një aktivitet privat në vitet 1992-1994; çka e nxorri prokurorin me mungesë burimesh në blerjen e apartamentit në vlerën e 32 mijë eurove.

Ndërkohë, Komisioni konstaton paqartësi në deklarimet lidhur me aktivitetin privat të Hykës si avokat. “Duket se subjekti nuk ka regjistruar NIPT dhe s’ka dokumente për pagesën e tatimeve,” theksoi Komici.

Sipas mbrojtësit ligjor të prokurorit Hyka, avokatia është futur në “hulli” vetëm vitet e fundit në Shqipëri dhe se jo të gjithë ishin të regjistruar. “Ai ka paguar tatim fitimi në vlerën dy milionë lekë. Kemi dorëzuar faturë për tatimin e fitimit,” theksoi avokati Daci.

Për dy vlera, njëra 5 milionë lekë dhe tjetra 35 mijë euro të trashëguara nga babai, Komisioni konstaton se Hyka ka deklaruar si burim 2.6 milionë lekë nga ekzekutimi i një vendimi gjyqësor dhe të ardhura nga depozita në vitet 1997-1998, por se s’ka provuar burimin e krijimit të depozitave. “Duket se ka mospërputhje në deklarimet për pasuritë e babait. Ndërkohë që nuk ka provuar me dokumentacion ekzekutimin e dëmshpërblimit”, pohoi relatori Komici.

KPK ka gjetur mospërputhje të deklarimit të gjendjes cash në deklaratën e vitit 2016 me atë veting. Gjithashtu, Komici evidentoi mospërputhje të deklarimeve për disa vlera të depozituara e të transferuara në llogari të ndryshme bankare, një pjesë të të cilave janë dhuruar nga prindërit e prokurorit Hyka dhe nga vjehrra e tij.

Komici tha se për disa nga këto vlera e depozita duket se nuk ka burime të ligjshme, përfshi edhe shumën 2 milionë lekë që i ka dhuruar bashkëshortes nëna e saj.

Avokati Daci pretendoi se shumë veprime janë në një rreth të ngushtë familjar. Ai theksoi se disa prej dhuruesve nuk jetojnë më. “Për fakte që janë jashtë mundësisë së tij duhet ta ulni standartin. Ju thoni ose provoje, ose vdis!”, pohoi Daci.

Avokati i prokurorit Hyka shpjegoi se prindërit e këtij të fundit kishin pasur njësi tregtare pas viteve ’90 dhe se tregtia në atë kohë ka qenë në pjesën më të madhe informale. Relatori Komici evidentoi edhe mosdeklarimin e blerjes së dy mjeteve tip Benz, një në vitin 2009 dhe një në 2011-ën. Komici tha se Hyka nuk ka pasqyruar në deklaratën periodike edhe një kontratë qiraje për fëmijët për studime në Tiranë në vlerën 34 mijë lekë në muaj.

Për kontatën e qirasë së vajzës, avokati Daci shpjegoi se ajo nuk kishte jetuar atje dhe se kontrata nuk ishte ekzekutuar. Nga analiza financiare, Komisioni konstaton në total një mungesë të burimeve të ligjshme në vlerën e 18.3 milionë lekëve.

Në fjalën e tij, avokati Daci pohoi se lidhur me konstatimin e Komisionit për mosdeklarim të disa depozitave, mund të konsideroheshin vetëm si pasaktësi, pasi ishin kryer në sistemin e ligjshëm dhe nuk mund të quhen fshehje. Ai kërkoi që Komisioni të rishikonte analizën financiare lidhur me depozitat bankare.

Profesionalizmi

Lidhur me profesionalizmin, Komici evidentoi një rast ku Hyka kishte ndryshuar masën e arrestit me burg në arrest shtëpie për një person të akuzuar për shitje narkotikësh. Sipas Komicit, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka cilësuar këtë vepër penale me rrezikshmëri.

Avokati Daci e cilësoi të drejtë qëndrimin e prokurorit Hyka që ka kërkuar “arrest shtëpie” duke shpjeguar se i ndaluari kishte qenë një student i kapur me pak gramë hashash. Daci theksoi se në Shqipëri abuzohet me masat e sigurisë, pasi 95% e të ndaluarve mbeten në burg. Ai shtoi se zakonisht, ashpërsia përdorej nga prokurorët për të fituar diçka më shumë.

Tjetër problem që evidentoi Komici lidhur me profesionalizimin ishte mos-heqja dorë e prokurorit Hyka nga një çështje që ka përfaqësuar, ku i pandehur ishte E.Ç., nga i cili ka blerë apartamentin në Durrës. “Subjekti duhej të kishte njoftuar Prokurorin e Përgjithshme për të dhënë dorëheqje,” theksoi Komici.

Daci shpjegoi se Gjykata e Apelit e kishte marrë vendimin për këtë çështje në dhomë këshillimi dhe se prokurori Hyka nuk kishte qenë i pranishëm. Ai shtoi se Hyka nuk kishte qenë në pozicionin e drejtuesit dhe nuk mund të njoftonte Prokurorin e Përgjithshëm në këtë rast.

Relatori Olsi Komici pohoi se për figurën nuk janë evidentuar probleme as nga DSIK dhe as nga Komisioni.

Në fund të fjalës së tij, avokati Jordan Daci e quajti procesin jo të drejtë procedurialisht. “Hetimi është i mangët dhe i kryer nga persona që nuk garantojnë një proces të rregullt,” pohoi Daci dhe shtoi se gjetjet negative ishin të pabazuara.

KPK vendosi të shpallë vendimin më datë 20 dhjetor, ora 09:30.