Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Problemet me pasurinë shkarkohet Agron Vavla, kreu i Gjykatës së Beratit

Kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, Agron Vavla u shkarkua pas procesit të rivlerësimit kalimtar, ndërsa KPK i gjeti atij probleme me pasurinë.

Kryetari i Gjykatës së Beratit Agron Vavla gjatë seancës së njoftimit të vendimit të shkarkimit. Foto:Edmond Hoxhaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të premten të shkarkonte Agron Vavlën, kryetar i Gjykatës së Beratit. Vavla, i cili u hetua nga trupa gjykuese  e përbërë prej Firdes Shuli, Roland Ilia dhe Etleda Çiftja, nuk arriti sipas hetimit të justifikonte burimin e ligjshëm të pasurisë.

Vavla është emëruar gjyqtar në vitin 1995. Pjesën më të madhe të karrierës së tij ai ka punuar gjyqtar në Gjykatën e Beratit, ndërkohë që në vitin 2014 është emëruar kryetar gjykate. Ai u hetua nga KPK vetëm në kriterin e pasurisë, ndërsa hetimet sipas relatores Etleda Çiftja, zbuluan mospërputhje mes deklarimeve të tij dhe vlerave në kontrata të pasurive që ai zotëronte.

KPK zbuloi probleme te një apartament 57.1 m2 të blerë nga Enti i Banesave në qytetin Beratit. Po ashtu probleme dhe diferencë mes çmimit të deklaruar prej gjyqtarit të shkarkuar dhe çmimit në zonë u gjetën për një apartament 107 metra në rrugën “Pjetër Budi” në Tiranë. Në relacion u tha se KPK ka gjetur se çmimi i deklaruar nuk është i saktë. Relatorja Çiftja sqaroi se Vavla ka deklaruar se e ka blerë këtë pasuri me çmimin 383 euro për m2, ndërkohë që çmimi real është 110 mijë lekë për m2.

Komisioni gjeti probleme edhe lidhur me huanë 30 mijë euro që gjyqtari ka marrë nga një i afërm i bashkëshortes së tij i cili jeton e punon prej vitesh në Itali. Sipas relatores Çiftja, mungon dokumentacioni ligjor i huadhënies dhe nuk dihet se si është transferuar shuma nga Italia. Ndërkohë, komisioni ka gjetur se bazuar në të dhënat e sistemit TIMS, në datën kur është nënshkruar kontrata noteriale e huadhënies, i afërmi i bashkëshortes të gjyqtarit Vavla nuk ka qenë në Shqipëri. Gjithashtu, sipas KPK, nuk ka dokumentacion për burimet e ligjshme të huadhënësit.

Po ashtu problematike rezultoi blerja e një makine në Gjermani dhe blerja e letrave me vlerë për 2.9 milionë lekë, për të cilat u tha se nuk kishte  burim të ligjshëm të ardhurash.

Vavla i kundërshtoi gjetjet e Komisionit. Ai kundërshtoi rivlerësimin vetëm për kriterin e pasurisë, ndërsa i tha trupës gjykuese: “Ju mbroni rrogën tuaj, unë timen, do ushqej dhe unë fëmijët”. Ai pretendoi se gjetjet janë të pabazuara në fakte e prova.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *