Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Problemet me pasuritë dhe transfertat, KPK shkarkon kryetaren e Gjykatës së Apelit Korçë

Kryetarja e Gjykatës së Apelit Korçë, Entela Prifti nuk e kaloi vetingun.  Komisioni i Pavarur i Kualifikimit(KPK) vendosi shkarkimin e saj nga detyra duke u bazuar në parregullsitë e gjetura mbi kriterin e pasurisë.

Kryetarja e Gjykatës së Apelit te Korçës, Entela Prifti, gjatë një seance te Komisionit të Pavarur te Kualifikimit, KPK, | Foto Edmond Hoxhaj.

Hetimi administrativi i KPK mbi pasurinë e kryetares së Gjykatës së Apelit në Korçë Entela Priftit gjeti se gjykatësja kishte kryer “mos deklarim të pasurive, fshehje të tyre, mungesë të burimeve financiare, mosdeklarimi të transfertave e llogarive familjare dhe raste të mos paraqitjes së dokumentacionit për të ardhurat e dhuruesve”.

Të mërkurën KPK njoftoi se kishte marrë vendim për shkarkimin e Priftit. Trupa gjykuese e kryesuar nga Firdes Shuli,  Etleda Çiftja relatore dhe Roland Ilia anëtar, vendosi  “shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Entela Prifti, kryetare e Gjykatës së Apelit Civil Korçë”.

Në seancën e shpalljes së vendimit, kryetarja e trupit gjykues, Firdes Shuli, tha se subjekti i rivlerësimit ka të drejtën e ankimit pranë kolegjit të posaçëm të Apelimit.

Lexo edhe:

Vilë, dyqane dhe apartamente; vetingu zbardh pasurinë e kreut të Apelit Korçë Entela Prifti

Prifti është ndër drejtuesit e parë të gjykatave të Apelit që largohet nga detyra. Procesi i rivlerësimit për Priftin u fokusua mbi kriterin e pasurisë, një nga tre kriteret e procesit të vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ajo u përball me gjetjet e hetimit administrativ; për 1.6 milionë lekë të dhuruara nga vjehrri për blerjen e një apartamenti 55 m2 në Korçë në vitin 2012, por të pashoqëruar me dokumentacion për të justifikuar të ardhurat e vjehrrit.

Po ashtu u gjetën mospërputhje të vlerës së deklaruar nga subjekti në deklaratën veting të vitit 2017, me atë të kontratës së shitblerjes së një apartamenti 70 m2 në Korçë; mos deklarim dhe mos rakordim me verën e tregut për një apartament dupleks me sipërfaqe 235 m2 të porositur në vitin 2011; mosdeklarimin e verandës së një vile tre katëshe,  si edhe mungesë të dokumentacionit ligjor për përfitimi e 1.9 milionë lekë nga vjehrri, çfarë ka shërbyer si burim për blerjen e kësaj prone.

Tjetër parregullsi që ka konstatuar hetimi administrativ ka qenë edhe mënyra e përfitimit të pronësisë së një sipërfaqe prej 519 m2 në qendrën tregëtare “City Center” në Korçë.

Gjatë seancës dëgjimore, relatorja Çiftja deklaroi edhe se në vitin 2014 gjyqtarja nuk ka deklaruar një transfertë ndaj të motrës Çiljeta Prifti në vlerë 900 mijë lekë. Gjithashtu është konstatuar se subjekti i rivlerësimit është anëtare bordit mbikëqyrës së Shoqërisë së Kursim Kreditit ‘Korçarja’, ç’ka bie ndesh me pozicionin e saj si gjyqtare.

Gjatë seancës të zhviluar më datë 08 tetor, gjyqtarja Prifti dha shpjegime për gjetjet e KPK-së, duke argumentuar se pasuritë e ngritura nga ajo dhe bashkëshorti kishin burime të ligjshme.

Në fund, ajo deklaroi të hënën, që në vlerësimin e saj të merreshin parasysh dhe kriteret e profesionalizmit dhe pastërtisë së figurës dhe i kërkoi trupit gjykues të merrte një vendim ‘pozitiv’ e ta konfirmonte në detyrë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *