Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Problemet me profesionalizmin, shkarkohet kryetari i Gjykatës së Kurbinit

KPK vendosi shkarkimin nga detyra të kreut të Gjykatës së Kurbinit, Alfred Gjoni. Hetimi i gjeti probleme në pasuri dhe profesionalizëm.

Seanca dëgjimore për kreun e Gjykatës së Kurbinit Alfred Gjoni. Foto:BIRN

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të hënën shkarkimin e kryetarit të Gjykatës së Kurbinit Alfred Gjoni. Gjoni, i cili i ishte nënshtruar hetimit admninistrativ vetëm në dy kritere, u përball gjatë seancës dëgjimore disa ditë më parë me dyshime rreth aftësive profesionale, ndërsa iu gjetën edhe probleme në deklarimin e pasurisë.

Gjoni u hetua nga një trup gjykues i kryesuar nga Etleda Çiftja, me relator Roland Ilia dhe anëtare Firdes Shuli dhe vëzhgues ndërkombëtar Ferdinando Buatier de Mongeot. Gjatë seancës dëgjimore Gjoni u paraqit bashkë me avokatin Ardian Visha, por u paraqit vetë në momentin e njoftimit të vendimit.

Gjatë leximit të relacionit në seancë dëgjimore u vu në dukje se Gjoni kishte probleme me pasurinë dhe kishte bërë sipas relatorit deklarime kontradiktore. Ndërkohë anëtarët e KPK dhe përfaqësuesi i ONM-së vunë në dyshim aftësitë profesionale të kreut tashmë të shkarkuar të Gjykatës së Kurbinit.

Në relacion u theskua se gjyqtari kishte çështje të zvarritura jashtë kritereve. Relatori Ilia tha se një nga gjyqet e Gjonit kishte zgjatur katër vjet.

Përfaqësuesi i ONM-së, Ferdinando Buatier de Mongeot parashtroi disa rrethana dhe e pyeti gjyqtarin nëse për rastin në fjalë kishim të bënim apo jo me “vrasje me dashje”. Gjoni fillimisht nuk iu përgjigj pyetjes që dukej se kishte të bënte me një çështje konkrete dhe pas ndërhyrjes së kryesueses, dha një përgjigje evazive.

Gjoni dhe avokati Ardian Visha kundërshtuan gjetjet e KPK-së për të dy kriteret. Visha shtoi në fund të seancës se kërkonin konfirmimin në detyrë, ndërsa për pyetjet e vëzhguesit ndërkombëtar tha se klienti i tij kishte pasur pengesë përkthimin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *