Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Prokurori Adnan Xholi kalon me sukses testin e vetingut

Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Adnan Xholi u konfirmua në detyrë pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi se “ai nuk ka pasuri të pajustifikuar dhe nuk ka cënuar besimin e publikut”.

Prokurori Adnan Xholi, gjatë seancës dëgjimore në KPK | Foto nga : Besar Likmeta

Përfaqësuesi i ONM-së, Theo Jacobs shtrëngoi duart me prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme Adnan Xholi të martën, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit deklaroi se ky i fundit e kaloi me sukses testin e vetingut.

Kryesuesja e trupit gjykues, Brunilda Bekteshi tha se nga hetimi dhe analiza financiare rezultoi se prokurori Xholi “nuk ka pasuri të pajustifikuar dhe nuk ka cënuar besimin e publikut”.

Prokurori Xholi ka një karrierë 21 vjeçare në radhët e organit të akuzës dhe prej vitit 2013 ai punon në Prokurorinë e Përgjithshme. Ai u konfirmua në detyrë pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kreu hetimin administrativ për të tre kriteret e rivlerësimit.

Komisioni kaloi në sitë pasuritë e deklaruara në deklaratën veting të vitit 2017, ku përfshihet një apartament 107 m2 në Tiranë me vlerë 50 mijë euro, një automjet Benz i vitit 2004 me vlerë 4 mijë euro, një tokë arë me sipërfaqe 22 mijë m2  me pjesë takuese 1/8 dhe likuiditetet në banka dhe ‘cash’ me vlerë 2.5 milionë lekë.

Ndërsa KPK konstatoi se deklarimet e subjektit përputheshin me gjetjet për pjesën më të madhe të pasurive, pikëpyetje u ngritën për gjendjen cash dhe bankë.

Në fjalën e tij gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar më 11 tetor, Prokurori Xholi vlerësoi hetimin e “KPK-së si të thellë dhe objektiv,” duke e përshkruar si një kontroll të “imtësishëm të jetës sime personale dhe familjare.”

Ai bëri një rezyme të shkurtër të karrierës së tij duke nënvizuar se kishte përfaqësuar akuzën në gjyq kundër grupeve kriminale të rrezikshme dhe kishte sekuestruar miliona euro pasuri të të ashtuquajturave Banda e Lushnjës dhe Banka e Durrësit, si dhe të një kompanie bastesh nën ndikim të ‘Sacra Corona Unita” – mafia Puljeze.

Xholi tha se ishte dakord me gjetjen e KPK për sa i përket vlerësimit të pasurive të tij, por jo me analizën financiare për sa i përket likuiditeteve. Xholi i tha Komisionit se eksperti financiar i KPK-së nuk kishte marrë parasysh që disa nga udhëtimet e tij jashtë shtetit të përllogaritura si shpenzime kishin qenë të mbuluara financiarisht nga shteti ose nga familjarët e tij.

Prokurori tha se Komisioni i kishte përllogaritur gabim pagesat e kësteve të kredisë pranë Raifeissen Bank në vitin 2005, pasi kjo kredi ishte marrë një vit më vonë.  Prokurori kundërshtoi dhe vlerën mesatare të kostos së jetesës të përdorur nga KPK në analizën financiare. Ai shtoi se një analizë financiare e përgatitur nga një ekspert i pavarur financiar, e cila është paraqitur si provë nga subjekti, arrinte në përfundimin se pasuria e tij neto justifikohej nga të ardhurat familjare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *