Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Prokurori Alfred Progonati rezulton pa probleme gjatë seancës dëgjimore

Rivlerësimi i prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme Alfred Progonati u fokusuar kryesisht në kriterin e pasurisë, por gjatë relacionit nuk u vunë në dukje probleme, veç një diference negative prej 92 mijë lekësh në vitin 2014.

Seanca dëgjimore për prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme Alfred Progonati pranë KPK. Foto:BIRN

Seanca dëgjimore për prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme Alfred Progonati zgjati vetëm 30 minuta, ndërsa relacioni i fokusuar kryesisht në rivlerësimin e pasurisë vuri në dukje vetëm një diferencë negative prej 92 mijë lekësh në vitin 2014.

Progonati i cili u paraqit pa avokat në seancën e të martës falenderoi Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe tha se pranonte përfundimet e arritura prej hetimit të cilin e cilësoi korrekt.

Trupa e KPK në këtë seancë u kryesua nga Genta Tafa, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Xhensila Pinen. Progonati i cili është prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme prej më shumë se 15 vitesh, u vlerësua në të tre kriteret.  Progonati e ka filluar karrierën në Prokurori në vitin 2002. Përgjatë viteve, ai ka punuar si prokuror i sektorit të Krimit të Organizuar apo i Dekriminalizimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

Lexo edhe: Skeda e pasurisë së deklaruar-Alfred Progonati-Prokuroria e Përgjithshme

Sipas relacionit të lexuar nga Pamela Qirko ndaj tij nuk kishte pasur asnjë denoncim, ndërsa nuk ishin gjetur kontakte të papërshtatshme dhe ishte vlerësuar pozitivisht sa i përket profesionalizmit. Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit sipas relatores nuk kishte vërejtur asnjë problem në pasurinë e Progonatit. Megjithatë sa i përket kriterit të pasurisë Qirko u ndal në blerjen e një apartamenti 126 metra katrorë në vitet 2005-2006 me vlerë 70 mijë euro.

Sipas relatores Progonati kishte paguar 41 mijë euro me burim kursimet, shitjen e një shtëpie dhe garazhi në Tepelenë për 2 milion lekë dhe shitjen e një makine. Ajo megjithatë vuri në dukje se nga analiza financiare rezultonte se shuma në lekë 4.6 milion e deklaruar si e kursyer nga prokurori nuk përputhej me shumën në euro që ai kishte paguar. Progonati kishte shpjeguar se konvertimi në euro i shumës ishte kryer nga kompania e ndërtimit me të cilën kishte kontratë, ndërsa ai kishte bërë pagesat në lekë.

KPK po ashtu vuri në dukje se pas analizës finaciare dhe pas dokumenteve shtesë të sjellë nga subjektik, ai rezultoi në fund me një diferencë negative për vitin 2014 në shumën 92 mijë lekë. Progonati i cili e përmendi këtë detaj edhe në seancë dëgjimore tha se kishte pasur burime financiare dhe se diferenca mund të jetë pasojë e ndonjë gabimi ose problem prej konvertimit të të ardhurave në euro.

KPK-së i rezultuan po ashtu të justifikuara kursimet e deklaruara prej subjektit dhe shpenzimet e kryera për shkollimin e vajzës në Gjermani. Nga relacioni rezultoi se Progonati kishte të ardhura për të mbuluar shumën prej 8 mijë eurosh, ndërsa një shumë e dytë prej 1500 eurosh ishte marrë si kredi konsumatore. Po ashtu prokurori sipas KPK-së solli dokumente se e bija kishte punuar gjatë kohës që ndodhej në Gjermani dhe kishte fitur neto 5200 euro për vitet 2016 dhe 2017. Relatorja tha se Progonati rezultoi me “balancë financiare pozitive”.

Në fund të seancës Progonati tha se duke u nisur edhe nga relacioni kërkonte “konfirmimin në detyrë”, ndërsa falenderoi KPK  për “objektivitetin në rivlerësimin e tij në të tre kriteret”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *