Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Prokurori Altin Binaj përballet me dyshime për pamjaftueshmëri të pasurisë

Drejtuesi i Prokurorisë së Apelit të Vlorës Altin Binaj u gjet sipas relacionit me mungesë të ardhurash për vitet 2008, 2011 dhe 2013. Ai u vlerësua pozitivisht në dy kriteret e tjera. Binaj kundërshtoi gjetjet e KPK mbi pasurinë dhe kërkoi të konfirmohej.

Seanca dëgjimore ndaj drejtuesit të Prokurorisë së Apelit Altin Binaj. Foto: BIRN.

Pagesa 15 mijë euro për një zyrën e avokatisë së bashkëshortes, një pagesë e 600 mijë lekë për arredimin e një shtëpie në Orikum dhe shpenzime të shkollimit të fëmijëve në vitin 2011, u cilësuan si probleme gjatë seancës dëgjimore në KPK për Altin Binajn, drejtues në Prokurorinë e Apelit të Vlorës.

Relatorja Xhensila Pine, e cila shqyrtoi të hënën çështjen e Binajt sëbashku me kryesuesen Genta Tafa (Bungo) dhe anëtaren Pamela Qirko, nuk u ndal në detaje. Pine përmendi se Binaj ishte gjetur në pamjaftueshmëri financiare për tre vite:2008, 2011 dhe 2013, ndërsa tha se ai ishte vlerësuar pozitivisht në dy kriteret e tjera.

Binaj nga ana e tij mbajti një fjalë të gjatë para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit gjatë të cilës pretendoi se gjetjet për të tre vitet nuk qëndronin. Prokurori tha se të paktën për një vit ajo që rezultonte si pamjaftueshmëri e tij, vinte si pasojë e raporteve kontradiktore dhe të pasakta nga Drejtoria e Tatimeve.

Binaj e ka filluar karrierën në institucionin e Prokurorisë në Shqipëri në mesin e viteve ‘90. Ai ka mbajtur postin e zv.drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës si dhe ka drejtuar prokuroritë e Fierit dhe të Durrësit gjatë viteve 2008-2013. Në vitin 2013, prokurori Altin Binaj u emërua në Prokurorinë e Përgjithshme, ku kryesoi drejtorinë e hetimit të korrupsionit. Prej vitit 2016, Binaj drejton Prokurorinë e Apelit të Vlorës.

Rivlerësimi nga Komisioni

Relacioni i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit sa i përket Altin Binajt ishte mjaft i thjeshtuar. Relatorja Pine vuri në dukje sa i përket kriterit të pasurisë se drejtuesi i Prokurorisë së Apelit të Vlorës, zotëronte një apartament në Vlorë dhe një në Orikum.

Ajo nuk vuri në dukje probleme sa i përket apartamentit të parë të subjektit, ndërsa sa i përket apartamentit të dytë të blerë në vitin 2013 u theksua se kishte pamjaftueshmëri burimesh për arredimin e këtij apartamenti.

Relatorja po ashtu theksoi se nga analiza financiare e bërë prej KPK-së kishte rezultuar se Binaj kishte mungesë burimesh të ligjshme për të justifikuar shpenzimet e bëra në vitet 2008, 2011 dhe 2013. Pine nuk dha detaje për vlerën e pamjaftueshmërisë dhe po ashtu nuk përmendi shpenzimet që ishin bërë në këto vite.

Ndërkohë në relacion u theksua se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) ashtu si Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit, kishin dorëzuar raport pozitiv për Binajn. Pozitivisht ishte edhe raporti i Prokurorisë së Përgjithshme sa i përket aftësive profesionale të prokurorit.

Në relacion u vu në dukje se ndaj Binajt kishte dy denoncime, por relatorja theksoi se në këto denoncime nuk “kishte indicie e të dhëna” që mund të merreshin parasysh në rivlerësimin e  prokurorit.

Argumentet e Binajt

Përndryshe nga relacioni vetë prokurori u ndal gjatë kryesisht në tre vitet që u cilësuan me probleme nga relacioni. Duke bërë referenca për qëndrimet me shkrim që i kishte dërguar KPK-së, Binaj tha se në të tre këto vite të ardhurat e familjes së tij kishin qenë të mjaftueshme.

Binaj tha se për vitin 2008 pamjaftueshmëria kishte të bënte me shpenzimin 15 mijë euro për zyrën e avokatisë së bashkëshortes. Ai sqaroi se ata i kishin pasur këto të ardhura dhe vuri në dukje faktin se rreth fitimeve që bashkëshortja kishte pasur nga puna si avokate tatimet kishin dhënë raporte kontradiktore dhe kërkoi që të merreshin parasysh deklarimt vjetore të tij dhe bashkëshortes, ndërsa tha se kishte sjellë si prova edhe vendime gjyqësore për të cilat e shoqja kishte punuar si avokate.

Binaj iu referua precedentëve të Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe kërkoi që kondratiktat dhe gabimet e tatimeve të konsideroheshin në favor të tij, pasi ishin bërë nga një institucion shtetëror.

Sa i përket shpenzimeve në vitin 2011 Binaj tha se ato ishin bërë me para të tërhequra më herët prej tij nga llogaria bankare e pagës. Binaj tha se kishte tërhequr rreth 1.2 milion në vitin 2010, por këto para nuk ishin përdorur për qëllimin që ishin tërhequr në atë kohë dhe më pas ishin përdorur për nevojat e tjera të familjes.

Ai theksoi se sa i përket vitit 2013 dhe barrës së provës për pamjaftueshmëri në shumën prej 600 mijë lekësh për mobilimin e shtëpisë në Orikum, kishte një lapsus ose keqkuptim prej Komisionit. Binaj tha se nuk kishte deklaruar se shpenzimet e mobilimit 600 mijë lekë ishin kryer të gjitha në vitin 2013. Në seancë ai tha se ndërsa e kishte pasur të pamundur të gjente fatura për këto shpenzime ato ishin kryer “për disa vite me rradhë sipas nevojave që ishin paraqitur në shtëpi”.

Në fund të seancës duke rënë dakord me pjesën tjetër të relacionit sa i përket pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit, Binaj kërkoi të konfirmohej në detyrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *