Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Prokurori Arben Dollapaj drejt konfirmimit në detyrë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk ka konstatuar probleme serioze gjatë procesit të rivlerësimit për pokurorin e Apelit Shkodër Arben Dollapaj, njëherazi kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Seanca e KPK-ë për prokurorin Arben Dollapaj | Foto nga : Besar Likmeta

Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, e udhëhequr nga kryesuesi Lulzim Hamitaj, relatori Olsi Komici dhe anëtare Brunilda Bekteshi, mbajti të premten seancën dëgjimore për prokurorin e Apelit Shkodër Arben Dollapaj.

Dollapaj është shortuar si pjesë e listës prioritare të KPK-së për shkak të kandidaturës së tij në Këshillin e Lartë të Prokurorisë – një nga instiutcionet e reja që duhet të ngrihen si pjesë e reformës në sistemin e drejtësisë.

Prokurori Dollapaj i është nënshtruar procesit të rivlerësimit për të tre kriteret e vetingut, përfshirë pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. Për këtë shkak KPK ka administruar raportet për subjektin nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhë Konfliktit të Interesit, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe Prokuroria e Përgjithshme.

Sipas raportit të ILDKPKI të administruar nga KPK, subjekti ka bërë deklarim të saktë pasurie, ka burime të mjaftueshme financiare, nuk ka bërë fshehje pasurie, nuk ka bërë deklarim të rremë dhe nuk ka konflikt interesi.

Relatori Olsi Komici nënvizoi në fjalën e tij se KPK kishte ndërmarrë gjithashtu një hetim të pavarur mbi pasurinë e subjektit, duke marrë në shqyrtim një apartament me sipërfaqe 76 m2 në Bajram Curri, ku subjekti zotëron 20% të pronës me vlerë 2.2 milionë lekë. Një shtëpi banimi me sipërfaqe 113 m2 me vlerë 9 milionë lekë në Selitë, një shtëpi me vlerë 5 milionë lekë në ndërtim në Valbonë. Likuiditete në bankën Credins në vlerë 972 mijë lekë dhe në BKT me vlerë 9400 euro. Një kredi me vlerë 5 milionë dhe afat 180 muaj dhe principal të mbetuar 3.5 milionë lekë.

KPK gjithashtu ka hetuar mbi pasurinë mamasë së sbjektit, Fatime Dollpaj ku përfshihet bashkëpronësia në shtëpinë në Bajram Curri të privatizuar në vitin 1993, si dhe shtëpinë në bashkëpronësi në Valbonë.

Sipas KPK-së për shtëpinë në Selitë me vlerë 9 milionë lekë, subjekti është mbështur në burimet financiare të përbëra nga një kredi 5 milionë lekë, një hua 25 USD dhe kursime në vlerë 1.5 milionë lekë. Shtëpia ka marrë në vitin 2012 lejen e legalizimit për një shtesë kati me sipërfaqe 128 m2, në emër të subjektit dhe të vëllait.

Sipas relatorit Olsi Komici KPK ka arritur të konfirmojë ligjshmërinë e burimeve finaciare për shtëpinë në Selitë. Megjithatë, shtesa e katit që rezulton në dokumentet e legalizimit, edhe pse e deklaruar në deklaratën periodike të vitit 2007, nuk është deklaruar në deklaratën veting të viti 2017. Për KPK-në ky mosdeklarim në deklaratën veting të vitit 2017 përbën deklarim të pamjaftueshëm.

Gjithashtu sipas KPK-së, për shtëpinë në ndërtim në Valbonë personi lidhur me subjektin ka deklaruar vetëm 1 nga 3 kontratat për blerjen e truallit, duke mos deklaruar dy transaksione në vlerë respektive 145 mijë dhe 324 mijë lekë. Për këto shuma KPK i ka kaluar barrën e provës personit të lidhur. Për këto transaksione subjekti ka sjellë deklaratë noteriale dhe mandat pagesa që tregojnë se paratë e truallit janë bërë nga i vëllai.

Gjithashtu KPK ka marrë në shqyrtim dhe dy dhurata kesh në vlerë totale 7 mijë USD, të bërë ndaj prokurorit në vitin 2006 dhe 2007 nga motrat me banim në amerikë.

Përtej rivlerësimit të pasurisë, relatori Komici nënvizoi se ndaj subjektit janë marrë në shqyrtim kriteri i pastërtisë së figurës dhe profesionalzmi. Për sa i përket pastërtisë së figurës DSIK në raportin e saj ka konfirmuar përshtashmërinë e subjektit, ndërkohë që prokurori Dollapaj ka marrë një vlerësim pozitiv për aftësitë në punë edhe nga Prokuroria e Përgjithshme. Në një denoncim të administruar nga KPK nuk janë gjetur indicje për shkejle nga subjekti.

Në fjalën e tij përpara KPK-së Z. Dollapaj pranoi deklarimin e pamjaftueshëm për katin shtesë në deklaratën veting, por nënvizoi se ky kat i përkiste të vëllai por pasuria nuk ishen ndarë për shkak të vendosjes së barrës së kredisë. Ai gjithashtu pranoi se deklarata veting e personit te lidhur Fatime Dollapaj nuk reflektonte qartë vlerën e truallit të shtëpisë në Valbonë. Por kjo kishte ardhur si pasojë e një gabimi nga ana e tij, kur e kishte ndihmuar të plotësonte deklaratën.

“Nuk ka pasur fshehje pasurie,” nënvizoi prokurori.

Në përfundim të seancës prokurori Dollapaj i kërkoi KPK-së konfirmimin në detyrë, duke nënvizuar se në 25 vjet karrierë kishte shërbyer në të gjithë shkallët e prokurorisë, në 7 rrethe të ndryshme më përkushtim.

Vendimi i KPK-së për prokurorin Arben Dollapaj do jepet të hënën me datë 6 gusht ora 9:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *