Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Prokurori Arqilea Koça përballet me dyshimet për një kredi të butë

Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme Arqilea Koça u përball në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me pyetje rreth përfitimit të një kredie të butë dhe mosdeklarimit të burimeve për pasurinë, e cila megjithatë u cilësua e ligjshme pas hetimeve. Koça kërkoi konfirmim.

Seanca dëgjimore në KPK ndaj prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme, Arqilea Koça. Foto:BIRN

Një kredi e butë si i pastrehë e marrë në vitin 2000 vetëm katër muaj para se përmes një procesi privatizimi të përfitonte pjesë në një godinë të një ish-ndërmarrje në Korçë, vunë në vështirësi prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme Arqilea Koça, gjatë seancës dëgjimore.

Koças, të cilit përndryshe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, njoftoi se nuk i kishte gjetur probleme as në kriterin e aftësive profesionale dhe as në atë të pastërtisë së figurës dhe që kishte të ardhura të ligjshme për pasurinë e tij, iu kërkua të jepte shpjegime rreth kredisë 5 milion lekë.

Trupa gjykuese, e cila hetoi rastin e tij kryesohej nga  Etleda Çiftja, me anëtar Roland Ilia dhe relatore Firdes Shuli, bëri me dije se Koça ishte vlerësuar në  të tre kriteret e vetingut. Po ashtu u tha se ndaj prokurorit nuk kishte pasur asnjë denoncim nga publiku.

Arqilea Koça e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në Shqipëri në vitet ’90. Ai punon prej 15 vitesh në Prokurorinë e Përgjithshme, ku ka mbajtur edhe postet drejtuese të luftës kundër krimit të organizuar, drejtorisë së hetimit dhe të ndjekjes penale dhe së fundmi drejton zyrën e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë.

Paralelisht me detyrën si prokuror, Koça ka qenë edhe pedagog i Jashtëm në Shkollën e Magjistraturës si dhe anëtar për tre vite i Këshillit të Prokurorisë. Në vitin 2017, ai kandidoi për t’u zgjedhur Prokuror i Përgjithshëm i Përkohshëm, post i cili u fitua nga Arta Marku.

Në fjalën e tij ai kërkoi të konfirmohej, duke thënë se vlerësonte hetimin e thelluar që i ishte bërë dhe kryesisht qëndrimin e KPK-së për sa i përket integritetit dhe profesionalizmit. Ai u përpoq të shpjegonte arsyet pse nuk kishte hequr dorë nga privatizimi i një banese në Korçë në kohën që kishte marrë kredinë e butë në Tiranë dhe po ashtu edhe të sqaronte situatën e tij ekonomike në ato vite.

Kredia e butë dhe “baraka”

Relatimi i Komisioneres Firdes Shuli vuri në dukje se për prokurorin Arqilea Koça hetimi i thelluar i KPK-së nuk kishte dalë në rezultate të ndryshme nga raportet e institucioneve ndihmëse që kishin qenë pozitive.

Shuli tha se si Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) dhe Prokuroria e Përgjithshme kishin sjellë raporte pozitive për Koçan.

Megjithatë Komisioni zbuloi disa mangësi në raportimin e përvitshëm të pasurive nga prokurori. Sipas Shulit Koça nuk kishte deklaruar në disa nga deklaratat vjetore të pasurisë burimin e këtyre pasurive. Po ashtu sipas KPK-së prokurori nuk kishte deklaruar asnjëherë pronësinë mbi ¼ e një apartamenti në Delvinë, nga i cila rezultoi se kishte hequr dorë në vitin 2011.

Shuli megjithatë vuri në dukje se nga hetimi i Komisionit dhe përgjigjet e Koças rezultoi që pasuritë të ishin me burim të ligjshëm dhe të dokumentuar. Ajo theksoi se Koça kishte dhënë shpjegime që kishin përkuar me rezultatet e hetimit dhe se ai nuk kishte qenë në dijeni të pronësisë mbi apartamentin e prindërve dhe kjo tregohej nga heqja dorë që ai kishte bërë në vitin 2011.

Koça u përpoq të shpjegonte mosdeklarimin, duke thënë në deklaratën e tij se kjo i ishte dukur formalitet dhe se ai nuk ishte në gjendje të ndante se cili burim prej të ardhurave që kishte, kishte shërbyer për krijimin e një pasurie të caktuar.

Ai tha se fakti që hetimi kishte gjetur se burimet ishin të ligjshme dhe të dokumentuara tregonte se ai nuk kishte pasur për qëllim fshehjen e burimeve. “Edhe po të deklaroja se burimi i një pasurie ishte nga: të ardhurat nga paga, kursimet dhe shitja e apartamenteve, do ishte njësoj”, tha Koça duke këmbëngulur se paratë e familjes i kishte konsideruar si një gjë e vetme prej nga kryheshin shpenzimet.

Koça megjithatë u përball me dyshimet e KPK dhe pyetjet e kryesueses sa i përket përfitimit të një kredie të butë si i pastrehë në vlerën 5 milion lekë në të njëjtën kohë kur ai ishte pronar i një godine në Linzë të Tiranës dhe kur katër muaj më vonë përfitoi me privatizim pjesë të një ish-ndërmarrje në Korçë ku kishte punuar në fillim të viteve 90’.

Relatorja nuk sqaroi nëse përfitimi i kësaj kredie shihej apo jo si shkelje nga KPK. Më herët në vendime të ngjashme KPK e ka konsideruar atë si “përfitim të padrejtë” për shkak të funksionit, sidomos kur subjekti nuk ishte në kushtet e të qenit i pastrehë.

Koça shpjegoi se godina në Linzë kishte qenë një barakë dhe kushtet në të ishin ekstreme dhe nuk mund të quhej strehim. Ai tha se godina e ndërtuar mbështetur pjesërisht në murin e avllisë së komshiut, kishte shërbyer si strehë për familjen e tij në kushtet kur nuk kishte asnjë mundësi strehimi. “Pavarësisht se isha prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme, nuk kishte ndonjë kujdes për ne nga shteti”, tha Koça.

Ai po ashtu shpjegoi se përfitimi i kredisë ishte një moment pas miratimit të një vendimi qeverie që nuk prekte vetëm atë, por një sërë zyrtarësh të tjerë përfshi kolegë të tij prokurorë. Ai tha se privatizimi në Korçë ishte bërë katër muaj më pas, por për të ai kishte aplikuar në fillim të viteve 90’ kur punonte atje si prokuror para apolikimit për kredi, por që ishte zvarritur nga pushteti lokal i Korçës.

Këmbënguljes së kryesueses për të dhënë shpjegime mbi përfitimin e kredisë dhe më pas të privatizimit, Koça iu përgjigj duke thënë se ai nuk ishte ndjerë i sigurt pas marrjes së kredisë. “Është e vërtët që është një kredi e butë, me interesa të ulëta, ndryshe nga interesat që paguanin qytetarët, por prapë ishte një kredi dhe mua në atë kohë nuk më jepte siguri se e kisha zgjidhur problemin e strehimit”, tha Koça duke përmendur po ashtu një incident që i kishte ndodhur në atë periudhë dhe pasigurinë për shlyerjen e kredisë.

Apartamentet

Megjithatë baraka rezultoi të kishte qenë një zhgjidhje ekonomike me leverdi për prokurorin. KPK tha se nga hetimi kishte rezultuar se blerja e një toke prej 830 metrash në Linzë kishte shërbyer vite më vonë, pas një kontrate këmbimi me një kompani ndërtimi, si burim i një sërë apartamentesh dhe pasurish të paluajtshme për prokurorin.

Kryesuesja kërkoi sqarime nga Koça në lidhje me investimin 400 mijë lekë në blerjen e kësaj pasurie në një kohë kur pronari i tokës ende nuk kishte pasur dokument pronësie. Koça tha se toka në të cilën ai fillimisht kishte menduar të ndërtonte një shtëpi kur të kishte mundësi, kishte qenë e shitësit me Akt Marrje Toke në Përdorim bazuar në ligjin 7501 dhe se ai kishte hyrë në marrëveshje me gojë me të duke i besuar llafit të dhënë.

“Sigurisht që ishte një investim i pasigurt, por vendi sapo kishte hyrë në një sistem kpatilist dhe ishte në një gjendje të tillë sociale ku ende i besohej fjalës së dhënë”, tha Koça. Ai tha se nuk kishte pasur pritshmëri për zonën dhe se ofrimi i një investitori aty kishte ndodhur disa vite më vonë.

Relatorja shpjegoi se nuk kishte gjetur asgjë të dyshimet në kontratën e këmbimit mes shoqërisë së ndërtimit dhe prokurorit dhe se nuk rezultoi që ai të kishe pasur trajtim preferencial. Sipas relacionit Koça kishte marrë disa apartamente, të cilët kryesisht ishin dhënë në përdorim për përkujdesje të të afërt përfshi vjehrrën, një nip dhe një mik. Për qiratë e marra sipas KPK ishin paguar tatimet.

Ndërkohë Koça shpjegoi se një prej këtyre apartamenteve ishte përdorur prej tij si shtëpi e dytë për disa vite, derisa ishte bërë gati për banim. Koça shpjegoi po ashtu se pse nuk kishte deklaruar si pasuri këto apartamente që në vitin 2009 kur i kishte marrë ato në posedim, por vetëm në vitin 2014 kur ato i kishin kaluar edhe juridikisht në pronësi.

Prokurori tha se nuk kishte pasur asnjë synim fshehje, pasi pasuritë ishin të ligjshme dhe se kontrata me shoqërinë e ndërtimit dhe çdo detaj i saj e ato që ai përfitonte prej saj ishin deklaruar në deklarimet vjetore. Ai tha se nuk e kishte parë si të rregullt deklarimin e tyre pa qenë ende të rregjistruara në pronësi të tij në hipotekë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *