Prokurori i Tiranës, Avni Kraja pas seancës së shtyrë në KPK. Foto: Vladimir Karaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Prokurori Avni Kraja shtyn për herë të katërt seancën në KPK

Prokurori Avni Kraja kërkoi përjashtimin e relatores Alma Faskaj, duke referuar si arsye shkarkimin e saj në vitit 1996 nga Gjykata e Lushnjes. Seanca në KPK për Krajën është shtyrë edhe tre herë të tjera me arsye të ndryshme.

Prokurori i Tiranës, Avni Kraja pas seancës së shtyrë në KPK. Foto: Vladimir Karaj.

Seanca në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me prokurorin e Tiranës, Avni Kraja nisi me përsëritje të procedurave dhe u mbyll me debat mes trupës, vëzhgueses ndërkombëtare dhe subjektit, pasi ky i fundit kërkoi përjashtimin e relatores Alma Faskaj.

Si pretendim për përjashtimin, Kraja tha se Faskaj ishte shkarkuar një herë nga detyra prej Këshillit të Lartë të Drejtësisë, KLD, në vitin 1996 dhe se kjo e bënte të paligjshme praninë e saj në trupë. Ai iu referua edhe kallëzimit penal nga gjyqtarja Hajrie Muçmata për të njëjtat arsye.

Kraja tha gjithashtu se ai dhe Faskaj kishin punuar në të njëjtën godinë në Lushnje, ajo si gjyqtare dhe ai si prokuror. Ai pretendoi se nuk e kishte ditur që bëhej fjalë për të njëjtin person deri 4 ditë më parë, kur ishte vënë në dijeni prej avokates Irena Riso.

Kërkesa e Krajës u bë menjëherë pasi kryesuesi Lulzim Hamitaj tha se kërkesa për rihapje hetimesh në dy kriteret e tjera do të shihej pas seancës dëgjimore.

Pas kësaj, Kraja që kishte munguar në tre përpjekjet e para për të bërë seancë me pretendimin se ishte i sëmurë, kërkoi përjashtimin e Faskajt.

I pyetur nga vëzhguesja ndërkombëtare, Elka Ermenkova se kur ishte njohur me përbërjen e trupës dhe pse nuk e kishte paraqitur këtë kërkesë me herët, Kraja pretendoi se e kishte mësuar vetëm së fundmi se kush ishte Faskaj. Ermenkova këmbënguli dhe pyeti subjektin se kur e kishte mësuar ai që bëhej fjalë “për të njëjtën Almë”. Prokurori pretendoi se nuk e dinte që ajo ishte martuar.

Anëtarja tjetër e trupës, Genta Tafa (Bungo), këmbënguli se të dhënat e përmendura nga Kraja ishin të njohura botërisht. Në shkëmbimin që pasoi Kraja tha se “kishte kërkuar në Google”. Tafa replikoi se në Google ishin edhe të dhënat e pretenduara për Faskajn dhe mbiemri i saj i vajzërisë. Ajo shtoi se për çështjen kishte po ashtu një vendim gjykate që mund të gjendej në Google.

Vetë Faskaj vuri në dukje se avokatja Riso kishte qenë përfaqësuese e gjyqtares Hajrie Muçmataj, e cila kishte bërë kallëzim mbi këto fakte ndaj Faskajt. Riso u kundërpërgjigj se këto ishin të dhëna të mbrojtura nga marrëdhënia avokat-klient dhe se ajo nuk i diskutonte ato me klientë të tjerë.

Vëzhguesja Erkmenkova la të kuptohej se ajo dyshonte në qëndrimet e subjektit. “Ne jemi të gjithë juristë në këtë dhomë dhe e dimë fare mirë, të gjithë, që kundërshtimet procedurale paraqiten në momentin që viheni në dijeni të faktit. Pse e vonuat procedurën një javë tjetër për të paraqitur këtë kundërshtim?”, tha ajo.

Tafa po ashtu e pyeti Krajën nëse kjo ishte një përpjekje për të shtyrë seancën dhe vuri në dukje se bashkëpunimi i subjektit ishte pjesë e procesit të rivlerësimit. Kraja mohoi të kishte qëllim tjetër përpos “ligjshmërisë së procesit”. Avokatja e tij tha se ata ishin të gatshëm të prisnin po atë ditë për vendimin e trupës tjetër dhe për të rifilluar seancën dëgjimore.

E mbledhur në dhomë këshillimi, trupa njoftoi shtyrje të seancës për të premten në orën 10.00, ndërsa tha se kërkesa për përjashtim do të shqyrtohej nga një trupë tjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *