Prokurori Beluri mbetet në detyrë, por çohet në inspektim për dosjen e Thanzës

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dha për herë të parë një vendim me dy pika të enjten, kur konfirmoi në detyrë prokurorin Kostaq Beluri dhe urdhëroi inspektim për vendimin e tij për të pushuar hetimet për gjyqtarin Admir Thanza.

Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Kostaq Beluri në seancën dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto: LSA

Mbyllja e dyshimtë e hetimeve për korrupsion ndaj gjyqtarit Admir Thanza la një njollë mbi karrierën e gjatë të prokurorit Kostaq Beluri, por nuk e rrëzoi atë. Kryetari i trupës gjykuese, Olsi Komici lexoi për herë të parë një vendim me dy pika në sallën e Pallatit të Kongreseve të enjten, ku kolegë të Belurit kishin ardhur në mbështetje të tij.

“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendos konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Kostaq Beluri,” tha Komici, i cili lexoi më pas edhe pikën e dytë.

“Transferimin e procedimit penal nr. 3, datë 3 mars 2016 pranë Inspektoriatit përkatës për inspektim disiplinor,” shtoi kryetari i trupës gjykuese.

Sipas vendimit, inspektimi disiplinor i hetimeve për korrupsion për gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza dhe një notere është një fakt i panegociueshëm. Vendimi i KPK-së ndaloi specifikisht apelimin e pikës së dytë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Prokurori Kostaq Beluri ka një karrierë të gjatë në Prokurori dhe në Policinë e Shtetit, ku ka ndërtuar një reputacion me hetimin e çështjeve që lidhen me krimin e organizuar. Ai ka mbajtur postet e zv.drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës, drejtorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit në vitet 2004-2007 dhe zv.prokuror i Krimeve të Rënda.

Prej vitit 2014, ai punon në Prokurorinë e Përgjithshme dhe aktualisht kryen funksionin si prokuror i sektorit të Verifikimit të Integritetit.

Në procesin e rivlerësimit, Beluri kaloi pa probleme testin e pasurisë dhe atë të pastërtisë së figurës, por seanca dëgjimore u dominua nga mënyra se si ai e kishte mbyllur hetimin ndaj Thanzës në vitin 2016.

Sipas KPK-së, në dosje ndodheshin katër CD me përgjime ambientale të takimeve të një notereje-bashkëshorte e kryetarit nën akuzë të hipotekës së Shkodrës me një shtetas me inicialet G.B dhe gjyqtarin Admir Thanza. Sipas KPK-së, noterja po tentonte të ushtronte ndikim të paligjshme për të penguar arrestimin e të shoqit dhe në të dyja takimet është filmuar duke shkëmbyer para.

Prokuroria ka përgjuar gjithashtu një bisedë të dyshimtë telefonike pas takimit të noteres me gjyqtarin Thanza.

Biseda e kryer mes një personi të vetëquajtur Maurizio dhe një numri telefonik me 11 në fund-që u la të kuptohej se i përkiste ish-drejtorit nën akuzë të Hipotekës rrotullohej rreth shprehjes: Pallati bën 50 mijë euro!

Përballë pyetjeve mbi hetime të pakryera në mënyrë të thelluar, prokurori Beluri u mbrojt me faktin se dosja kishte mbërritur nga prokuroria e Shkodrës te ai dy muaj pas episodit të takimeve.

“Elementi kryesor për sigurimin e provës në rastet e korrupsionit është hetimi proaktiv. Prokuroria e Shkodrës është përpjekur të bëjë hetim proaktiv, por në fund ajo dhe Policia kanë vendosur të mos ndërhyjnë në kushtet e flagrancës,” tha Beluri.

“Në kushtet kur nuk mund të bëhej më hetim proaktiv pasi kishin kaluar dy muaj, unë kam bërë vlerësimin e atyre provave që kisha në dosje dhe gjykoj se kam bërë një vlerësim objektiv,” shtoi ai.