Besim Hajdarmataj dhe avokatja e tij, Romina Zano në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: LSA
Korrupsioni KPA Lajme Vendi

Prokurori Besim Hajdarmataj shkarkohet për ‘cenim të besimit te drejtësia’

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vlerësoi se ish-kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj kishte shfaqur mangësi në ushtrimin e detyrës si prokur dhe si drejtues dhe se marrëdhënia e tij me dy persona me precedentë tregonte për sjellje jo të denjë  jashtë-gjyqësore.

Besim Hajdarmataj dhe avokatja e tij, Romina Zano në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të mërkurën ndryshimin e vendimit të shkallës së parë të vetingut dhe shkarkimin nga detyra për ish-kreun e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj.

Vendimi u shpall në prani të Hajdarmatajt dhe avokates së tij, Romina Zano, Komisionerit Publik  dhe vëzhguesit të ONM-së, Theo Jacobs.

“…Rrethanat e çështjes janë të tilla që e çojnë këtë trupë gjykuese në vlerësimin se subjekti i rivlerësimit ka cenuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë në një mënyrë të parikuperueshme nga programet e trajnimit në Shkollën e Magjistraturës,” deklaroi kryesuesja e trupës gjykuese, Rezarta Schuetz.

Ish-kreu i Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdarmataj u konfirmua në detyrë me 16 tetor 2019 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Por çështja u ankimua në Kolegj me rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Në vlerësimin e kriterit të pasurisë, Kolegji gjeti mungesë burimesh të ligjshme në vitet 2010-2013 për përballimin e shpenzimeve, mbajtjen e kursimeve në cash tej limitit ligjor prej 1.5 milionë lekësh si dhe deklarime jo-bindëse në lidhje me kontributet e të vëllait të subjektit.

Megjithatë, ishte vlerësimi mbi profesionalizmin dhe kontaktet me dy persona me precedentë ato që sollën largimin përfundimtar të Hajdarmatajt nga sistemi i drejtësisë.

Sipas vendimit të KPA-së, Hajdarmataj ka demonstruar si prokuror minimalisht mangësi të zbatimit të ligjit në një çështje të hetuar në Kurbin –mangësi që u konsideruan si serioze dhe të papranueshme nga trupa gjykuese.

Trupa gjykuese e Kolegjit analizoi gjithashtu katër procedime të tjera në lidhje me punën e kryer nga Hajdarmataj në cilësinë e drejtuesit; njëri prej të cilëve i vitit 2012 në Prokurorinë e Durrësit dhe tre të tjerët në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Në dy prej çështjeve, KPA gjeti se Hajdarmataj kishte ndërhyrë për shpallje moskompetence në shmangie të prokurorit të çështjes, çka kishte sjellë si rrjedhojë pushimin e hetimeve.

Vendimi i KPA-së ishte më i ashpër mbi një çështje të vitit 2017 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda që drejtohej nga Hajdarmataj pas sekuestrimit të një sasie prej 12 ton kanabis në Përmet. Edhe në këtë rast, Prokuroria e Krimeve të Rënda shpalli moskompetencën – një vendim që u vlerësua si mangësi në ushtrimin e detyrës nga ana e Hajdarmatajt.

“Nga ana e subjektit të rivlerësimit nuk është treguar kujdesi dhe vlerësimi i duhur apo nxjerrja e udhëzimeve përkatëse, që tregon për mangësi në ushtrimin e detyrës,” tha kryesuesja Schuetz në shpalljen e vendimit.

Duke vlerësuar se çështja duhej të kishte një vëmendje të shtuar për shkak të sasisë së madhe të lëndës narkotike, KPA vlerësoi se pasiviteti i Hajdarmatajt si drejtues do të perceptohej nga qytetarët si ndikim mbi forcën goditëse të institucioneve ndaj trafikut të lëndëve narkotike.

Një tjetër argument në favor të shkarkimit ishte marrëdhënia e subjektit me dy shtetas me precedentë penalë.

“Janë elementë që tregojnë për një sjellje jashtëgjyqësore jo të denjë për një funksionar të nivelit të tillë,” tha Schuetz në vendim, duke përsëritur se kjo cenonte perceptimin publik te sistemi i drejtësisë.

Në fund të vendimit, KPA vlerësoi se qëndrimi në detyrë i Hajdarmatajt do të ishte i papërshtatshëm, duke e konsideruar vendimin e KPK-së për konfirmimin e tij të pabazuar në prova, fakte dhe ligj.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *