Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Prokurori Besnik Muçi i Krimeve të Rënda konfirmohet në detyrë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve dha vendim pozitiv për prokurorin Muçi pasi pasaktësitë në deklarimet e pasurisë u konsideruan të tilla që nuk prekin besueshmërinë për të.

Prokurori Besnik Muçi pas seancës dëgjimore para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në Tiranë më 30 korrik 2018. Foto: Gent Shkullaku/LSA

Besnik Muçi, prokuror pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda dhe kandidat për anëtar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë u konfirmua në detyrë të mërkurën më 1 gusht 2018, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konkludoi se pasaktësitë në deklarimin e pasurisë prej tij nuk përbëjnë problem.

Muçi ka nisur karrierën në vitin 2002 si prokuror në Tiranë ndërsa para se të kalonte në prokurorinë e krimeve të rënda ka punuar për një periudhë kohe në Policinë e Shtetit si drejtor i Krimit Financiar.

Komisioni udhëhequr nga Luan Hamiti si kryesues, Olsi Komici relator dhe Brunilda Bekteshi anëtare, pati zbuluar se prej Muçit nuk është deklaruar saktë posedimi prej Muçit i një ndërtese të vjetër në fshatin Çërravë (mes Pogradecit dhe Korçës) ndërsa ai kishte deklaruar sipërfaqet e tokës të marra në fillim të viteve ’90. Muçi shpjegoi se mungesa e deklarimit të ndërtesës 99 metra katrorë vinte nga fakti se ai ishte larguar prej kohësh nga fshati.

Muçi disponon gjithashtu një apartament me sipërfaqe 57 m2 në rrugën ‘Ali Visha’ në Tiranë me vlerë 1.9 milionë lekë, shtesë apartamenti pa leje me sipërfaqe 27 m2, tokë me sipërfaqe 300 m2 në Shkozë e blerë në vitin 2012 me vlerë 111,600 lekë, tokë me sipërfaqe 2000 m2 me vlerë 850 mijë lekë, apartament 78.4 m2 tek rr. Elbasanit me vlerë 75,000 euro – blerë në vitin 2016 me burim 25 mijë euro kursime, 15 mijë euro hua dhe një kredi 1.5 milionë nga BKT. Për shtëpinë tek rruga Elbasanit, subjekti i ka borxh kompanisë së ndërtimit ‘Arlis’ Sh.p.k një shumë prej 21 mijë euro. Gjithashtu prokurori Muçi ka një hua ndaj dy shtetasve me vlerë 15 mijë euro. Ai raporton edhe një kredi overdraft prej 116 mijë lekë nga banka BKT.

Në fjalën e tij përpara Komisionit, prokurori Muçi pranoi se deklarimi i tij i pasurisë kishte të meta dhe ra dakord me pasaktësisë e konstatuara nga KPK, por ai nënvizoi se këto ishin pasuri të vendosura përpara se ai të ishte prokuror dhe nga të cilat ai dhe bashkëshortja nuk kishin pasur përftime që nga vendosja e tyre në fillim të viteve  90. Ai shtoi se mosdeklarimi i ndërtesës mbi truallin në fshatin Çërrave ishte bërë nga neglizhenca, kurse shtëpia e shitur nga bashkëshortja në vitin 2018 i përkiste vjehrrit dhe vjehrrës – ku fëmijët figuronin si pronar të tokës. Ndërkohë për mospagesën e tatimit në burim për shtëpinë me qira, ai tha se kishte ardhur për shkak se kjo kishte qenë një periudhë me ngarkesë të madhe profesionale.

Prokurori Muçi dha sqarim edhe për çështjet procedurale të konstatuara në procedimet penale të rivlerësuara nga KPK, duke nënvijëzuar se këto procedime kanë qenë dosje komplekse dhe mangësitë procedurale nuk kanë prekur thelbin e zgjidhjes së çështjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *