Anëtarët e trupës së KPK që po kryejnë vetingun e prokurorit Binas Nina.
Artikull kryesor Lajme KPK Lajme Në Fokus

Prokurori Binas Nina kërkon konfirmim pavarësisht problemeve të gjetura me pasurinë

Në një seancë të zhvilluar të mërkurën në KPK, prokurori i Elbasanit dha sqarime për ato që vëzhguesi ndërkombëtar i cilësoi si “mënyra shumë fatlume” të sigurimit të parave ndërsa kritikoi metodologjinë e llogaritjes së kostos së udhëtimeve që përdoret nga Komisioni si të paarsyeshme.

Anëtarët e trupës së KPK që po kryejnë vetingun e prokurorit Binas Nina.

Prokurori Binas Nina i Elbasanit kërkoi konfirmimin në detyrë të mërkurën para Komisionit të Pavarur të Kualifikimeve pasi dha shpjegime për problemet e pasurisë dhe të pastërtisë së figurës. Nina, i cili ka shtetësi shqiptare dhe bullgare dhe dokumente si rezident joshtetas në Shtetet e Bashkuara, argumentoi se problemet e tij me pasurinë janë të shpjegueshme dhe se llogaritjet e KPK-së mbi kostot e udhëtimeve të shpeshta kryesisht për në Maqedoni janë mbështetur në supozime joreale dhe mbartin mbivlerësim të paarsyeshëm të kostove.

Nina hodhi gjithashtu poshtë gjetjet e disa veprimeve të cilat relatori Lulzim Hamitaj i cilësoi si “pa logjikë ekonomike” ndërsa vëzhguesi ndërkombëtar Steven Kessler i përshkroi si “mënyra shumë fatlume” për të fituar para.

Nina ka deklaruar se ka pasur 1 milionë lekë dëmshpërblim nga pronari i një objekti që po ndërtohej në afërsi të pallatit të tij, sipas tij, “në kompensim të rënies së vlerës së apartamentit” nga bllokimi i pamjes dhe e dritës nga njëra anë ndërsa ka fituar 3.1 milionë lekë dëmshpërblim nga një kompani sigurimesh pas një aksidenti në të cilin ka thyer krahun. Kessler ngriti pikëpyetje nëse shuma në fjalë është apo jo e ekzagjeruar për dëmin e pësuar ndërsa Nina tha se një dëmshpërblim i tillë përfshin dëmin fizik të tij dhe dëmin emocional të vuajtur nga familjarët.

Nina ka përfituar gjithashtu rreth 10 mijë dollarë rimbursim fiskal në Shtetet e Bashkuara, një çështje që e shtyu Kessler të pyesë nëse puna e prokurorit në Elbasan ishte apo jo punë me kohë të plotë.

Nina tha se nuk kishte dijeni nëse banorët e tjerë të pallatit të tij kishin përfituar apo jo nga kompania ndërtimore një dëmshpërblim të tillë ndërsa përfitimit të rimbursimeve fiskale në SHBA iu përgjigj se ishin para të dhëna për fëmijët.

Përfitimi i dëmshpërblimit nga ndërtuesi i pallatit ngjitur, i cili në fakt nuk u ndërtua, u pa me çudi nga komisioni ndërsa Nina deklaroi se ishte normale që ai të mbronte pronën e tij. Kessler pyeti se si shpjegohet që ndërtuesi i një pallati vendosi të japë dëmshpërblim për atë ndërkohë që edhe shumë banorëve të tjerë të pallatit u mbllokohej drita. Nina tha se ai nuk kishte shumë njohje me banorët e tjerë të pallatit për shkak se, sipas tij, edhe në Shqipëri po hyjnë vlerat perëndimore si prona private dhe individualizmi. Ashtu si edhe në SHBA, tha ai, ndodh shpesh që nuk njihesh me komshinjtë.

Nina rezultoi se kishte kryer edhe dy transaksione të tjera mungesë logjike ekonomike. Në një rast, ai kishte blerë një automjet Benz me moshë 13 vjeçarë për 300 mijë lekë dhe e kishte shitur dhjetë vjet më vonë në moshën 23 vjeçare po për 300 mijë lekë. Nina deklaroi se benzi është një makinë shumë e pëlqyer nga shqiptarët dhe shumë e vlerësuar dhe për këtë arsye ka ndodhur kjo gjë. Në një rast të dytë, komisioni gjeti se ai kishte blerë një benz tjetër me vlerë 600 mijë lekë, por dokumentet e makinës tregonin se shitësi kishte shpenzuar mbi 700 mijë lekë për ta blerë në Gjermani dhe për ta importuar në Shqipëri. Nina tha se nuk e dinte se pse shitësi kishte vendosur ta hiqte makinën me humbje por sugjeroi se ndoshta mund të kishte nevojë për para shpejt.

Ai u ndal gjerë e gjatë te udhëtimet e tij kryesisht në Maqedoni si dhe te kostot e vlerësuara nga metodologjia e KPK-së për këto udhëtime. Sipas tij, është e paarsyeshme që të llogaritet si kosto ditore qëndrimi në Strugë 50 euro, kur në fakt atje mund të gjesh dhomë me 20 euro ndërsa u ankua se për një udhëtim që kishte bërë te njerëzit e gruas në Greqi, i ishin llogaritur kostot sikur kishte vajtur për pushime.

Nina renditi një numër pagesash dhuratë nga persona të afërt, përfshirë të vëllain në SHBA dhe të afërm të tjerë. Ai u shpreh i bindur se nëse njihen këto dhurata dhe ulet vlerësimi për kostot e udhëtimeve të tjera, atëherë llogaritë e tij financiare janë në rregull. Në fund ai kërkoi rivlerësim financiar dhe konfirmim në detyrë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kryesohej nga Xhensila Pine, me relator Lulzim Hamitjan dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin. Shpallja e vendimit u caktua për datën 16 dhjetor, ora 9.30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *