Prokurori Enrik Haxhiraj duke dalë nga seanca në KPK | Foto : Edmond Hoxhaj/BIRN
Analiza KPK Vendi

Prokurori Enrik Haxhiraj rezultoi me mungesa të mëdha për krijimin e pasurive

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konkludon se prokurori i Apelit Vlorë, Enrik Haxhiraj ka kryer pasaktësi të përsëritura në deklarimin e burimeve të krijimit të pasurive, që kanë sjellë mospërfshirjen në analizën financiare të gjendjeve cash të pretenduara prej tij gjatë hetimit administrativ. Haxhiraj ka rezultuar në pamundësi financiare për një pjesë të investimeve të kryera në një vilë në “Ujin e Ftohtë” në Vlorë, blerjen e një njësie shërbimi po në këtë qytet dhe për një apartament në Tiranë. 

Prokurori Enrik Haxhiraj duke dalë nga seanca në KPK | Foto : Edmond Hoxhaj/BIRN

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 19 janar të shkarkojë nga detyra prokurorin e Apelit Vlorë, Enrik Haxhiraj pasi u konstatuan mungesa financiare në vlera të mëdha për të justifikuar plotësisht pasuritë dhe shpenzime ndër vite, si dhe për pasaktësi e deklarim të pamjaftueshëm për burimin e tyre.

Komisioni e përfundoi hetimin për prokurorin Haxhiraj vetëm në kriterin e pasurisë, nga ku rezultuan balanca negative gjatë disa viteve kur janë deklaruar një pjesë e shpenzimeve për ndërtimin e një vile në “Ujin e Ftohtë” në Vlorë, pagesa çmimit të një njësie shërbimi po në Vlorë dhe shlyerja e kësteve të një apartamenti në Tiranë, në vlerën totale 10 milionë e 939 mijë lekë.

Enrik Haxhiraj e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1989 si prokuror në Prokurorinë e Vlorës. Në vitin 1992 është emëruar si zv/drejtues po në atë prokurori dhe për periudhën 1995-1998 ka mbajtur pozicicionin e drejtuesit. Nga viti 1998, deri në shkarkimin nga detyra, ai ka punuar për më shumë se dy dekada si prokuror në Prokurorinë e Apelit të Vlorë.

Komisioni ka gjetur shkarkuese një pjesë të problemeve të evidentuara gjatë hetimit administrativ për pasurinë e prokurorit Haxhiraj.

Në vendimin e arsyetuar të KPK thuhet se Haxhiraj nuk ka pasqyruar në deklaratën veting burimin e krijimit të pasurisë së llojit truall me sipërfaqe 500.27 m² dhe objektit me sipërfaqe ndërtimore 184.34 m² në, në vendin e quajtur “Uji i Ftohtë”, Vlorë.

Ndërtesa është deklaruar me 4 kate, me sipërfaqe 60 m2 të katit nëntokësor, me katin përdhe me sipërfaqe 184 m2, kati i parë me sipërfaqe 176 m2 dhe kati i dytë 65 m2. Gjithashtu, subjekti ka deklaruar se kalimi në pronësi i parcelës ndërtimore është bërë në datën 9 shkurt 2011 dhe se për godinën është nxjerrë leja e legalizimit në datën 27 prill të po atij viti.

Si vlerë investimi për këtë pasuri, Haxhiraj ka deklaruar shumën 18 milionë e 66 mijë lekë, referuar vlerës së përcaktuar në formularin e pagesës së taksës së ndikimit në infrastrukturë, që është gjetur e drejtë edhe nga Komisioni, por pa përfshirë në këtë shumë pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë dhe ato për kalimin në pronësi të parcelës ndërtimore.

Si një prej burimeve të përdorura për kryerjen e investimeve në fazën e parë, është deklaruar se kanë shërbyer shumat e tërhequra nga depozita e kursimit dyemërore pranë Bankës së Kursimeve, që në shtator të vitit 2002 ka qenë me gjendje llogarie në shumën 10 milionë e 252 mijë lekë të kijuar nga të ardhurat e bashkëshortes nga puna si notere prej vitit 1994 dhe paga e prokurorit Haxhiraj.

Komisioni vëren se, në mungesë të informacionit të saktë për kohën e likuidimit të shumës për fazën e parë të punimeve, në lidhje me investimin e kryer për këtë periudhë deri në dhjetor 2002-it, rezulton se nga depozita e deklaruar në Bankën e Kursimeve mund të jetë përdorur vetëm shuma 1 milon e 633 mijë lekë.

Tjetër burim i deklaruar është shuma 3 milionë e 931 mijë lekë që përfaqëson shumat 20 mijë euro dhe 10 mijë dollarë, marrë hua për ndërtimin e kësaj shtëpie nga shoqëria “L.T–E” sh.p.k., me përfaqësues ligjor V.M dhe shtetasin italian C.C, në bazë të kontratës së huas të datës 29 prill 2002.

Nga hetimi ka rezultuar se personi tjetër i lidhur, shtetasi V.M, nuk ka pasur burime financiare të ligjshme për të mundësuar dhënien e huas në datën 29 prill 2002. Si rrjedhim, trupi gjykues çmon se subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për burimin e krijimit të kësaj pasurie.

Si burim, Haxhiraj ka deklaruar edhe shumën 697 mijë lekë, e siguruar nga të ardhurat e aktivitetit të noterisë të bashkëshortes dhe paga e tij për këtë periudhe kohore.

Komisioni vëren se deri më datë 31 dhjetor 2002, krahas investimeve të kryera në vilën 4 kate, Haxhiraj ka krijuar edhe pasuri të tjera të luajtshme dhe të paluajtshme. Në vitin 2000 ai ka blerë një apartament banimi me vlerë 1 milion lekë dhe një automjet të markës “Mitsubishi” në shumën 900 mijë lekë.

Gjithashtu, Komisioni ka gjetur se vlera e depozitës bankare në ish-Bankën e Kursimeve është rritur pasi, nga 6,3 milionë lekë që ka qenë në dhjetor të vitit 2000, në fund të 2002-it ka qenë 8.1 milionë lekë.

Komisioni vlerëson se subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur kanë pasur burime financiare të ligjshme të mjaftueshme për të justifikuar krijimin e këtyre pasurive dhe për investimin e kryer gjatë fazës së parë të ndërtimit të vilës në Ujin e Ftohtë gjatë fazës së parë.

Po ashtu, ka rezultuar se subjekti ka patur burime financiare të ligjshme edhe për punimet e kryera gjatë fazës së dytë, nga data 3 janar 2003 – 31 dhjetor 2003 në shumën 5 milionë lekë dhe po aq gjatë fazës së tretë janar-tetor 2004.

Gjatë procesit të rivlerësimit, subjekti ka deklauar se për periudhën 2005-2008 ka kryer investime të tjera në shtëpinë e banimit në Vlorë, përkatësisht në shumat 488 mijë lekë; 443 mijë lekë; 502 mijë lekë dhe 516 mijë lekë. Si burim për këto investime janë deklaruar të ardhurat e bashkëshortes nga aktiviteti i noterisë.

Komisioni konstaton se këto shpenzime nuk janë deklaruar në deklafrimet vjetore të dorëzuara nga subjekti në ILDKPKI dhe ka çmuar që të gjitha këto vlera investimesh t’i pasqyrojë në periudhat përkatëse, në analizën financiare përmbledhëse.

Pasi subjekti nuk ka deklaruar gjendje cash në deklaratat periodike vjetore para vitit 2006, KPK nuk i ka konsideruar pretendimet e tij për mundësi të krijimit të likujditeteve në fund të vitit 2005, duke Ii vlerësuar shpjegimet krejtësisht deklarative e të pambështetura në prova.

Nga analiza financiare kanë rezultuar balanca negative gjatë viteve 2006, 2007 dhe 2008 përkatësisht në vlerat 345 mijë lekë, 69 mijë lekë dhe 1 milion e 572 mijë lekë.

Balancë negative në shumën 3 milionë e 935 mijë lekë ka rezultuar edhe në vitin 2010, kur subjekti ka kryer pagesat në favor të Drejtorisë së ALUIZNI-t Vlorë, për kalimin e parcelës ndërtimore. Për shlyerjen e këytij detyrimi, Haxhiraj ka paguar shumën 1 milion e 780 mijë lekë me bono privatizimi dhe pagesën prej 1 milion e 620 mijë lekësh.

Pasi Haxhiraj dhe bashkëshortja e tij nuk kanë deklaruar shtesa të likuiditeteve cash për periudhën e deklarimit 2003 – 2008, Komisioni vlerëson se ata kanë kryer deklarim të pamjaftueshëm për burimin e krijimit të pagesave të kryera në favor të ALUIZNI-t Vlorë, e për pasojë kanë rezultuar në pamundësi financiare.

Nga analiza financiare e kryer për gjatëmojurin e parë të vitit 2010, kur sipas Komisionit duhej të ishin krijuar burimet për pagesat e kryera pranë AULIZNI-t, ka rezultuar balancë negative në shumën -1 milion e 759 mijë lekë.

KPK arrin në konkluzion se prokurori Haxhiraj nuk ka patur mundësi financiare për kryerjen e të gjitha investimeve në vilën në “Ujin e Ftohtë” Vlorë dhe se ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për këtë pasuri dhe burimet e krijimit të saj.

Ndërkohë, Komisioni e ka rrëzuar konstatimin e ILDKPKI-së se ndërtimi i paligjshëm, i bërë nga subjekti i rivlerësimit, bie ndesh me nenin 199/a të Kodit Penal. KPK sjell në vëmendje se kjo vepër është parashikuar për herë të parë në Kodin Penal në vitin 2008, ndërkohë që objekti ka nisur të ndërtohet në vitin 2002 dhe aplikimi për legalizim është bërë në 2005-ën.

Trupi gjykues ka analizuar edhe situaën e zënies së truallit nga prokurori Haxhiraj. Fllimisht Komisioni ka vlerësuar se zënia e truallit në atë periudhë përbënte kundërvajtje penale dhe binte ndesh me nenin 200 të Kodit Penal “Pushtimi i tokës”.

Haxhiraj ka deklaruar se nuk ka zaptuar tokë në mënyrë të kundërligjshme në vitin 2002. Ai ka pretenduar se sipërfaqja e tokës rreth 500 m2 ndodhet brenda parcelës së tokës bujqësore të dhënë prej vitit 1994 në përdorim dhe më pas në pronësi fqinjit të tij Dh.S. në bazë të ligjit “Për tokën”,  në cilësinë e punëtorit të ndërmarrjes bujqësore “ullishte” të asaj kohe.

Subjekti ka sqaruar se ka rënë dakord me fqinjin Dh.S. që të blinte sipërfaqen 500 m2 dhe se kur të përfundonte menaxhimi i tokës ata do të kryenin procedurat e nevojshme ligjore të shitblerjes së kësaj pasurie.

Komisioni evidenton se zënia e truallit dhe ndërtimi i paligjshëm i kryer nuk përputhen me etikën e prokurorit dhe duket sikur e cënon atë. Por, nga ana tjetër, duke vlerësuar se në kushtet kur në atë kohë nuk ishte kryer ndarja e saktë e titujve të pronësisë, konsideron se kjo shkelje nuk mund të përbëjë shkak për shkarkimin e subjektit.

Në arritjen e këtij konkluzioni, Komisioni çmon si të rëndësishëm faktin se poseduesi i kësaj toke nuk ka kërkuar që t’i kthehet kjo pasuri.

Trupi gjykues konkludon se Haxhiraj dhe bashkëshortja e tij nuk kanë pasur mundësi financiare edhe për blerjen e një njësie shërbimi me sipërfaqe 23.8 m2 në tetor të vitit 2013 në Vlorë, në emër të bashkëshores së tij, kundrejt vlerës 9 milionë lekë. Në kontratën e shitblerjes është përcaktuar se likujdimi i vlerës së çmimit është kryer në vitin 203.

Sipas KPK, nga verifikimi i dokumentacionit bankar ka rezultuar se llogaritë bankare dhe marrëdhëniet e biznesit të bashkëshortes së subjektit si notere, janë ndërthurur me llogaritë bankare dhe marrëdhëniet kontraktuale personale, duke sjellë mosverifikimin dhe llogaritjen e saktë të periudhës dhe shumave të likuiduara, si edhe llogaritjen e burimit të të ardhurave të deklaruara për krijimin e pasurive dhe kryerjen e shpenzimeve.

Pretendimet e subjektit se nuk është likuiduar çmimi i plotë për blerjen e kësaj pasurie gjatë vitit 2013, janë vlerësuar si deklarative dhe të pabazuara nga Komisioni.

“Vlen të theksohet fakti se në DPV-në e vitit 2013 nuk janë deklaruar detyrime të mbetura në funksion të kontratës së shitblerjes së kësaj pasurie dhe se, as në DPV-të vjetore të viteve 2014, 2015 dhe 2016 subjekti nuk ka deklaruar pagesa të kryera apo detyrime të mbetura lidhur me këtë marrëdhënie kontraktuale, deklarime të cilat do të mund të vlerësoheshin si provë nga Komisioni”, thekson trupi gjykues.

Komisioni konstaton pamundësi financiare për shlyerjen e kësteve për një apartament me sipërfaqe 100 m2 në Tiranë, të porositur në korrik të vitit 2009.

Nga analiza financiare ka rezultuar se vitet 2009, 2010, 2011, 2013 dhe 2014, kur janë deklaruar pagesat për likuidimin e çmimit të shitjes të kësaj pasurie, Haxhiraj ka rezultuar me balancë negative fondesh.

Nga analiza financiare përfundimtare për periudhën 2003 – 2016, kanë rezultuar me balancë negative vitet 2006, 2007, 2008, 2009, 2010, 2011, 2013 dhe 2014 me vlerë totale 10 milionë e 939 mijë lekë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *