Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Prokurori Ferdinand Elezi përballet me vetingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka evidentuar pasaktësi në deklarimet e pasurisë së prokurorit, Ferdinand Elezi, ndërkohë ai është vlerësuar pozitivisht për figurën dhe profesionalizimin.

Prokurori Ferdiand Elezi, përballë KPK | Foto : BIRN

Drejtuesi i Prokurorisë së Apelit Durrës, Ferdinand Elezi, u përball të premten me procesin e vetingut në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku u evidentuan probleme vetëm në deklarimin e pasurisë, ndërsa u vlerësua me nota pozitive për sa i përket figurës dhe profesionalizmit. Trupa gjykuese e KPK-së përbëhej nga Firdes Shuli kryesuese, Lulzim Hamitaj relator dhe Olsi Komici anëtar,  ndërsa në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte Marie Tuma. Në çelje të seancës dëgjimore, relatori i çështjes, Lulzim Hamitaj deklaroi se komisioni kishte vendosur të kryente rivlerësim në të tre kriteret për prokurorin Elezi, atë të deklarimit të pasurisë, të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit. Hamitaj u shpreh se Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), kishte raportuar se prokurori Ferdinand Elezi kishte kryer deklarim të saktë dhe në përputhje me ligjin, nuk kishte fshehur pasurinë, nuk kishte kryer deklarim të rremë dhe se nuk gjendej në kushtet e konfliktit të interesit. Ndërkohë, Hamitaj sqaroi se komisioni kreu një hetim të thelluar dhe të pavarur për pasuritë e administruara nga prokurori dhe personat e lidhur me të. Për apartamentin me sipërfaqe 124 m2 të  blerë në rrugën “Komuna e Parisit” në Tiranë në vitin 2000 në vlerën e 40 mijë dollarëve, Elezi kishte pasqyruar në deklaratën vetting si burim 4 milionë lekë paguar nga buxheti i shtetit  bazuar në një kredi të butë që kishte përfituar. Ndërsa për burimin e diferencës porkurori ka deklaruar kursimet familjare ndër vite. Relatori Hamitaj shpjegoi se në deklaratën e pasurisë për vitin 2003, prokurori Ferdinand Elezi kishte deklaruar si vlerë të këtij apartamenti shumën e 5 milionë lekëve dhe si burim të vetëm kredinë. Komisioni e ka vlerësuar të pasaktë deklarimin e prokurorit Elezi për këtë pasuri. Lidhur me zyrën që zotëron bashkëshortja në qytetin e Durrësit me sipërfaqe 45 m2 të blerë në shumën e 60 mijë eurove, komisioni konstatoi pasaktësi të datave në kontratën e shitjes me ato të regjistrimit në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Relatori Hamitaj u shpreh se vlera 50 mijë euro figuron të jetë likuiduar para lidhjes së kontratës. Ndërkohë, që palës shitëse i është kaluar kjo shumë më 19 prill 2005, 18 ditë pas lidhjes së kontratës dhe 12 ditë pas regjistrimit në hipotekë. Në lidhje me apartamentin me sipërfaqe 185 m2 të blerë në vitit 2005 në qytetin e Durrësit në shumën e 30 mijë eurove, prokurori Elezi ka deklaruar se kjo pasuri është blerë si karabina, e pa përfunduar. Por, komisioni konstatoi se kjo pasuri ka qenë e regjistruar kur është blerë. Relatori Hamitaj theksoi se shuma me të cilën është blerë kjo pasuri nuk përkon me çmimin e tregut të lirë ose të referencës. Ai shtoi se edhe pse subjekti ka deklaruar të ketë shpenzuar para të tjera për rregullimin e këtij apartamenti, sërish ato nuk përputhen me çmimin e referencës. Hamitaj argumentoi se nga hetimi ka rezultuar se shoqëria tek e cila prokurori ka blerë këtë pasuri, ka shitur një tjetër apartament me sipërfaqe 370 m2 dhe garazh 75 m2 me shumën e 200 mijë eurove. Ndërsa shtoi se subjekti dhe shoqëria kanë paraqitur para komisionit kontrata të shitjes së apartamenteve si karabina në çmime të përafërta me atë të apartamentit me sipërfaqe 185m2. Të njëjtën situatë ka konstatuar komisioni edhe për blerjen e një apartamenti tjetër me sipërfaqe 85 m2 në qytetin e Durrësit në vitin 2007 kundrejt 4 milionë lekëve. Hamitaj tha se, subjekti ka deklaruar se këtë pasuri e ka blerë nga motra e tij dhe se kjo e fundit e kishte blerë po në gjendjen e karabinasë dhe se një gjë e tillë ishte e pasqyruar edhe në kontratën e saj. Sipas relatorit të çështjes, edhe pse subjekti ka deklaruar se ka kryer shpenzime të tjera, vlera totale e parave të harxhuara për këtë apartament nuk përkon me çmimin e tregut dhe atë të referencës për vitin 2007. Edhe për këë rast, prokurori Elezi ka depozituar para komisionit kontrata të shitjes së apartamenteve të tjera në të njëjtin pallat me çmime të përafërta, pohoi relatori Hamitaj, i cili sërish i qëndroi konstatimit se kishte mospërputhje të vlerës me të cilën është blerë kjo pasuri me çmimin e tregut. Një tjetër problematikë që konstatoi relatori Hamitaj ishte edhe mosdeklarimi i pjesës takuese1/4 nga ana e bashkëshortes së prokuorit Elezi, për një apartament 77.9 m2 në qytetin e Durrësit, të privatizuar nga prindërit e saj në vitin 1993. Gjithashtu, nuk është deklaruar edhe përfitimi i 1 milionë lekëve nga shitja e këtij apartamenti në vitin 2012. Sipas relatorit Lulzim Hamitaj, subjekti ka deklaruar se apartamenti ka qenë në pronësi të babait të saj dhe se ajo nuk kishte pasur pretendime për pjesën takuese. Sipas komisionit, subjekti nuk ka deklaruar në vitin 2004 se bashkëshortja e tij kishte pronësi me pjesë takuese 1/5 e këtij apartamenti dhe as në vitin 2012 kur kjo pasuri është shitur dhe ajo zotëronte pjesë takuese ¼, pasi i ati kishte ndërruar jetë. Tjetër gjetje e Komisionit ishte deklarimi se në vitet 2015-2017 kishte shpenzuar rreth 1.6 milionë lekë për arredim, por nuk kishte deklaruar 300 mijë lekë të shpenzime të tjera. Ai shtoi se për këto pasaktësi subjekti kishte paraqitur sygjerime. Në analizën financiare të gjithë të ardhurave dhe shpenzimeve për vitet e verifikuara, komisioni ka konstatuar një bilanc negativ në shumën e 7 milionë lekëve. Më pas, relatori Hamitaj u ndal në gjetjet për dy kriteret e tjera. Lidhur me pastërtinë e figurës, DSIK i ka paraqitur komisionit një raport me anë të të cilit ka konstatuar përshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës, pasi nuk janë evidentuar kontakte të prokurorit Elezi me persona me lidhje me krimin e organizuar. Edhe për profesionalizimin, prokurori Ferdinand Elezi është vlerësuar pozitivisht. Prokuroria e Përgjithshme e ka vlerësuar shumë mirë Elezin për vitet 2014, 2015 dhe 2016 duke evidentuar se ai zotëron aftësi të mira profesionale dhe organizative. Nga verifikimet e kryera prej komisionit, ka rezultuar se më datë 28 mars 2012 Prokurori i Përgjithshëm ka urdhëruar një masë disiplinore ndaj prokurorit Elezi dhe uljen e tij në detyrë për një periudhë gjashtë-mujore. Komisioni ka evidentuar se prokurori Elezi e ka ankimuar këtë urdhër në gjykatë e cila ka vendosur shfuqizimin dhe fshirjen e tij nga dosja personale. Ndërkohë, Gjykata e Lartë nuk e ka pranuar rekursin e bërë ndaj këtij vendimi nga Prokuroria e Përgjithshme. Në dy denoncimet e kryera pranë KPK-së ndaj prokurorit Elezi për shpërdorim detyre dhe qëndrim tendencioz, komisioni nuk ka gjetur probleme. Vetë prokurori Ferdinand Elezi u shpreh se ishte dakord me konkluzionet e KPK-së lidhur me pastërtinë e figurës dhe profesionalizmit. Ndërsa paraqiti qëndrime të ndryshme për një pjesë të problematikave të konstatuara nga komisioni lidhur me deklarimin e pasurive. Ai pranoi se ka pasur pasaktësi në deklarimin e tij për vitin 2003 lidhur me vlerën 40 mijë dollarë të blerjes së apartamentit 185 m2 në qytetin e Durrësit në vitin 2000, por sipas tij kursi i dollarit në vitin e deklarimit nuk ka qenë i njëjtë me atë të vitit të blerjes. “Edhe nëse kjo konsiderohet pasaktësi, nuk ka pasur qëllim fshehje pasi kam pasur burime të bollshme e të ligjshme për të dy shumat”, u shpreh prokurori Elezi lidhur me vlerën e blerjes së apartamentit dhe shpenzimeve për rregullimin. Ai shtoi se objekti i procesit të vetingut është deklarata veting dhe për pasaktësitë e deklarimeve të mëparshme pohoi se mund të vlerësoheshin vetëm si dyshime. Lidhur me mospërputhjet e datave të pagesave për blerjen e zyrës noteriale, Elezi sqaroi para komisionit se kjo gjë kishte ndodhur në kushtet e garancisë bankare për të cilët tha se e kishte dorëzuar si provë. Ashtu si për apartamentin e blerë në vitin 2000 ashtu edhe për atë të blerë në vitin 2005 në Durrës, prokurori Elezi pretendoi se ishte teorik konstatimi për mos rakordim të vlerës së shitjes së tyre nga shoqëria zotëruese me çmimin e tregut. Ai tha se me të njëjtin çmim, ose edhe me çmim më të ulët janë kryer blerje të apartamenteve në të njëjtin pallat edhe nga subjekte të tjera. Ndërsa shtoi se për gjendjen faktik karabina të apartamenteve, një gjë e tillë rezultonte edhe nga akt-marrëveshjet. Lidhur me vlerën e shitjes së apartamentit të marrë për krahasim nga komisioni, Elezi pohoi se nuk mund të kishte element krahasues. Sipas tij, shitja e apartamentit në fjalë ishte kryer në vitin 2010 dhe se kishte një sipërfaqe prej 370 m2+garazh 75 m2. Për apartamentin e blerë në vitin 2005, Elezi shtoi se në vitin 2006 kishte marrë kredi në shumën 16 mijë euro që sipas tij është deklaruar se ka pasur si qëllim përfundimin e kësaj banese. Ndërkohë, prokurori shtoi se shitësja e këtij apartamenti, motra e tij, kishte pasur përfitim nga vlera me të cilën e kishte blerë. Sipas prokurorit Elezi, është e pasaktë gjetja e komisionit për mos rakordim të vlerës së blerjes së apartamentit në vitin 2005 me çmimin e tregut. Për pjesën takuese të bashkëshortes në apartamentin 77.9 m2, ai pohoi se nuk është deklaruar për shkak të vlerësimit të gabuar nga ana e tij, duke sqaruar se kjo banesë nuk disponohej dhe nuk përdorej prej tyre. Elezi theksoi se kjo pasuri është përfituar nga burime të ligjshme dhe se nuk kishte pasur asnjë qëllim për t’a fshehur apartamentin dhe as shumën e 1 milionë lekëve të siguruara nga shitja. “Konstatimi i komisionit për burim jo të ligjshëm të rivlerësohet edhe bazuar në raste të ngjashme kur subjektet janë konfirmuar në detyrë”, kërkoi prokurori Elezi. Ai evidentoi se ka një lapsus nga ana e komisionit për zërin arredim apartamenti, duke shpjeguar se shpenzimet janë kryer për ndërtim dhe rregullim të banesës. Elezi shtoi se konstatimi i komisionit për shumën e evidentuar si shpenzim në vitet 2015-2017 është i pasaktë. Më tej ai tha se edhe këto zëra të përfshirë në analizën financiare si arredim e mobilim janë të pasakta dhe se kanë qenë për ndërtim. Elezi shtoi se gabimet në deklarimet e gjendjeve cash kanë të bëjnë me mungesën e kulturës së deklarimeve financiare dhe për shkak të kujdesit të munguar. Prokurori Elezi tha se në analizën e KPK-së nuk janë përllogaritur të gjitha të ardhurat duke ndikuar në bilancin negative të analizës financiare. Sipas tij, nuk ishte përllogaritur si e ardhur paga e bashkëshortes për një periudhë tre vjeçare në shumën e 450 mijë lekëve, por ishte llogaritur si shpenzim. Elezi u ndal edhe në përllogaritje e shpenzimeve për blerjen e tre mjeteve, që sipas tij nuk ishte evidentuar TVSH-ja në 19% të vlerës që i rikthehej blerësit. Në përfundim të fjalës së Prokurorit Elezaj, relatori i çështjes Lulzim Hamitaj e pyeti se përse i referohej garancisë bankare lidhur me procedurën e blerjes së zyrës në Durrës. Prokurori Elezi shpjegoi se kishin qenë punonjësit e bankës ata të cilët i kishin sugjeruar që të dakortësoheshin me shitësit për të vendosur si garanci objektin në fjalë. Ai tha se ka qenë banka që i detyroi shitësit të hapnin llogari bankare aty dhe se shuma nuk kalonte pa u vendosur hipoteka e pronës. Kjo, sipas tij ka bërë që kredia dhe regjistrimi i i pronës janë kryer në të njëjtën datë. Më pas, prokurori Elezi u pyet nga anëtari i trupës gjykuese, Olsi Komici lidhur me pagesën me vonesë të tatimit të fitimit të përfituara nga të ardhurat e siguruara nga aktivitetet dhe pronat familjare. Elezi shpjegoi se fillimisht bashkëshotja asistohej për kryerjen e përllogaritjeve financiare nga një person jo i specializuar dhe se në vitin 2013 ishin njoftuar nga drejtoria e tatimeve se kishin probleme. Ai fajësoi mos interesimin e institucioneve përkatëse që prej vitit 2008 e në vazhdim dhe shtoi se edhe pas kërkesës së tyre nuk kishte patur ndonjë reagim. Më tej, Elezi shpjegoi se në vitin 2017 tatimet kishin ngritur një grup pune për të verifikuar të ardhurat dhe detyrimet. “Tatimet thoshin se po kaluan pesë muaj detyrimi parashkruhet”, u shpreh ndër të tjera prokurori i Apelit Durrës. Edhe vëzhguesja ndërkombëtare, Maria Tuma u ndal në mospagesën e tatimeve në kohën e duhur për të ardhurat e siguruara nga qiraja e një apartamenti në Tiranë. Ajo e pyeti fillimisht duke i kërkuar përgjigje pohuese ose mohuese lidhur me pronësinë e apartamentit me sipërfaqe 124 m2 në rrugën “Komuna e Parisit në Tiranë”. Elezi pohoi të ishte pronar, por vëzhguesja Tuma e pyeti se përse nuk i kishte deklaruar të ardhurat e përfituara nga qiramarrja. Elezi shpjegoi se ishte një rrethanë e paqëllimshme pasi mendonte se tatimet mund të ishin paguar prej qiramarrësit. Ai e quajti të drejtë konstatimin e vëzhgueses ndërkombëtare dhe shtoi se lënia me qira e apartamentit ishte pasqyruar në kontratat e qirasë dhe se për këtë gjë kishte pasur lidhje vetëm me shoqërinë ndërmjetësuese. Ai shpjegoi se aty nuk përfshihej shuma 10% që duhej paguar për taksat. Ndërsa pyetjes së përse këtë gjë e kreu në vitin 2017 gjatë kryerjes së procesit të deklaratës vetting, Elezi ju përgjigj se në këtë kohë ishte shqetësuar për ndonjë parregullsi të mundshme dhe kishte nisur të interesohej. Në fund të seancës ai kërkoi që burimet me të cilat janë krijuar pasuritë të konsiderohen të ligjshme si edhe kërkoi konfirmimin në detyrë. Komisioni vendosi të shpallë vendimin me datë 9 prill, ora 12:00

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *