Seanca e KPK-së për prokurorin e Gjirokastrës, Spartak Çoçoli. Foto: Edmond Hoxhaj
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Prokurori Granit Shahu dha dorëheqjen 6 muaj pas nisjes së vetingut

Sipas vendimit të KPK-së, prokurori i Tiranës, Granit Shahu humbet të drejtën për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare.

Nga një seancë e KPK. Foto arkivë nga Edmond Hoxhaj

Prokurori i Tiranës, Granit Shahu u largua me dorëheqje nga sistemi i drejtësisë rreth gjashtë muaj pas nisjes së procesit të tij të vetingut.

Sipas vendimit të arsyetuar, KPK vendosi më 2 gusht që ta ndërpriste procesin e rivlerësimit për prokurorin Shahu si dhe t’i ndalonte atij rikthimin në sistem për një periudhë 15-vjeçare.

Granit Shahu përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003 dhe e ka ushtruar funksionin si prokuror kryesisht në Tiranë, por edhe në Shkodër në rolin e drejtuesit. Në vitin 2017, Shahu kandidoi për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, i cili u fitua në atë kohë nga Arta Marku.

Procesi i vetingut për Shahun nisi nga trupi gjykues i përbërë nga Alma Faskaj, Lulzim Hamitaj dhe Genta Tafa Bungo në dhjetor 2020. Por më 22 qershor 2021, trupa u njoh me faktin se Shahu kishte dhënë dorëheqjen në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe se nuk kishte ushtruar ankim.

Në mesin e korrikut, trupa e KPK-së e ftoi Shahun në seancë, por subjekti njoftoi se nuk dëshironte të merrte pjesë në seancë dëgjimore.

“Në këto kushte, trupi gjykues çmon se subjekti i rivlerësimit ka shfrytëzuar të drejtën që i njeh Kushtetuta dhe ligji, për dorëheqje nga statusi i magjistratit,” thuhet në vendimin e KPK-së.

Si rrjedhojë, vendimi përcakton se ai humbet të drejtën për t’u emëruar gjyqtar apo prokuror i çdo niveli për një periudhë 15-vjeçare, sipas parashikimeve të pikës 2 të nenit G të Aneksit të Kushtetutës.

Që prej fillimit të vetingut, dhjetëra gjyqtarë dhe prokurorë janë larguar nga sistemi me dorëheqje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *