Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Prokurori i Krimeve të Rënda, Dritan Prençi del pa probleme nga vetingu

Me pasuri të vetme një apartament në Kashar dhe një sipërfaqe toke të përfituar nga familja me ligjin 7501, prokurori i Krimeve të Rënda, Dritan Prençi pret konfirmimin në detyrë më 7 qershor.

Seanca dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për prokurorin e Krimeve të Renda, Dritan Prençi. Foto:Besar Likmeta.

Prokurori i Krimeve të Rënda, Dritan Prençi kërkoi të martën rikonfirmimin në detyrë, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arriti në përfundimin se subjekti i rivlerësimit ka burime të ligjshme për pasurinë e tij dhe përshtatshmëri të figurës.

Prokurori Prençi, i cili kandidon për një post në Këshillin e Lartë të Prokurorisë u përball në seancë dëgjimore me trupën gjykuese të udhëhequr nga Genta Tafa Bungo dhe me anëtare Pamela Qirko dhe Suela Zhegu.

Hetimi administrativ i kryer nga KPK arriti në përfundimin se prokurori Dritan Prençi zotëron si pasuri një apartament në Kashar si dhe një sipërfaqe toke të përfituar nëpërmjet ligjit 7501 nga familja e tij.

Gjithashtu, Komisioni ka marrë në administrim raportin e DSIK, i cili konfirmonte përshtatshmërinë e prokurorit me detyrën si dhe dy kallëzime në emër të tij, të cilat nuk rezultuan me probleme pas verifikimit.

Prokurori Dritan Prençi u shpreh i kënaqur me rezultatin e rivlerësimit.

“Jam njohur me të gjitha aktet e hetimit dhe jam dakord me rezultatet. Ishte një proces i rregullt hetimor,” tha prokurori Prençi, para se të kërkonte konfirmimin në detyrë.

Dritan Prençi e ka filluar karrierën e tij në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore në rrethin e Tropojës. Ai ka shërbyer për disa vite si prokuror dhe drejtues prokurorie në Tropojë, Kukës dhe Kurbin përpara se të emërohej në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë. Prençi është gjithashtu kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Pas seancës dëgjimore, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të japë vendimin për të më 7 qershor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *