Prokurori i Lezhës, Simon Pashuku shkarkohet për “deklarime të rreme”

Lajme
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin nga detyra të prokurorit Simon Pashuku, pas probleme të evidentuara në kriterin e pasurisë.

Prokurori i Lezhës, Simon Pashuku pas vendimit të shkarkimit. Foto: Malton Dibra/LSA

Prokurori Simon Pashuku i Prokurorisë së Lezhës u shkarkua nga detyra të premten për “deklarim të rremë” dhe “fshehje pasurie”. Vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u shpall nga trupa gjyqësore e drejtuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Suela Zhegu.

Gjatë procesit të rivlerësimit, Pashuku kërkoi përjashtimin e trupës gjyqësore, por kërkesa iu rrëzua nga një trupë e dytë e KPK-së. Relatimi i rezultateve të hetimit evidentoi si probleme kryesore 40 mijë euro të pretenduara si dhuratë nga të afërmit, mungesës së dokumentacionit për të provuar të ardhurat nga qiraja dhe deklarimi i pasaktë i pronës së lëshuar me qira.

Po ashtu atij iu vunë në dukje të dhënat kontradiktore në lidhje me biznesin e bashkëshortes dhe shpenzimet e këtij të fundit.

Relatorja vuri në dukje se një apartament i blerë për 60 mijë euro në vitin 2006 ishte fillimi i problemeve të pasurisë së prokurorit Pashuku. Pine tha se ishte deklaruar në fillim se apartamenti ishte blerë me një kredi dhe dhurim nga të afërmit në shumën 40 mijë euro.

Hetimi kishte rezultuar se kredia ishte disbursuar 2 vjet pas nënshkrimit të kontratës për blerjen e apartamentit, ndërsa nuk kishte asnjë dokumentacion për të provuar marrjen e dhuratave nga të afërmit.

Pashuku në fjalën e tij kundërshtoi gjetjet e KPK-së. Ai tha se “dhurimi nga të afërmit nuk ishte kriminal” dhe pretendoi se disa transaksione në bankë shpjegonin pasurinë e tij. Ai pranoi disa nga pasaktësitë në deklarime, por tha se ato nuk mund të quheshin fshehje pasurie.

Pashuku është dekretuar prokuror në vitin 2012, ndërsa më parë ai kishte punuar si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai u hetua nga KPK vetëm në kriterin e pasurisë.