Prokurori i Shkodrës, Vatë Staka konfirmohet në detyrë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i dha dritën jeshile vazhdimit të detyrës nga prokurori Vatë Staka, pasi hetimi administrativ arriti në përfundimin se nuk ka probleme me pasurinë.   

Prokurori Vatë Staka përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Prokurori i Shkodrës, Vatë Staka priti së bashku me familjen të martën vendimin pozitiv të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për rikonfirmimin e tij në detyrë. Në një seancë të shkurtër, trupi gjykues i përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Etleda Çiftja dhe Xhensila Pine vendosi që prokurori Staka, i cili kandidon edhe për një post në Këshillin e Lartë të Prokurorisë të vazhdojë punën.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar më 25 qershor, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit deklaroi se kishte marrë dy raporte të kundërta nga ILDKPKI për pasurinë e Stakës, por hetimi i thelluar administrativ arriti në përfundimin se deklarimet e subjektit janë në përputhje me ligjin.

Rivlerësimi i prokurorit Staka përfshiu një banesë private në Shkodër, e ndërtuar në vitet 1993-1995, parcela ndërtimore prej 300 m2 ku ngrihej kjo banesë, një depozitë bankare si dhe llogaritë bankare të pagës së subjektit dhe bashkëshortes së tij.

Përveç pasurisë, Staka iu nënshtrua rivlerësimit edhe për kriteret e pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale. Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar vlerësoi “përshtatshmërinë” e subjektit me detyrën, ndërkohë që grupi i punës në Prokurorinë e Përgjithshme konfirmoi aftësitë e mjaftueshme profesionale dhe mungesën e masave disiplinore për prokurorin Staka.

Paralelisht me kriteret e mësipërme, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shqyrtoi edhe katër denoncime nga publiku në adresë të subjektit.

Në seancën dëgjimore, prokurori Staka nuk shprehu asnjë rezervë për konkluzionet e KPK-së mbi pasurinë, integritetin dhe aftësitë e tij profesionale. Ai u ndal megjithatë te denoncimet e publikut, për të cilat tha se “çështjet kishin marrë zgjidhjen e duhur ligjore”.