Prokurori Klodian Braho konfirmohet me shumicë votash
Lajme

Prokurori Klodian Braho konfirmohet me shumicë votash

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është ndarë 2 me 1 në konfirmimin e kandidatit për në SPAK, Klodian Braho –të cilit iu konstatua në seancë dëgjimore problemi me një hua të padokumentuar prej 5 mijë eurosh nga babai fermer.

Prokurori Klodian Braho pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Prokurori i Krimeve të Rënda, Klodian Braho, njëherazi kandidat për në SPAK u konfirmua të premten me shumicë votash nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Vendimi u shpall nga kryesuesja e trupit gjykues, Xhensila Pine, ndërkohë që relator i çështjes ishte Roland Ilia dhe anëtare Valbona Sanxhaktari.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar të enjten, prokurorit Braho iu ngrit si problem një hua prej 5 mijë eurosh e marrë nga babai fermer në vitin 2010, shumë e cila shërbeu për pagesën e një kësti të apartamentit në zonën e Yzberishtit.

Sipas relatorit të çështjes, Braho nuk kishte arritur të dokumentonte të ardhurat e të atit, ndërkohë që subjekti u mbrojt me argumentin se i ati ishte i vetëpunësuar në bujqësi dhe se i kishte pasur mundësitë financiare për shumën e mësipërme.

Komisioni nuk konstatoi probleme të tjera lidhur me pasurinë e përbërë nga apartamenti në Yzberisht, një automjet me vlerë 400 mijë lekë dhe likujditetet bankare apo kursimet në cash.

Klodian Braho ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitet 2005-2008 dhe më pas është emëruar prokuror në Berat. Në vitin 2012, Braho u transferua në Prokurorinë e Vlorës ku mbajti edhe postin e zv.drejtuesit, ndërsa në vitin 2015 u dekretua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ai u kualifikua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë mes kandidatëve për SPAK, por për t’u emëruar nevojitet vendimi i formës së prerë nga institucionet e vetingut.

Lidhur me pastërtinë e figurës, si Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, ashtu edhe Komisioni nuk kanë identifikuar kontakte me persona me lidhje me krimin e organizuar. Prokurori Braho mori vlerësime pozitive edhe për profesionalizmin, ndërkohë që për 9 denoncime të mbërritura në adresë të tij, relatori i çështjes tha se shpjegimet e subjektit do të vlerësoheshin para dhënies së vendimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *