Prokurori Klodian Braho përballet pa telashe me vetingun
Lajme

Prokurori Klodian Braho përballet pa telashe me vetingun

Seanca dëgjimore me Klodian Brahon, i përzgjedhur nga KLP për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme nxorri si problem të vetëm mungesën e dokumenteve për një hua 5 mijë euro të marrë nga babai fermer në vitin 2010- për të cilën prokurori deklaroi se ai i kishte të ardhurat.  

Prokurori Klodian Braho pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Prokurori i Krimeve të Rënda, Klodian Braho kaloi në dukje një seancë dëgjimore pa telashe përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të enjten. I vetmi problem i ngritur nga relatori i çështjes, Roland Ilia ishte një hua e padokumentuar prej 5 mijë eurosh, që Braho i kishte marrë të atit në vitin 2010; vlerë kjo që ka shërbyer për porositjen e një apartamenti.

Procesi i vetingut për Klodian Brahon-i përzgjedhur tashmë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e SPAK-ut u krye nga trupa gjyqësore e drejtuar nga Xhensila Pine, me relator Roland Ilian dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Ferdinando Buatier.

Klodian Braho ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitet 2005-2008 dhe më pas është emëruar prokuror në Berat. Në vitin 2012, Braho u transferua në Prokurorinë e Vlorës ku mbajti edhe postin e zv.drejtuesit, ndërsa në vitin 2015 u dekretua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Paralelisht me punën si prokuror, Braho është angazhuar edhe në mësimdhënie apo si ekspert në Shkollën e Magjistraturës. Ai u kualifikua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë mes kandidatëve për SPAK, por për t’u emëruar nevojitet vendimi i formës së prerë nga institucionet e vetingut.

Procesi i rivlerësimit për Brahon u krye për të tre kriteret. Lidhur me kriterin e pasurisë, Komisioni verifikoi burimin e krijimit të një apartamenti me vlerë 29 428 euro në Yzberisht, blerjen e një automjeti me vlerë 400 mijë lekë si dhe vlerat e likujditeteve në cash dhe bankë.

Apartamenti ka si burim të deklaruar një kredi bankare prej 2.8 milionë lekësh, huanë 5 mijë euro nga babai si dhe të ardhurat e tij nga puna.

“Pagesa është kryer me këste, ku vlera 5000 euro e marrë hua nga babai është paguar në momentin e porositjes së apartamentit. Subjekti nuk ka paraqitur dokumente provuese për të ardhurat e babait,” tha Ilia, ndërsa shtoi se shpjegimet e subjektit do të shqyrtohen para marrjes së vendimit.

Prokurori Braho shpjegoi në fjalën e tij se babai i tij, i vetëpunësuar në bujqësi i kishte mundësitë për të krijuar shumën e 5 mijë eurove. Ai kontestoi vlerësimin e të ardhurave të babait nga KPK me referencën më të ulët.

“Për shkak se u kërkuan të dhëna për të ardhurat e babait…, ai është i vetëpunësuar në bujqësi. Në atë kohë në familje ka qenë edhe vëllai dhe ka ekzistuar mundësia për krijimin e vlerës 5000 mijë euro, që më ka dhënë babai hua,” tha Braho para KPK.

Komisioni nuk ka konstatuar probleme në blerjen e një autoveture në vitin 2016 në vlerën 400 mijë lekë dhe as në vlerat e likujditeteve dhe kursimeve në cash. KPK ka verifikuar edhe një pasuri të babait të bashkëshortes së prokurorit Braho, e cila sipas relatorit ka rezultuar ashtu siç është deklaruar.

Lidhur me pastërtinë e figurës, si Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, ashtu edhe Komisioni nuk kanë identifikuar kontakte me persona me lidhje me krimin e organizuar. Prokurori Braho mori vlerësime pozitive edhe për profesionalizmin.

Në KPK kanë mbërritur 9 denoncime nga publiku në adresë të Brahos, për të cilat Ilia tha se subjekti ka dhënë shpjegime, të cilat do të vlerësohen para marrjes së vendimit.

Në fund të seancës, prokurori Braho kërkoi konfirmimin e tij në detyrë. KPk do të shpallë vendimin më datë 26 korrik, ora 12:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *