Prokurori Kujtim Luli në seancën dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Prokurori Kujtim Luli përballet me pyetje për një kredi të butë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk evidentoi probleme serioze të prokurorit Kujtim Luli, ndërsa ky u fundit u ballafaqua me pyetje për përfitimin e një kredie të butë si dhe dënimin e nipave të tij –për të cilët tha se i kishte deklaruar në formularin e figurës.

Prokurori Kujtim Luli në seancën dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Kujtim Luli u përball të martën në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i vetingut për prokurorin Luli po kryhet nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Brunilda Bekteshi dhe anëtare Xhensila Pinen.

Kujtim Luli e ka nisur karrierën si prokuror ushtarak në vitin 1992, funksion që e ka mbajtur deri në vitin 2002. Prej gati dy dekadash ai ka ushtruar funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme. Në vitet 2015-2017, Luli ka punuar gjithashtu si prokuror pranë Prokurorisë së Apelit Durrësit.

Relatorja Brundilda Bekteshi deklaroi se prokurori Luli zotëronte një apartament me sipërfaqe 105.1 m2 në Tiranë të porositur në vitin 2003 dhe të regjistruar në 2014-ën, me burim një kredi bankare me kushte lehtësuese në vlerën e 5 milionë lekëve. Për të përfituar kredinë për strehim, ai kishte lënë si garanci apartamentin e të vëllait.

Relatorja e çështjes tha në seancë se prokurori Luli kishte përfituar kredi të butë, ndonëse zotëronte më parë një banesë me sipërfaqe 55.9 m2 të përfituar nga privatizimi.

“Lidhur me ligjshmërinë e kredisë, subjekti ka shpjeguar se ishte e bazuar në vendim qeverie dhe se kishte përfituar nga lista shtesë e Prokurorit të Përgjithshëm. Ai ka pohuar se kishte ndryshuar vendimi i qeverisë që parashikonte strehimin e nëpunësve shtetërorë duke u hequr pjesa ‘pa banesë’ dhe se ishte vendosur që përfituesit të përfitonin kredinë sipas listës së dërguar nga drejtuesi i institucionit,” sqaroi Bekteshi lidhur me shpjegimet e subjektit për këtë situatë.

Prokurori Luli ripërsëriti në seancë se e kishte përfituar kredinë në përputhje me vendimin e qeverisë të ndryshuar. “Është hequr togfjalëshi ‘që nuk kanë banesë’, duke e lënë përfitimin e kredive në përputhje me listën e funksionarit,” tha ai, duke shtuar se kërkesa e tij ishte vlerësuar si e ligjshme edhe nga punonjësit e bankës.

“Pagesat e kësteve i kam shlyer dhe dua të sjell në vëmendje se pagesat për këtë kredi nuk janë në vlerën 5 milionë lekë, por 42% më shumë, në shumën 7.2 milionë lekë,” shtoi prokurori.

Luli u pyet në seancë lidhur me kushtet e përfitimit e kredisë së butë nga relatorja Bekteshi dhe anëtarja Xhensila Pine.

Subjekti shpjegoi se në asnjë prej kërkesave nuk ka qenë përcaktuar shuma e kredisë nga institucioni i prokurorisë.

“Nuk kërkohej që ne si aplikantë të depozitonim me shkrim një kërkesë për shumën e kërkuar,” tha Luli. Ai tha se apartamenti i mëparshëm 1+1 nuk ofronte kushtet e duhura për një familje me katër persona dhe se me rritjen e fëmijëve i nevojitej një banesë më e madhe.

I pyetur nga Pine se përse ishte hipotekuar apartamenti i vëllait, Luli shpjegoi se shtëpia e tij nuk e garantonte dot vlerën e 5 milionë lekëve. Ai shtoi se kredia ishte shlyer dhe kishin nisur procedurat për zhbllokimin e shtëpisë së vëllait.

Nga hetimi ka rezultuar se subjekti e ka revokuar kontratën e parë të sipërmarrjes në vitin 2003 dhe ka nënshkruar një kontratë të dytë. Bekteshi tha se nuk janë gjetur probleme në veprimet e kryera për revokimin e kontratës së porosisë.

Komisioni ka konstatuar diferencë mes vlerës së çmimit të apartamentit në shumën 48 346 USD të pasqyruar në kontratën e sipërmarrjes dhe shumës 5 milionë lekë të paguar nga subjekti. Luli ka shpjeguar se ishte një gabim material i sipërmarrësit, pasi vlera e shitjes së apartamentit ka qenë 41 mijë USD ose 5 milionë lekë.

Ai tha në seancën dëgjimore se ishte dakordësuar që të kryente disa punime dhe të blinte vetë një pjesë të materialeve që do të shërbenin për apartamentin. Sipas subjektit, diferenca në vlerën 7 346 USD përfaqësonte vlerën e materialeve që ai kishte blerë vetë.

“Kësti i fundit nuk ekziston, pasi ato materiale janë blerë nga unë dhe jo nga ndërtuesi,” tha prokurori Luli.

Komisioni ka verifikuar deklarimet për shpenzimet e shkollimit të dy djemve të prokurorit Kujtim Luli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA. Për djalin e madh, vlera e shpenzimeve për shkollimin ka qenë 72, 479 USD, ndërsa për djalin e dytë, shpenzimet për shkollim kanë qenë 5300 euro në Kosovë dhe 76, 939 USD në SHBA.

Si burim të këtyre shpenzimeve, prokurori Luli ka deklaruar të ardhurat nga puna e tij dhe e bashkëshortes; nga puna e djemve, si dhe vlerat e përfituara nga bursat e studimit.

Komisioni ka verifikuar mundësinë e subjektit për mbulimin e shpenzimeve të shkollimit të fëmijëve dhe shpenzimeve të tjera prej nga ka rezultuar balancë negative në vlerën 768 mijë lekë për vitet 2011 – 2012.

Bekteshi pohoi se Luli kishte kontestuar disa vlera të balancës negative. Ai ka kërkuar që vlera e shpenzimeve jetike për djalin e madh të përllogaritej sipas të dhënave të Institutit të Agrokulturës në SHBA dhe se gjatë muajve të pushimeve kishte qëndruar tek një i afërm, duke mos pasur shpenzime jetike. Sipas relatores, shpjegimet e tij do të vlerësohen para vendimarrjes përfundimtare.

Edhe në seancë, Luli tha se djemtë e tij kishin fituar bursa studimi në SHBA, të cilat ishin në vlera më të larta sesa kishte shpenzuar familja. Ai tha se kishte dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm për të vërtetuar përfitimet nga bursat.

Luli kërkoi që të rivlerësoheshin shpenzimet e jetesës, të shkollimit dhe të akomodimit për djalin e madh për periudhën 2011-2012. Sipas Lulit, shpenzimet e jetesës në SHBA ishin më të ulëta nga ato të përllogaritura nga Komisioni.

“Bazuar në standartin ushqimor, vlera e saktë do të ishte 164 mijë lekë për secilin vit”, tha Luli duke iu referuar të dhënave të Departamentit të Agrokulturës në SHBA. “Djali ka qenë student dhe ka pasur si qëllim kursimin për të përballuar gjithë shpenzimet vjetore,” shtoi ai.

Në seancë u evidentua se subjekti i rivlerësimit nuk kishte deklaruar gjendje cash nga viti 2004 deri në vitin 2015, edhe pse kishte pasur mundësi kursimesh.

Komisioni ka hetuar edhe në një kontratë huapërdorje të një ambjenti shërbimi mes bashkëshortes së subjektit dhe një shoqërie. Bekteshi tha se Luli kishte sqaruar se bashkëshortja punonte si avokate dhe ishte dakordësuar me shoqërinë në fjalë që në këmbim të qirasë të ofronte konsulta ligjore për të cilat kompania kishte nevojë.

Prokurori Luli u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës. Komisioni ka verifikuar një denoncim të mbërritur në përfundim të hetimit admintrativ, ku trajtohej fakti se nipat e Lulit ishin dënuar për kryerje të veprave penale.

“Subjekti i rivlerësimit ka sqaruar se i ka deklaruar këto fakte dhe se nuk ka pasur më kontakte me nipat e tij, duke iu shmangur edhe ceremonive familjare, me qëllim që të ruhej nga çdo perceptim i mundshëm i publikut,” tha Bekteshi.

Komisioni e ka vlerësuar pozitivisht prokurorin Kujtim Luli për profesionalizmin. Në seancë u evidentua se ndaj tij nuk ishte kryer asnjë denoncim nga publiku veç atij për pastërtinë e figurës.

Subjekti i rivlerësimit e konsideroi denoncimin si një veprim të qëllimtë për dëmtimin e imazhit të tij.

“Gjatë ushtrimit të detyrës time nuk kam pranuar asnjë ndërhyrje. Detyrën time e konsideroj të shenjtë”, pohoi prokurori Luli.

Në fund të seancës dëgjimore, anëtarja e trupit gjykues, Xhensila Pine e pyeti prokurorin Luli lidhur me të ardhurat e përfituara prej bashkëshortes së tij nga puna si avokate, ndërkohë që ajo pretendonte se gëzonte statusin e magjistratit dhe kishte inciuar procese gjyqësore për të fituar këtë status.

Luli sqaroi se bashkëshortja kishte qenë zv/drejtore e Shkollës së Magjistraturës dhe se e kishin larguar nga puna për shkak të suprimimit të vendit të punës.

“Nuk mund të priste nga viti 2005 deri sa të mbaronte çështja në Strasburg,” tha ai.

Prokurori Luli u pyet nga vëzhguesja ndërkombëtare, Elka Ermenkova lidhur me marrëdhënien profesionale me bashkëshorten e tij. Pyetja lidhej me faktin se bashkëshortja e Lulit kishte qenë avokate e nipave të tij, ndërsa prokurori deklaroi se i kishte shkëputur marrëdhëniet me ta.

“A flisni me njëri-tjetrin për çështjet? A i ndan bashkëshortja shqetësimet profesionale me ju,” pyeti Ermenkova.

Prokurori Luli mohoi të kishin komunikim për aspektin professional me bashkëshorten. “Ashtu si unë nuk kam dashur të di asnjëherë për çështjet dhe punën e saj, edhe ajo nuk ka dashur. Edhe nëse ka dashur, nuk kam pranuar që të jap informacion për punët e mia. Ndoshta mund të perceptohet si e pabesueshme, por kjo ka qenë një nga armët më të forta të miat,” tha Luli.

“Nëse ndan me bashkëshorten çështjet, atëherë nuk je më prokuror dhe nuk mund të përballesh me të pandehurin në sallën e gjyqit,” shtoi ai, duke theksuar se kishte qenë shumë strikt me profesionin.

Në përfundim prokurori Kujtim Luli kërkoi konfirmimin e tij në detyrë. KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më datë 20 nëntor, ora 09:45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *